Listat e hapura dhe listat e mbyllura

Feb 1, 2016 | 11:55
SHPËRNDAJE

myslim-MurriziMYSLIM MURRIZI

Kam disa ditë që po dëg joj një debat rreth sistemit zgjedhor me lista të hapura apo lista të mbyllura. Më ka habitur shumë ky propozim kur e dëgjova nga një njeri anonim në politikë por që punon ministër, për arsye që i dinë të gjithë. Ishte shumë banale kur dëgjova se janë të këqija listat e hapura, sepse krijojnë konflikt në parti.

Po pse more anonim politik, me punë ministër, Blushi me Ramën nga listat e hapura po zihen?! Nejse, kjo është punë e tyre. Për t’u hedhur hi syve qytetarëve po u paraqesin listat e hapura, si lista të shqyera dhe të pakontrolluara nga lidershipi i politikës. Pra, duan ta paraqesin paturpësisht sikur aty mund të hyjë kush të dojë, biznesmenë, mafiozë, ordinerë, rrugeçër, trafikantë e lloj-lloj kategorie, pa pyetur për njeri.

Jo zotërinj, do të jenë liderët e partive që vendosin firmën e fundit për të dërguar emrat në KQZ për çdo qark. Pas tyre, meqenëse me shumë mundim u miratua dhe ligji për dekriminalizimin, janë dhe institucione të tjera që bëjnë verifikimet për të përjashtuar nga kandidimi individët me rekorde kriminale. Pastaj, me lista të hapura dorën e fundit dhe vendimtare ua japin QYTETARËT me votën e tyre, të cilët do të kenë mundësi të votojnë për atë që mendojnë se do t’i përfaqësojë denjësisht në Kuvend dhe që nuk do t’u kthejë shpinën qysh të hënën e parë pas votimit.

Për emrin që nuk ndryshon telefonin dhe që nuk i harron e i përçmon pasi merr mandatin. Kjo është arsyeja e vërtetë pse njerëz anonimë në politikë, të padenjë e të pamoralshëm i tremben dhe kanë frikë nga listat e hapura, sepse, në të vërtetë, ata i tremben gjykimit të qytetarëve.

Pra, listat e hapura trembin servilët e kryetarëve, aparatçikët e partive politike, njerëzit e urryer nga qytetarët, harbutët dhe hajdutët që kur kanë qenë në karrige janë sjellë si fodullë me qytetarët. Trembin të gjithë ata që nuk njohin njeri tjetër veç vetes dhe duke qenë të përdorshëm në ekstrem, e kanë ngritur avenirin dhe karrierën e tyre politike vetëm dukë lëpirë herë njërin kryetar dhe herë tjetrin, e që kurrë nuk kanë pasur guximin, moralin, kurajën e burrninë të dalin përpara qytetarëve për t’u votëbesuar.

E kjo kategori apatikësh politikë është kundër listave të hapura, sepse çdo gjë e sheh vetëm në interes të të ndejurave të veta. Por kjo kategori nuk i hyn në punë as dreqit e jo më QYTETARËVE. Pse duhet që qytetarët të vihen para faktit të kryer? Kjo është demokracia që kërkuam 25 vjet më parë?

E ku është ndryshimi nga PPSH dhe deputetët e Kuvendit të Haxhi Lleshit? Vetëm emrat? Por dhe ai sistem formalisht ishte maxhoritar, por me detyrim, përcaktim, ndërsa ky është me emërim. Nga 140 deputetë që ka sot Kuvendi, rreth 20 janë deputetë, të tjerët punojnë në Kuvend, por nuk janë e nuk mund të jenë kurrë deputetë, sepse ata përfaqë- sojnë vetëm veten e tyre. Me lista të hapura, qytetarët nuk shkruajnë emra vetë në listë, por brenda listës që u kanë paraqitur partitë, zgjedhin atë që duan.

Pra, edhe lista të hapura i caktojnë kryetarët e partive, ndërsa QYTETARËT vendosin për DEPUTETËT. Po listat e mbyllura çfarë të mire kanë? Ky parlament, që ka brenda trafikantë e kriminelë, nuk ka ardhur nga listat e mbyllura? Kush mban përgjegjë- si? A nuk është ky kuvendi më i inkriminuar e me nivelin më të ulët që ka pasur ky vend në 25 vjet pluralizëm?

Un kam qenë një nga 16 deputetët që PD ka pasur në vitin 1997 dhe PS kishte 125 deputetë. Edhe pse ishte viti kur bandat komandonin vendin, PS kishe deputetë ish-oficerë që hapën depot e shiten armët, ish-administratorë të fajdeve, ishkryetarë kooperativash e ish-mësues të marksizmit, por kurrë asnjë të vetëm trafikant, kriminel apo drogaxhi. Me lista të hapura të gjithë kandidatët janë në garë dhe çdo subjekt merr maksimumin e votave të saj.

Me lista të mbyllura janë në fushatë vetëm numri te vija kuqe, se të parët thonë jemi deputetë, të fundit thonë nuk bëhemi kurrë. Me lista të hapura, qytetari njeh deputetin dhe deputeti qytetarin, dhe gjatë gjithë mandatit mbajnë marrëdhënie me njëritjetrin. Me lista të mbyllura qytetari sheh, por nuk e njeh deputetin, ndërsa deputeti as nuk e sheh, e as nuk e njeh kurrë qytetarin.

Lista e hapur rrit pavarësinë e deputetit dhe e bën më të lidhur me qytetarin, lista e mbyllur rrit hipokrizinë e deputetit dhe e bën servil të kryetarit. Lista e hapur, nëse sillesh harbut me qytetarin për një mandat, qytetari ta kthen reston në kuti herën tjetër, ndërsa lista e mbyllur nuk pyet për qytetarin.

Ndaj, që të shpëtojmë njëherë e mirë nga hajdutët, askushët, fodullët, servilët e aparatçikët, ata që mbushin gotën me ujë kryetarëve e pastaj i sheh deputetë. Liderët politikë në Shqipëri duhet të kenë moralin dhe kurajën, duhet t’u japin mundësinë qytetarëve t’i zgjedhin vetë deputetët e tyre, sepse do të jetë shumë herë më mirë për ata vetë për Shqipërinë nëse duam ta bëjmë DEMOKRATIKE, ashtu siç 25 vjet më parë STUDENTËT, QYTETARËT dhe INTELEKTUALËT e këtij VENDI kërkuan me dy gishta lart nga sheshi i qytetit studenti anembanë SHQIPËRISË.

*Kryetar i PD-së, dega Lushnjë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura