Vrasja e Mirit të Xhikes, Tufa lirohet pa mbaruar dënimin. Vendimi: Përfiton 20 muaj për sjellje të mirë

Apr 15, 2015 | 14:20
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës liron para kohe me kusht Lavdërim Tufën, të dënuarin me 20 vjet burg me akuzën e vrasjes së Fatmir Ramës, biznesmenit të njohur në Tiranë edhe me emrin “Miri i Xhikes”.

Lavderim Tufa

Duke zbardhur vendimin e Gjykates, “Panorama” shkruan se ‘një vendim i gjyqtares Enkeledi Hajro, i dhënë në datën 26 mars 2015, ka vendosur lirimin me kusht të Lavdërim Tufës’. Gjyqtarja është shprehur në vendim se urdhëron pezullimin e pjesës së mbetur pa vuajtur të dënimit prej 1 vit, 8 muaj e 10 (dhjetë) ditë burgim, për një kohë prove prej 4 (katër) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe i dënuari mos të kryejë vepër tjetër penale.

Po kështu, në vendimin e saj për pranimin e kërkesës është shprehur se urdhëron burgun e Fierit që të bëjë lirimin e Lavdërim Tufës. Dy nga provat kryesore që janë marrë në konsideratë në këtë vendim të Gjykatës duket se kanë qenë raportet e burgjeve, sipas të cilave i dënuari ka pasur sjellje të mirë dhe një kontratë punësimi.

Më saktësisht, Lavdërim Tufa ka paraqitur para gjykatës një vërtetim sipas të cilit ai do të punësohet në Lundër, menjëherë pas lirimit nga burgu. Prokuroria e përfaqësuar në proces nga Shanin Pasha, është shprehur dakord me kërkesën për lirimin me kusht të Lavdërim Tufës.

PROVAT E GJYKATËS
Në seancat gjyqësore të zhvilluara, Gjykata ka verifikuar vlerësimin e burgjeve për sjelljen e Lavdërim Tufës gjatë kryerjes së dënimit.

“Sipas vlerësimit të sjelljes së këtij të dënuari, përpiluar nga IEVP Vaqarr, Tiranë, datë 20.01.2015, rezulton se, gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit Lavdërim Tufa ka manifestuar sjellje shumë të mirë gjatë qëndrimit në burg. Ai nuk ka paraqitur rrezikshmëri shoqërore, duke u vlerësuar pozitivisht sa u takon kritereve për pjesëmarrjen në programet rehabilituese dhe vlerësimit mbi personalitetin”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas këtij vendimi, për shkak të sjelljes shumë të mirë, i dënuari ka përfituar disa leje shpërblyese nga IEVP, për të shkuar pranë familjes, duke respektuar të gjitha rregullat ligjore dhe administrative. Për këtë arsye, Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes së Burgut Vaqarr është shprehur se koha e vuajtur e dënimit e ka arritur qëllimin e riedukimit dhe rehabilitimit të të dënuarit.

Nga ana tjetër, në raportin vlerësues të Shërbimit të Provës të datës 19.03.2015 është arritur në konkluzionin se, nëse gjykata do të vendosë lirimin me kusht të kërkuesit Lavdërim Tufa, perspektiva e riintegrimit të tij në shoqëri është e konsiderueshme.

“Kërkuesi ka paraqitur një kontratë pune të datës 01.03.2015 me shoqërinë “Bio L”, me përfaqësues ligjor shtetasin Besnik Xh., i cili merr përsipër punësimin e Lavdërim Tufës, nëse Gjykata vendos lirimin e tij me kusht. Me vendim të datës 30.11.2011, Lavdërim Tufa është dënuar me 20 vjet burg në lidhje me ngjarjen e ndodhur në mars 2003 në zonën e Lundrës.

Tufa akuzohej për vrasje në rrethana cilësuese në dëm të shtetasve Fatmir Rama (Miri i Xhikes), Julian Durishti e Kristaq Cani, si dhe plagosjen e shtetasit Fatmir Rrapaj. Në vitin 2006, Tufa u dënua përjetë nga Krimet e Rënda, por më pas në vitin 2009 çështja e tij i kaloi Gjykatës së Tiranës, e cila e dënoi me 29 vjet burg. PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura