Lista Serbe ende shpreson në mbajtjen e referendumit në Beograd: Shpresojmë tek ndërmjetësimi nga Bashkimi Europian

Jan 14, 2022 | 18:59
SHPËRNDAJE

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç deklaroi të premten për gazetarët në Beograd se ende shpreson dhe i beson Bashkimit Evropian se do të mundësojë mbajtjen e referendumit për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë në fushën e drejtësisë në Kosovë të dielën.

gornaradic

“Nuk mund të them me siguri nëse BE-ja do t’i përmbushë detyrimet e saj, sepse kjo nuk ka të bëjë më as me ne si njerëz që do të votojmë në atë referendum, por kjo është një çështje që ka të bëjë me anëtarësimin në BE”, u ka thënë Rakiq gazetarëve pas takimit të përfaqësuesve serbë nga Kosova me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar.

Sipas Rakiqit, BE-ja ka kërkuar nga Serbia një referendum për ndryshimet kushtetuese në fushën e drejtësisë.

“Kërkojmë nga BE-ja që nga fjalët të kalojnë në vepra, kanë folur shumë, kanë premtuar shumë, ne i kemi besuar, sidomos ne serbët e veriut të Kosovës sepse kemi shkuar në zgjedhje në vitin 2013 duke besuar në një të ardhme më të mirë dhe se rruga evropiane. Të dielën (16 janar, ditën e referendumit), BE-ja dhe EULEX-i do të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë – a janë ata në favor të pranimit të Serbisë në atë rrugë evropiane, apo është thjesht një histori boshe,” ka thënë mes tjerash Rakiq.

Në takim me Vuçiqin, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili nga dhjetori i vitit të kaluar është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Radoiçiq është bërë nënkryetar i Listës Serbe në vitin 2018, pak muaj pas vrasjes së politikanit opozitar nga Mitrovica e Veriut, Oliver Ivanoviq.

Millan Radoiçiq është përmendur në dokumentet e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.

Reagimi i mekanizmit ndërkombëtar

Institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kanë dalë me deklaratë të përbashkët, pas takimit me zyrtarët e vendeve të Kuintit dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Ato u kanë bërë thirrje vendeve të Kuintit që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë.

Të premten, 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës, mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, të shtunën, 15 janar, në orën 14:00.

Në njoftimin për media është thënë se në rend të ditës është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të ketë “pasoja të mëdha dhe më të gjera se sa pritej” nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë./ Marrë nga REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura