Lirimi i Endrit Dokles, neni që mund të ndryshojë burgimet e përjetshme

Jan 17, 2020 | 12:20
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Neni 65 i Kodit Penal është “drita në fund të tunelit” për të burgosurit me burgim të përjetshëm.1579034602_dokle

Duke iu referuar këtij neni, që parashikon se të dënuarit përjetë mund të kërkojnë liri me kusht nëse kanë vuajtur tre të katërtën e dënimit, gjyqtarja Enkeleida Hoxha vendosi të lërë në liri Endrit Doklen, i konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë.

Në një ankimim prej 8 faqesh, Prokuroria e Krujës, teksa shprehet se kishte humbur besimin se gjyqtarja Hoxha do të jepte një vendim të paanshëm, argumenton se pse Dokle nuk përmbush kriteret që parashikohen në nenin 65. Në çdo rast, thuhet në ankimim, lirimi i një të dënuari me burgim të përjetshëm bëhet në situata të jashtëzakonshme.Lulzim-Berisha-dhe-Endrit-Dokle

“Në çështjen objekt gjykimi rezultoi se kërkuesi nuk plotësonte kushtet e përmendura në nen, çka nënkupton se: nuk provohet ekzistenca e arsyeve të veçanta apo sjelljes shembullore, nuk ka vuajtur as 25 vite sipas ligjit para ndryshimeve dhe as 35 vite sipas ligjit në fuqi nga dënimi i dhënë. Në rastin konkret duhet hequr koha e përfituar me amnisti, rreth 5 vite, kështu që kërkuesi konsiderohet se ka vuajtur për efekt të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal rreth 20 vite, pra, nuk ka plotësuar kohën e vuajtjes së dënimit”, shkruhet në ankim.

GJYQTARJA

Kërkesa për përjashtim të gjyqtares Hoxha është bërë nga Prokuroria, pasi është njohur fakti se ka dhënë disa vendime të tjera në favor të kërkuesit. Në ankimim, Prokuroria thotë se mospranimi i kërkesës për përjashtim, ka bërë që të mos garantohet e drejta për një proces të rregullt. “Prokuroria ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, me arsyetimin se pasi është njohur me fashikullin e gjykimit ka rezultuar se i njëjti trup gjykues ka gjykuar kërkesa të tjera penale si ndryshimi i llojit të sigurisë së burgut, njohje paraburgimi, amnistisë, etj, dhe krijoi bindjen e plotë se ky trup gjykues ka paragjykuar çështjen.

Fakte këto që tregonin se kjo gjyqtare nuk krijonte besimin e duhur për të vazhduar të shqyrtonte këtë çështje. Gjykata ka rrëzuar kërkesën për të cilën nuk jemi njohur me vendimin e arsyetuar, por vlerësojmë se në këtë proces nuk u garantua e drejta për një proces të rregullt ligjor dhe të paanshëm”, shkruhet në ankim.

Gjyqtarja Enkeleida Hoxha
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha

RIEDUKIMI

Në lidhje me kushtin tjetër që duhet të plotësojë një i dënuar për të përfituar liri me kusht, atë të riedukimit, Prokuroria vlerëson se në rastin konkret nuk është plotësuar. “Në rastin konkret nuk ka fakte që qëllimi i dënimit penal është realizuar me riedukimin e tij. Së pari kërkuesi është dënuar për vrasje me paramendim dhe krime të tjera të rënda. Së dyti, i dënuari e ka kryer në bashkëpunim si dhe ka qenë pjesë e formacioneve të bashkëpunimit të veçantë si ‘grup i strukturuar kriminal’. Së treti, lidhur me qëndrimin që ai ka pasur ndaj veprës në përfundim të gjykimit, ka kërkuar pafajësi. Pra, nuk e ka pranuar veprën”, argumenton Prokuroria.

SHËRBIMI I PROVËS

Prokuroria, gjithashtu, thotë se edhe në lidhje me kohën e vendosjes në shërbim prove, Gjykata ka vendosur vendosjen në periudhë provë për 5 vjet, që është në kundërshtim me vendimin unifikues, sipas të cilit orienton gjykatat me efekt të detyrueshëm për zbatim: “Në mungesë të një rregullimi të saktë ligjor, koha e provës do të jetë e barabartë me kohën e mbetur të masës së dënimit me burgim, për të dënuarin që lirohet me kusht”. Pra, gjykata ka gabuar në zbatimin për analogji të kohës së caktuar, duke referuar parashikimet te neni 59 i Kodit Penal dhe ka caktuar në mënyrë joproporcionale dhe ligjore kohën e shërbimit në provë vetëm për 5 vite.

SHKELJET E KONSTATUARA NGA PROKURORIA

1. Shkelje procedurale me mospranimin e përjashtimit të gjyqtares Enkeleida Hoxha.

2. I dënuari nuk ka plotësuar kohën e vuajtjes së dënimit për të përfituar liri me kusht
Në rastin konkret nuk ka fakte që qëllimi i dënimit penal është realizuar me riedukimin e tij.

Së pari, kërkuesi është dënuar për vrasje me paramendim dhe krime të tjera të rënda.

Së dyti, i dënuari e ka kryer në bashkëpunim dhe ka qenë pjesë e formacioneve të bashkëpunimit të veçantë si “grup i strukturuar kriminal”

Së treti, lidhur me qëndrimin që ai ka pasur ndaj veprës në përfundim të gjykimit, ka kërkuar pafajësi. Pra, nuk e ka pranuar veprën.

3. Vendosja në provë për një periudhë prej 5 vitesh është e gabuar, pasi një vendim unifkues përcakton se koha e provës është e barabartë me dënimin e mbetur.

NENI

Në nenin 65 të Kodit Penal, ndryshuar paragrafi I, II me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008; ndryshuar me ligjin nr. 36/ 2017, datë 30.3.2017, sanksionohet se: Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. Vetëm në raste të jashtëzakonshme, i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura