“Lista e zezë”/ Nga pushkatimi i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, te fundi tragjik në qeli i Halim Xhelos. Letrat nga burgu për Enverin

Oct 24, 2019 | 7:50
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Te tjere emra te njohur, si pjese e listës prej 100 emrash të personaliteteve, si themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë që në vitin 1941, drejtues të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare si komandantë e komisarë, dhe më pas kuadro e funksionarë të lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat u eleminuan ndër vite duke u akuzuar si “armiq të popullit dhe kriminelë” e u dënuan me vdekje, vdiqën në qelitë e hetuesivë dhe burgjeve, apo vuajtën me vite të gjata dënimet politike në burgjet dhe kampet e internimit të atij regjimi…

Enver-1

Përgjatë 50 viteve të ekzistencës së saj, Partia Komuniste e Shqiptare, e cila më pas u quajt Partia e Punës së Shqipërisë, eliminoi në mënyrë tragjike nga rradhët e saj pothuajse të gjithë eksponentët më të lartë dhe më në zë që e kishin themeluar, ose që kishin kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e pushtetit të saj. Të gjithë këta personazhe të cilët u goditën ose u eliminuan fizikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i kishin shërbyer me devotshmëri deri në momentin e fundit, pikërisht kësaj partie, dhe kreut të saj, Enver Hoxhës, i cili me një të rënë të lapsit vendoste se cilët nga ata duhet të vazhdonin të jetonin, dhe cilët jo! Kontributi i këtyre personaliteteve të mëdha të komunizmit shqiptar, fillon që me themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor të 1941-it dhe vijon më pas me Luftën Anti-Fashiste Nacional-Çlirimtare, për të përfunduar me periudhën e cila, rëndom në historiografinë e asaj kohe do të etiketohej edhe si “ndërtimi socialist i vëndit” në vitet 1944-1991.

E-Hoxha-1

Në mënyrë ironike të 100 personazhet e kësaj liste, mund të quhen me plot gojën edhe si ajka drejtuese e regjimit komunist shqiptar (së paku, një pjesë e mirë prej tyre), të cilët ishin të mirë-arsimuar në shkollat dhe akademitë më të njohura të Lindjes apo dhe të Perëndimit që në viteve ‘30-’40-të të shekullit të kaluar e në vijim deri në vitin 1961 në vëndet e Lindjes Komuniste, apo siç quhej asokohe edhe nga propaganda zyrtare, si “Demokracitë Popullore”. Disa prej këtyre personazheve e kishin ndihmuar Enver Hoxhën në betejat për ardhjen në pushtet të Partisë që ai drejtonte në Shqipërinë e pllakosur nga lufta në vitet 1943-1944, ndërsa një pjesë tjetër e kishin ndihmuar atë të çimentonte rrënjët e pushtetit të tij absolut në hierarkinë e Partisë së Punës së Shqipërisë. Ndërsa pjesa e tretë dhe e fundit do të ishte ajo më tragjikja e cila, e shoqëroi në mënyrë të zellshme diktatorin Hoxha në vazhdën e sundimit të tij të ashpër 45 vjeçar në vënd.

enver-hoxha-jugosllavi-iken_7612

Dhe pikërisht në fund, kjo pjesë, pa pritur ra pre e vetë krimeve monstruoze të tij! Akuzat për ta do të kurdiseshin në korridoret e errëta të ndërtesës më hije-rëndë që kishte asokohe jo vetëm Tirana por i gjithë vëndi atë të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërsa zbatimi i tyre i ngarkohej Ministrisë së Punëve të Brendëshme me anë të dëgëve dhe drejtorive të shumta të saj, ku më kryesorja ishte ajo Sigurimit të Shtetit, që vetë Enveri e kishte konsideruar si “maja e mprehtë e shpatës së Diktaturës së Proletariatit”?!. Natyra paranojake e regjimit komunist shqiptar, do t’i etiketonte këta fatkeqë si “armiq të popullit”, “tradhtarë të atdheut”,“agjentë dhe poliagjentë të UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, CIA-s amerikane” e lloj lloj epitetesh të tjera nga më të ndryshmet. Por vetmi “faj” i tyre që ata do ta kuptonin vetëm atëherë kur do ta shihnin vetën në qelitë e errta të Hetuesive apo Sigurimit, kampeve dhe burgjeve politike apo fshatrave të largët në internime, ishte ajo që ata e kishin përkrahën dhe i shërbyen deri në atë moment pushtetit të Enver Hoxhës?! Shumë prej tyre i qëndruan luajal deri në atë pikë, saqë në momentet kur do të dënoheshin me vdekje dhe do të ekzekutoheshin, ata merrnin guximin dhe kurajon që t’i kërkonin falje atij, madje t’i shkruanin edhe letra nga burgu apo internimi ku do t’i deklaronin besnikërinë e përjetshme!

enver-komso_8065

Po kështu një pjesë tjetër prej tyre, me skuadrën e pushkatimit mbi kokë do të thërrisnin emrin e tij deri në sekondat e fundit, duke pasur një lloj “shprese” se sunduesi i tyre mund t’i falte! Fatkeqësisht nuk do të ndodhte kështu. Sepse, modeli i fushtatës së s’pastrimeve dhe eliminimeve që Enver Hoxha do të kryente mbi shokët, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij, ishte kopjuar në mënyrë identike nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe personalisht kreu i saj,Joseph Visarionovich Stalin. Kjo metodë i ishte importuar Tiranës zyrtare me mijëra kilometra larg saj, pikërisht nga Moska, ku brenda mureve të Kremlinit udhëheqjësit e saj “hanin” njëri tjetrin dhe ata që mbeteshin në krye të saj, “hanin” prenë e rradhës.

enver-beqir-udhëheqja

Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë është tragjikisht e ngjashme me homologen e saj sovjetike, një histori vuajtjejesh dhe spastrimesh, një histori elimimesh dhe vrasjesh misteriose të vetë themeluesve dhe pjestarëve kryesor të saj. Në mënyrë të frikshme, kjo metodë sundimi pas vitit 1945 u përhap në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes, ku sigurisht edhe Shqipëria e vogël do ta absorvonte dhe do ta përshtaste atë, me modelin e saj. Dhe kjo do të ndodhte pasi vetë personi që do ta eksportonte në botën komuniste këtë model, Joseph Visarionovich Stalin, njëkohësisht do të shërbente si udhë-rrëfyes dhe si idhull për diktatorin komunist shqiptar, Enver Hoxhën, ku lista spastrimeve të bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, është me qindra. Në këtë shkrim, Memorie.al sjell 25 personazhet e dytë të kësaj liste prej 100 emrash.

Lista e emrave dhe funksionet përkatëse e 100 personazheve dhe personaliteteve bashkëpunëtorë të ngushtë Enver Hoxhës, të eliminuar prej tij në vitet 1943-1985

 

51. Vehip Demi, komunist dhe partizan me funksione drejtuese në zonën e Çamerisë. Pas luftës kreu disa detyra në sektorin e agjit-propit, deri në Shef Redaksie në Radio-Tirana. Në vitin 1956, në Konferencën e Tiranës, kritikoi privilegjet e Bllokut dhe personalisht Nexhmije Hoxhën. Pas kësaj u shpall antiparti dhe u internua në Vlorë ku dhe vdiq i helmuar (sipas dëshmisë së familjarëve) në spitalin e atij qyteti në vitin 1957.

 

52.Sotir Vullkani, antari më i vjetër i Grupit Komunist të Korçës që në periudhën e Monarkisë së Zogut dhe pjesmarrës në mbledhjen themeluese të PKSH-së. Mbas Luftës shërbeu disa kohë si oficer i prapavijës në Tiranë me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Punëve të Brëndshme. Gjithashtu ai në vitet 1953-1958 punoi, në sektorin e burgjeve dhe kampeve, duke u emëruar si komandant i Puntorisë së Artizanalit në Tiranë,(një ndër burgjet më famëkeqe të kryeqytetit) Ndërroi jetë në Tiranë ne vitin 1964 i survejuar nga Sigurimi i Shtetit, dhe po atë vit i biri i tij, Robert Vullkani u dënua me 20 vjet burg për tentativë arratisje.

 

53.Xhavit Qesja, partizan i brigadës XXIII në zonën Krujë-Mat. Pas lufte, Qesja zgjidhet komisar politik në Komandën e qarkut të Tiranës. Më pas në vitin 1947, ai zgjidhet Sekretar Politik i KQ të PKSH-së, për rrethet e Shkodrës dhe Beratit. Në vitin 1955 ai, dërgohet me studime në Bashkimin Sovjetik, prej nga kthehet një vit më pas. Ai gjithashtu është deputet i Kuvëndit Popullor deri në vitin 1958. Në vitet 1957-1958 Xhavit Qesja, shërben në postin e zv-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit. Shkarkohet nga të gjitha funksionet pas kundërshtive që pati me Enver Hoxhën pas Kongresit të XX të PK të BRSS për liberalizimin e jetës politike në vënd. Internohet familjarisht në ishullin e Zvërnecit dhe survejohet nga Siguirmi i Shtetit deri në vitin 1966. Në këtë vit arrestohet dhe dënohet për agjitacion dhe burg. Dërgohet në burgun e Burrelit ku ridënohet dy herë dhe del prej andej pas vitit 1991. E shoqja e tij Meriban Najdeni vuajti në internim së bashku me fëmijët.

 

54.Koço Tashko, kryetar i grupit Komunist të Korçës, i dërguar i KOMINTERNIT në Shqipëri, pjesmarrës i mbledhjes themeluese të PKSH-së në 1941. Në vitin 1943, pikërisht gjatë periudhës së luftës nacionalçlirimtare Koço Tashko emërohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare si sekretar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Çlirimi i Shqipërisë, pra viti 1945, e gjen atë sekretar të Asamblesë Kushtetuese. Në vitet 1946-1947 Koço Tashko emërohet ambasador i Shqipërisë në Moskë. Në vitin 1947 ai ngarkohet me detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, që e ushtronte paralelisht me Hysni Kapon. Në vitin 1954 caktohet ambasador i Shqipërisë në Sofje, por pas një viti, pra në 1955, si zakonisht në të tilla raste, e kthejnë sërish nga Sofja për ta emëruar në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë si kryetar të Komisionit të Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë. Në këtë detyrë vazhdoi deri në vitin 1960, kur mbi të filluan sulmet politike të Enver Hoxhës, duke e akuzuar si agjent të sovjetikëve.Në vitet ‘60, nga një plenum i posaçëm i KQ të PPSH-së, Koço Tashko përjashtohet nga partia, për të cilën erdhi posaçërisht në atdhe. Bëri 8 vjet internim, duke filluar që nga Çorrushi i Mallakastrës e duke vazhduar në shumë zona të Shqipërisë. Pas 8 vjetësh internimi, kur ishte në moshën 68-vjeçare, u burgos për 10 vjet në burgun e sigurisë së lartë të asaj kohe në Burrel, nga i cili doli vetëm në vitin 1980, kur kishte mbushur plot 78 vjeç. Gjashtë vjet më vonë, pikërisht në 1984, kur sa kishte mbushur 85 vjeç, Koço Tashko vdiq në mjerim në fshatin Adriatik të Kurbinit.

 

55. Maqo Çomo, Në 1943 u anëtarësua në Partinë Komuniste. Më 1944 qe komisar i Brigadës së XV dhe më 1945 qe anëtar i seksionit politik të divizionit të 3-të. Pas 1945, qe zëvendëskomisar dhe anëtar i seksionit politik të Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore. Në Dhjetor të 1947 qe anëtar i seksionit politik për kuadrin në divizionin I të këmbësorisë. Në korrik të 1948 u caktua inspektor për zyrat ushtarake në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Në janar të 1950 u emërua shef i degës së organizimit të Drejtorisë Politike të ushtrisë. Në shkurt të 1951 u emërua kryetar i degës politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme duke qenë njëherazi edhe drejtor i përgjithshëm i Policisë Popullore.Më 1952-53 I’u dha portofoli i ministrit të Kontrollit të Shtetit. Më 1953 qe zëvendësministër i Grumbullimeve. Më 1955 u martua me Liri Belishovën dhe nga ai vit deri më 1960 qe ministër i Bujqësisë. Më 1 nëntor 1960 u shkarkua nga plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës.U emërua drejtor ndërmarrjeje bujqësore në Goranxi të Gjirokastrës . Pastaj internohet në Kuç dhe Progronat. Në vitet 1962 – 1967 internohet në kampin e Zvërnecit. Duke qenë aty, u arrestua më 23 gusht 1967. Më 3 nëntor deklarohet fajtor nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me akuzën e agjitacionit e propagandës e minimin e pushtetit popullor, duke u dënuar me 10 vjet burg. Kur ishte në prag të lirimit, më 24 shtator 1976, u arrestua aty ku vuante dënimin, në burgun e Burrelit. Më 31 gusht 1977 u dënua nga Gjykata e Rrethit të Burrelit me 10 vjet të tjera burg.Pas daljes nga burgu më 1 gusht 1987 i bashkohet familjes duke u internuar më 1987 – 1991 në Cërrik. Vdes në Tiranë më 23 janar 1998

 

56. Liri Belishova, Një nga drejtueset kryesore të PKSH-së, në qytetin e Tiranës, dhe më pas partizane me funksione në Organziatën e Rinisë Anti-Fashiste. Pas vitit 1944, kryen detyra të larta partiake, si deputete në Kuvendin Popullor, anëtare e Byrosë Politike dhe Sekretare e Komitetit Qëndror për Propagandën, duke qenë bashkëpunëtore e ngushtë e Enver Hoxhës. Në vitin 1960 akuzohet si antisovjetike dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet. Deri në vitin 1991 vuajti internimin e gjatë në Cërrik të Elbasanit së bashku me bashkëshortin Maqo Çomo, dhe familjen e saj.

 

57. Hilmi Seiti, partizan dhe eksponent i LANÇ për qarkun e Shkodrës. Pas lufte, merr poste drejtuese në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Në fundin e viteve 40-të deri në fillimin e viteve 50-të, është Drejtor i Zbulimit Politik (Sigurimi i Shtetit jashtë Shqipërisë). Në vitin 1952 emërohet Kryetar i Degës së Punëve të Brëndshme në Shkodër. Gradohet Gjeneral-major, dhe cilësohet si një ndër figurat më të larta të MPB-së së atyre viteve. Por në vitin 1960, thirret në ambjentet e Ministrisë së Brëndshme në Tiranë, ku në prani të Hysni Kapos, ministri Hazbiu i propozon që të bëhet kreu i një grupi komplotistësh çamë të cilët do të sakrifikoheshin në dobi të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Seiti nuk pranon dhe del demostrativisht nga Ministria për të ardhur në Shkodër. Ai vdes në Prill të vitit 1960, në rrethana të dyshimta në oborrin e Komitetit të Partisë së këtij qyteti. Në varrimin e tij madhështor, mban një fjalim edhe Ministri i Brëndshëm Kadri Hazbiu. Pas vitit 1990, familja dhe shumë ish kolegë të tij kanë dëshmuar se Seiti u helmua.

 

58.Teme Sejko, partizan në Batalionin Çamëria, gjithashtu, komisar batalioni në Brigadën e Parë.Gjeneral-major, Kundëradmiral i Flotës Luftarake-Detare. Me miratimin e Enver Hoxhës, arrestohet në vitin 1960 dhe e detyrojnë të pranojë se, ishte kreu i një grupi komplotistësh (të gjithë me origjinë çame) dhe ne bashkëpunim me grekët, jugosllavët, italianët dhe Flotën e VI-të amerikane, donin të rrëzonin pushtetin popullor në Shqipëri.Pas një gjyqi publik ai, dënohet me vdekje por nuk arrin të pushkatohet. Në Qershorin e 1961, ai çohet në Vilën e Marikajt (bazë e Siguirmit të Shtetit). Sejko, vdes pas torturave në mënyrë makabre të ushtruara nga vetë eksponetët e lartë të MPB-së.

59.Taho Sejko, Partizan në Batalionin Çameria. pas lufte punon për disa vjet në Komisionin e Planit të Shtetit dhe Shef i Redaksisë Ekonomike në gazetën Zëri Popullit. Në vitin 1956, pas Konferencës së Tiranës, shpallet person anti-parti dhe transferohet si Drejtor i parkut të Shkodrës, ku punon deri në vitin 1960 kur u arrestua duke u akuzuar si pjestar i Grupit armiqësor Çam, i cili kryesohej nga i vëllai, Gjeneral-major, Teme Sejko. Edhe pse thuhet që sipas dokumentave ai u pushkatua në vitin 1962, i biri i tij Hektori hedh hije të forta dyshimi. Pas vitit 1991, ai ka deklaruar në shtyp, një version për eliminimin e babait të tij. Sipas tij ai vdiq gjatë torturave, duke i rënë murit me kokë.

60.Tahir Demi, partizan me funksione drejtuese në Batalionin Çamëria. Kryetar i komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, dhe i dërguar i Shqipërisë në KNER. Në vitin 1960 arrestohet në mënyrë demonstrative në zyrën e tij teksa drejtonte një mbledhje, duke u akuzuar si një nga pjestarët kryesorë të një komploti me në krye Kundëradmiralin e Flotës Lufarake-detare, Gjeneral-major, Teme Sejkon, që kishte për qëllim rrëzimin e regjimit komunist. Dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet një vit më pas, së bashku me disa pjestarë të tjerë të Grupit Çam.

61.Kristo Budo, partizan dhe eksponent me funksione drejtuese politike, sekretar i Qarkorit të Dibrës, dhe Kryetar i Degës së Punëve të Brendëshme atje. Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave për vite me rradhë. Pasi i kishin pushkatuar babanë duke e akuzur si agjent i grekëve, në vitin 1961 e arrestojnë dhe pas torturash ç’njerëzore në hetuesi nga drejtuesit më të lartë të Sigurimit të Shtetit(të cilat i lanë shenja deri në fund të jetës), e dënojnë me 10 vjet burg, të cilat i kryen në Burrel. Më pas, jeton familjarisht në internim në Ishullin e Zvërnecit.

62.Zenel Islami, nxënës i Migjenit dhe personazh real i shkrimeve të tij. Partizan në rrerthin e Pukës. I diplomuar për Filozofi në Moskë, emërohet Sekretar i Parë në Pukë dhe Lezhë, Kryetar Komiteti në Elbasan. Vihet në shënjestër të Sigurimit të Shtetit për zbutje të luftës së klasave. Në 9 korrik të vitit 1960, gjëndet i vdekur me plagë plumbi në një shtëpi të fshatit Labinot, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në festën e Ushtrisë. Varrimi i tij kryhet në Shkodër ku lejohen vetëm njerëzit e familjes. Pas vitit 1961 bashkëshorten e tij Drita Gjylbegu (motra e Heroit të Popullit Naim Gjylbegu), e denigrojnë me punë të rënda deri në vitin 1991.

 

63.Haxhi Hajdari, komandant i të parës Çetë Partizane në rrethin e Shkodrës. Komandant i sektorit të kufirit në MPB për rrethin e Shkodrës. Deputet i Kuvendit Popullor deri në vitin 1963. Kundërshtoi kolektivizimin e fshatarësisë së zonave malore dhe për këtë thërritet në zyrën e Mehmet Shehut, ku i hiqet vërejte e rëndë. Pasi vihet në shënjestër të Sigurimit të Shtetit për t’u arrestuar, arratiset në mënyrë demonstrative dhe fshihet në një shpellë në malësinë e Rrjollit. Pas disa ditë kërkimesh, lokalizohet nga disa mijëra trupa të armatosura të Reparteve të Zbulimit dhe të Forcave të Ndjekjes. Eliminohet me goditje artilerie po në shpellën ku ishte strehuar, së bashku me një të afëm të tij në Mars të vitit 1963 (ditën e festës zyrtare të Sigurimit të Shtetit).

64.Halim Xhelo, Partizan dhe eksponent i Lëvizjes Komuniste për rrethin e Vlorës. Pas lufte, kryen një sërë funksionesh në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si drejtor i degëve të ndryshme po në këtë dikaster. Nga viti 1955 deri në shkarkimin dhe arrestimin e tij në 1966 ai ishte Drejtor i Sigurimit të Ushtrisë në MPB. I shkruan një letër anonime nga zyra e Beqir Ballukut, Enver Hoxhës, ku e akuzon për heqjen e gradave në Forcat e Armatosura. Pas zbulimit të veprës së tij, arrestohet në mënyrë demostrative në Vlorë nga zv-Ministri i Mbrojtjes dhe zv-Ministri i Brëndshëm të cilët shkuan atje me avion ushtarak. Dënohet me 25 vjet burg dhe i vuan ato në burgun e Burrelit. I shkruan një letër të dytë Enver Hoxhës, kësaj here të hapur ku e akuzon për torturat që bëheshin ndaj tij dhe të tjerëve në këtë burg. Vetë-vritet në vitin 1974 në qelinë e tij.

65.Zoi Themeli, partizan dhe drejtues i Lëvizjes Komuniste në qarkun e Korçës. Nga viti 1945 deri në 1952 është Kryetar i degës së Brëndshme të Shkodrës. Më pas në vitet 1952-1955 është Drejtor në degën e Grupeve Kundër-rrevolucionare në Sigurimin e Shtetit. Gradohet Gjeneral-leitnant, dhe deputet në Kuvëndin Popullor. Më pas në vitet 1955-1966 është Drejtor i Zbulimit Politik në Ministrinë e Punëve të Brëndshme. Në vitet 1966-1967, shërben si Sekretar i Parë i KQ të Partisë për rrethin e Dibrës. Arrestohet po atë vit duke u akuzuar si kundërshat i heqjes së gradave dhe, përkrahës i heshtur i Koçi Xoxes dhe i metodave të tij. Internohet familjarisht në fshatrat e Lushnjes ku vuan në mjerim të madh deri në vitin 1991.

 

66.Gjin Marku, anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, delegat i mbledhjes themeluese të PKSH-së, anëtar i Byrosë Politike provizore në vitin 1944. Komisar Politik i Qarkorit të Beratit, Komandant i Brigadës së VII-të Sulmuesese dhe i Divizionit të V-të që luftoi në Jugosllavi.I diplomuar me Medalje Ari në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov” të Moskës, deputet i Kuvendit Popullor, “Hero i Popullit”, gjeneral-major, zv. shef i Shtabit të Përgjithshëm. Dënohet në 1967 me 25 vjet dhe vdes në burgun e Burrelit në vitin 1986. Edhe pse vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe për një muaj plotësonte dënimin, ish-vartësi i tij, Ramiz Alia, nuk firmosi dekretin për lirimin e tij nga burgu.

 

67.Fadil Paçrami, Lindi në Shkodër më 25 maj 1922. Ndoqi gjimnazin e Shkodrës ndër vitet 1935 – 1938, më 1937 u anëtarësua në Grupin Komunist të Korçës. Studimet e larta i vijoi për mjekësi në Universitetin e Bolonjës në Itali, ku ndoqi vetëm vitin e parë akademik (1941-’42). Më 1943 u anëtarësua në Partinë Komuniste Shqiptare, dhe po atë vit u emërua anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë në Tiranë. Në shkurt të 1944 u zgjodh anëtar i Komitetit të Partisë për Tiranën. Më 1945 u zgjodh anëtar i sekretariatit të Frontit. Më 1946 – 1947 shërbeu si zëvendësministër i arsimit. Nga janari i 1947 deri në nëntor të 1948 qe drejtor i muzeut arkeologjik. Në nëntor të 1948 deri në 19 qershor 1958 qe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Nga viti 1952 e deri më 1973 qe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Më 1958 deri më 15 dhjetor 1960 student në shkollën e partisë në Moskë. Më 1960 – 1965 qe drejtor i propagandës i Komitetit Qendror të PP-së. Më 1965 – 1966 qe ministër i Kulturës dhe Arteve. Më 1966 deri më 11 prill 1973 sekretar i Komitetit të PP-së, ndërkohë më 1970 – 1973 qe edhe kryetar i Kuvendit Popullor.Shkarkohet nga të gjitha funksionet për liberalizëm, më 26 – 28 qershor 1973 Pleniumi i IV e përjashtoi nga partia. I’u hoq mandati i deputeti që e kishte nga 1947 dhe nuk pranoi që të jepte llogari para zgjedhësve të tij. Më 15 shtator 1973 Kuvendi Popullor e shkarkoi nga detyra e kryetarit të tij. U arrestua më 20 tetor 1975 si “armik i popullit” dhe u dënua për agjitacion e propagandë, burgimi i tij zgjati deri më 17 mars 1991. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit dhe në atë të Kosovës së Madhe në afërsi të Elbasanit. U lirua më 17 mars të vitit 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste.

 

68.Todi Lubonja, në mars të 1942 në prani të Tuk Jakovës, Lubonja u zgjodh në komitetin qarkor të Durrësit. Funksionar i larte i Rinise Komuniste dhe me pas në organet partiake për Kulturën dhe Artin. Sekretar i Komitetit të Partisë të Korçës, Sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të Bashkimit të Rinisë së Punës Shqipërisë. Drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar deri në vitin 1972 kur u zhvillua Festivali i 11 i Këngës. Pasi shkarkohet nga të gjitha funksionet, në 1973, fillimisht dërgohet në rrethin e Lezhës. Në 1974, arrestohet dhe vuan dënimin në Burgun e Burrelit deri në vitin 1991 së bashku me të birin, Fatosin.

 

69.Dashnor Mamaqi, komunist dhe partizan me funksione drejtuese, në Brigadën e VI. Deputet në Kuvendin Popullor, antar i Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Ministër i Arsim-Kulturës deri në vitin 1974 kur filloi goditja ndaj të ashtuquajturave grupe armiqësore. Pasi shkarkohet nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, arrestohet dhe dënohet me 25 vjet burg politik. Ndërron jetë në burgun e Shënkollit të Lezhës në vitin 1984.Familja iu internua në Selenicë të Vlorës, prej nga mund të iknin vetëm pas vitit 1990.

 

70.Beqir Balluku, komunist dhe komandant i njësiteve guerile të Tiranës. Më 1943 anëtar i Partisë Komuniste dhe anëtar i Komitetit Qendror i PK-së. U arrestua më 1943 për pak muaj dhe më 20 maj 1943 u caktua komandant i batalionit partizan Krujë-Ishëm. Më 18 shtator 1943 komisar i Brigadës së III dhe më pas komandant i Brigadës së II. Më 1944 ka qenë komandant i shtabit operativ të brigadave 2, 9 dhe 20. Më 1945 qe anëtar i Gjyqit Special. Më 1945 – 1948 qe zëvendës komandant i korpusit të parë, komisar i korpusit të dytë dhe komisar i komandave të prapavijës në komandën e përgjithshme dhe komandant divizioni. Më 28 janar 1948 ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë deri më 1950. Kreu në Moskë Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në kongresin e parë të PKSH‑së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1953 nga zëvendës ministër u bë ministër i Mbrojtjes Popullore, post që e pati deri më 1974. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneral-leitnantit. Nga 1946 Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor dhe nga 1954 deri më 1974 zëvendës kryeministër. Më 1960 u emërua kryetar i komisionit qëndror të internim-dëbimeve pranë, Kryeministrisë. Në korrik të vitit 1974 u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U arrestua më 16 dhjetor 1974. U dënua me vdekje për “tradhëti ndaj atdheut, agjitacion e propagandë, përvetësim të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”. U pushkatua më 5 nëntor 1975 së bashku me Petrit Dumen dhe Hito Çakon, në Tiranë dhe u varros në Vranisht të Vlorës.

71.Petrit Dume, partizan në rrethin e Kolonjës, Komandant i Batalionit “Hakmarrja” dhe i Brigadës 18 Sulmuese. I diplomuar në Akademitë “Frunze” dhe “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik, zv-Ministër i Mbrojtjes Popullore dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me gradën gjeneral-leitnant. Hero i Popullit, anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së, kandidat i Byrosë Politike dhe Deputet në Kuvendin Popullor, deri në vitin 1974 kur u akuzua si një nga krerët kryesorë të Grupit puçist në Ushtri. Pas gjykimit u dënua me vdekje, dhe u ekzekutua me pushkatim në vitin 1975.

72.Hito Çako, komunist dhe partizan në Brigadën e V me funksione drejtuese. Komandant i Divizionit të I. I diplomuar në dy akademi Ushtarake në Bashkimin Sovjetik, Komandant i Flotës Luftarake Detare. Drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë me gradën Gjeneral-leitnant dhe zv-Ministër i Mbrojtjes Popullore. Deputet në Kuvendin Popullor dhe antar i Komitetit Qëndror të PPSh-së deri në vitin 1975 kur u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me pushkatim, pasi ishte akuzuar si një nga tre krerët kryesorë të Grupit puçist në Ushtri.

73.Rrahman Parllaku, komunist dhe, komandant i njësiteve guerile të Vlorës, partizan dhe komandant i Divizionit të V-të që luftoi në Jugosllavi, Hero i Popullit. Zv-Ministër i Mbrojtjes Popullore me gradën Gjeneral-kolonel, anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe deputet në Kuvendin Popullor deri në vitin 1974 kur u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg politik duke u akuzuar si figura nr 4 e Grupit Puçist në Ushtri, pas Ballukut, Dumes dhe Çakos. Vuajti 15 vjet në burgun e Burrelit dhe u lirua vetëm në vitin 1991.

74.Halim Rramohito, Ka marrë pjesë në luftën nacionalçlirimtare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, deri në Bosnjë. Në luftë ka kryer këto detyra: Zëvendës komisar Batalioni dhe përgjegjës i rinisë së Brigadës së V-të partizane. Pastaj përgjegjës i Rinisë në Divizionin e V-të partizan. Në Kongresin e Parë të BRASH në gusht 1944 është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BRASH. Në dhjetëvjeçarët e pasçlirimit ka punuar në ushtri me detyra të ndryshme. Më 1948 emërohet Komisar Divizioni. Në shtator të vitit 1957 emërohem si përfaqësues ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Komandën e bashkuar të Forcave Ushtarake të traktatit të Varshavës, njëkohësisht dhe atashe ushtarak në Moskë. Mbaron Akademinë “Frunze”. Më 1966 ka kryer detyrën e Komisarit të Korpusit, më 1970 në krye të MKA (Mbrojtja Kundër Ajrore) e shtetit dhe më 1972 është zëvendës shef i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Në Kongresin e 4 të PPSH më 1961, është zgjedhur Kandidat i Komitetit Qendror të PPSH. Në Kongresin e 6 të PPSH më 1971, është zgjedhur Anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH. Nga viti 1974 deri në vitin 1990 ka vuajtur familjarisht kalvarin e punës së detyruar, të internimeve dhe të burgut, përfshi atë të sigurisë së lartë të Burrelit.

75.Sadik Bekteshi, komunist dhe komisar politik i çetës së parë partizane të qarkut të Shkodrës dhe i Brigadës së XXVII-të Sulmuese, Hero i Popullit. Pas mbarimit të luftës, në shkurt 1945, u emërua për pak kohë shef i Kabinetit Ushtarak të Komandës së Përgjithshme. Kreu Akademinë Ushtarake “Frunze” (1945-1950) dhe më pas Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Voroshilov” (1954-1957) në Moskë. Më 1969-1974 u emërua drejtor i Institutit të Kërkimeve Ushtarake. Në dhjetor të vitit 1974 u përjashtua nga radhët e Ushtrisë dhe nga PPSH dhe më 1975 u internua bashkë me familjen në fshatrat e Beratit. U arrestua më 1982 dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie. U lirua më 1990. / Memorie.al  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura