Listat në universitete, 26 mijë aplikantë në garë për 32 mijë vende. Kuotat për çdo degë

Aug 24, 2017 | 10:49
SHPËRNDAJE

Të gjithë në universitete. Edhe këtë vit, institucionet e arsimit të lartë në vend ofrojnë më shumë kuota, në raport me numrin e kandidatëve që kanë aplikuar. Të dhënat i bëri publike zëvendësministri i Arsimit, Gert Janaqi, në daljen për shtyp të një dite më parë.

“Për këtë vit akademik, numri i aplikimeve në raundin e parë është 25.822 maturantë për kuotat brenda vendit. Nga këto, kuota të lira në total janë 32.268, nga të cilat 22.897 në universitetet publike dhe 9371 në universitetet private”.

gerti janaqi
Zëvendësministri i Arsimit, Gert Janaqi

Një ditë më parë, të gjitha institucionet e arsimit të lartë kanë marrë listën e aplikuesve për çdo program studimi, bashkë me të gjithë treguesit e tjerë: notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme; rezultatet e provimeve të maturës shtetërore; mesataren e të gjitha viteve të shkollës së mesme; mesataren e provimeve të maturës shtetërore; mesataren e përgjithshme të përllogaritur sipas VKM dhe indekset e profileve të shkollave të mesme. Në bazë të komponentëve të mësipërm, pjesë e formulave të ndryshme për secilin universitet, do të përllogariten pikët për të bërë një renditje që nis me kandidatët me pikë maksimale deri tek ata me më pak pikë. Të gjithë maturantët e rinj e të vjetër do të mësojnë nëse kanë fituar apo jo pas katër ditësh.

“Një moment i rëndësishëm për t’u ndarë me të gjithë aplikantët janë datat 28 dhe 29 gusht, kur universitetet do të përcjellin në QSHA listën e fituesve dhe se si çdo maturant do të monitorojë online gjithë procesin se si do të shpallet fitues dhe mënyrën e regjistrimit përmes portalit U-albania”, nënvizoi Janaqi.

SI VIJON GARA

Në pritje të udhëzuesit teknik me detajet mbi mënyrën se si do të procedohet për regjistrimin në universitete, sqarojmë se si do të vijojë gara e mëtejme sipas udhëzuesit nr.15 të MAS. Çdo kandidat do ta gjejë veten (nëpërmjet ID personale) në portalin U-albania, i cili mbledh renditjen e aplikantëve në të gjitha universitetet. Në secilën prej tyre është viza e kuqe që ndan fituesit nga humbësit. Ata që e gjejnë veten sipër saj, shpallen fitues dhe kanë të drejtë të regjistrohen brenda 48 orëve.

Në të kundërt, e humbasin të drejtën e studimit në atë degë. (Nëse ndërrojnë mendje, e vetmja mënyrë është të riaplikojnë me formularin A2 në raundin e dytë). Periudha e regjistrimeve në raundin e parë zgjat për plot 14 ditë, që ndahen në faza 2-ditore. Gjatë kësaj kohe, çdo kandidat, ka fituar ose jo, duhet të monitorojë në portalin U-albania listimin e tij në të gjitha degët ku ka aplikuar, për të parë nëse hapet një vend bosh, pasi pas çdo 48-orëshi, dalin vazhdimisht fitues.

kuotat 1

kuotat 2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura