Lista e ALUIZNI: Legalizimet, familjet që marrin tapinë në Tiranë

Jan 19, 2018 | 13:17
SHPËRNDAJE

aluizniEmrat e 1370 familjeve që marrin tapinë në Tiranë, përfituesit në Kamzë e Vorë

Kreu i Qeverisë: Në qershor nis nga puna Agjencia e Titujve të Pronësisë. Kryeregjistruesi: Veting për të gjithë punonjësit

Vonesat e krijuara dhe shqetësimi i kahershëm, se janë jo pak, por më shumë se 28 mijë leje legalizimi të pahipotekuara, kanë bërë që Kryeministri Rama të paralajmërojë drejtorët e sapoemëruar të ZRPP-ve, se nëse zvarrisin procesin, do të duhet të firmosin aktin e dorëheqjes.

Sipas kreut të qeverisë, çdo leje e lëshuar nga ALUIZNI duhet të regjistrohet brenda afateve dhe jo të përfundojë sirtarëve, sikundër edhe ka ndodhur. Por ndërsa për 4- vjeçarin e parë, përgjegjësia për këtë situatë të krijuar, me qindra e mijëra praktika të mbartura, i kaloi aleatit, LSI, për këtë mandat të dytë ajo që dihet dhe është thënë me zë të lartë është se, në asnjë rast nuk do të tolerohen fajtorët, ata të cilët do të guxojnë të marrin peng procesin. Dhe kjo u bë e qartë që në ditën e parë të detyrës për 35 drejtorët e rinj të Hipotekës.

“Në momentin kur ALUIZNI thotë ‘legalizohet’, ke vetëm një detyrë, ta hipotekosh e jo ta mbash aty peng e ta mbash aty qytetarin, sikur është top ping-pongu. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Çdo kthim mbrapa i dosjes së certifikuar e të vulosur nga ALUIZNI, do të jetë letër dorëheqjeje e drejtorit të hipotekës; Kështu do të konsiderohet. Në momentin që ke pranuar që një dosje e tillë, në vend se t’i kthehet në hipotekë qytetarit, shkon prapë te ALUIZNI, kjo konsiderohet teksti yt i dorëheqjes”, tha Rama në takimin me drejtorët e rinj, ku ishin të pranishëm ministrja e Drejtësisë, Gjonaj, kreu i ALUIZNI-t Lame dhe kryeregjistruesi Semanaj.

REFORMA
Ndërsa nuk mohoi punën e mirë që është bërë tek ALUIZNI, Kryeministri iu kujtoi të gjithë titullarëve të pranishëm në takim, se janë në provë. “Provën nuk e keni me ndonjë parti, nuk e keni as me qeverinë, por e keni me popullin shqiptar dhe me publikun e me qytetarët që vijnë në dyert e hipotekave. Secili nga ju duhet ta ketë shumë të qartë, që duhet ta fitojë çdo ditë të drejtën për t’u paguar nga taksat e qytetarëve”.

Agjencia e Titujve të Pronësisë, institucioni që do të bëjë bashkë tri agjenci kyçe siç janë, ALUIZNI, Hipoteka dhe ATP, pritet të nisë nga puna në gjysmën e dytë të këtij viti. Në sajë të kësaj reforme të nisur, vuri në dukje Rama, do të marrin fund edhe torturat për qytetarët. “Kemi nisur procesin e reformës rrënjësore të sistemit të titujve të pronësisë dhe jemi besimplotë që deri në qershor do të kemi formësuar Agjencinë Kombëtare të Titujve të Pronësisë, që do të thotë, bashkimi i këtyre dy institucioneve dhe shërbim i unifikuar për qytetarët, për t’i dhënë fund njëherë e mirë atij ping-pongut të tmerrshëm, ALUIZNI ta jep, Hipoteka nuk ta njeh dhe ecejakeve pa mbarim të qytetarëve, sepse hipotekat preferojnë t’i bien shkurt. Në këtë aspekt, kjo është dhe sfida brenda sfidës e të gjithë drejtuesve të hipotekave”.

VETINGU
Në analizën vjetore të Hipotekës, kryeregjistruesi Elion Semanaj, tha se gjatë 6- mujorit të parë do të kryhet vlerësimi profesional dhe pasuror i punonjësve të saj. “Ky proces do të kryhet për një periudhë 6-mujore dhe do të përfshijë trajnimin profesional të të gjithë punonjësve të saj, sipas standardeve bashkëkohore, si dhe kontrollin e figurës së tyre, për sa i përket besueshmërisë dhe pastërtisë, duke përfshirë edhe vlerësimin pasuror të tyre, bazuar në të ardhurat personale dhe familjare”.

Për këtë vit synohet, sipas Semanajt, përfundimi 100% i regjistrimit fillestar sistematik kombëtar, krijimi i regjistrit elektronik publik të pasurive të paluajtshme të konsoliduar dhe përmirësimi i funksioneve të ZRPP-së. Për bizneset do të ofrohen edhe praktika të përshpejtura në mënyrë që të mos përballen me vonesa.

PËRFITUESIT
Vetëm një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t publikoi edhe listën e familjeve që kanë gati lejen e legalizimit në Kamzë dhe Vorë. Janë 1370 përfitues, që pasi të kenë tërhequr lejen, do të nisin edhe procedurat e regjistrimit në Hipotekë. E gjithë kjo praktikë, deri në pajisjen me tapi, ndiqet nga Agjencia e Legalizimit dhe, sipas udhëzimit në fuqi, procedurat duhet të përmbyllen brenda 10 ditëve.

Per te lexuar listen e plote klikoni ketu

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura