Lirika religjioze e Gjergj Fishtës sipas modeleve popullore

Dec 30, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

At Gjergj Fishta krijoi mbi 50 000 vargje, mes të cilave përmbledhjen e lirikave religjioze Vallja e Parrizit, që përbën pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij. Poezia religjioze e Fishtës plotë- son binomin e krijimtarisë së tij për Fe e Atme.

At Gjergj Fishta
At Gjergj Fishta

Është një nga lëvrimet poetike që e ka shoqëruar gjatë poetin, thuajse gjithë jetës së tij, siç është dhe pjesa poetike më pak e lexuar e më pak e studiuar e krijimtarisë fishtiane. Paralelisht me përhapjen e krishterimit e gjykon Fishta lëvrimin e poezisë religjioze në Shinimet estetike, ku shkruan: “me t’perhapun t’fés s’krishtenë, poezija nuk do t’rrite gjithmonë shurdhë e fjetë; féja e krishtenë, fé rregllet e urdhnit, ja vuni caqet e natyrshme poezís e, tue e mbajtë nen hije t’vet, i dha nji jetë t’ré mâ t’gjallë e mâ t’kerthnesët se perpara, e cilla çak m’XIII qindvjetë tfaq e bâshme e e madhnueshme, sa me pershî qiell e tokë e ferr [Divina Commedia (Komedia Hyjnore)]…”.

HISTORIA E BOTIMIT

Vallja e Parrizit u botua për herë të parë në 1925-n, nga Shtypshkroja Françeskane, në Shkodër. Vëllimi përmbante 19 poezi dhe dy melodrama me argument fetar. Lirikat e këtij botimi bazohen në parimin tematik sipas kësaj strukture: Të kryqzuemit; Ngadhnija e Krygjës; Fjala e Zotit; Të zânunt e pafaj të së Lumes Virgjines Mrì; Të lèmt e Zojës; Nuncjata; Mater Dolorosa; Të grishun per muej të Majit; Urata e atdhetarit shqyptár; Engllit Rojës; Meshtari; Gurrave të Jordanit; Sh‘Françesku i Asizit; Meshtari i Malcis; Emni i Jezus; Shkodra Zojës; Zoja Shkodrës; Në të paren Meshë të nji Meshtarit të ri; Zêmrës së shugurueshme të Jezu Krishtit per pagjë t‘Europës; Barit e Betlemit, melodram; Sh‘Françesku i Asizit, melodram.

Më 1941-n, At Viktor Volaj, pas mbarimit të botimit të katërt të Mrizit të Zanave, ndërmori botimin e dytë të Valles së Parrizit. Për Volajn, më tepër se kërkesat për botimin e tekstit që s’gjendej më “ishte nevoja me i përmbljedhë më nja edhe ato poezí, me argument fetár, qi Poeti shkoi tue botue mâ vonë….” (Vallja e Parrizit, Shkodër, 1941). Duket se Volaj është treguar i kujdesshëm, si në rastin e përzgjedhjes së botimit të lirikave të Mrizit të Zanavet, në respektimin e kriterit gjinor.

Kjo ka qenë arsyeja që Volaj nuk përfshin në këtë botim dy melodramat me argument fetar të Fishtës Barit e Betlemit dhe Shën Françesku i Asizit, për t’i botuar më vonë si pjesë përbërëse të dramatikës. Mjaft poezi të botimit të ‘41 janë të shoqëruara me paratekste informativo-shpjeguese; janë shpjeguar po ashtu fjalë e shprehje të rralla poetike e nën titullin e secilës lirikë është dhënë viti i botimit të parë. Botimi i dytë ruan përmbajtjen dhe strukturën e të parit deri te njëzetë poezitë e para.

Ndryshon vetëm titulli i poezisë Zêmrës së shugurueshme të Jezu Krishtit per pagjë t‘Europës (bot. 1925), që në botimin e dytë del nën titullin e shkurtër Per paqe t‘Europës. Pjesë e këtij vëllimi janë edhe përkthimet që përmbante vëllimi Vjershat e Përshpirtshme, botuar më 1906-n. Në vijim të botimit të parë, si për të plotësuar lirikat religjioze të Fishtës, në këtë botim përfshihen poezitë:

Në ditë t‘emnit të nij françeskani Shqytár; Fuqija e Fjalës së tenzot; Krishti Mbret; Këshndellat (Manzoni); Të psuemit (Manzoni); rrshajët (Manzoni); Emni i Zojës (Manzoni); Zemrës së Zojës (Silvio Pellico); Shën Françesku i Asizit (mbas Zanellet); Dora e Mashtarís; Të damit e njeriut prej shekullit; De profudis; Pange lingua; Lam lucis orto sidere; Hyji (Metastasio); Nihma e Zotit (Metastasio); Urata e nadjes (Metastasio); Feja (Metastasio); Shpresa (Metastasio); Dashtnija; Zâni i Zotit (Metastasio). Është e rëndësishme të vërehet se tri poezi: Meshtari i Malcis; Per paqe t‘Europës; Gurrave të Jordanit, të botuara më parë te Mrizi i Zanavet, botohen dhe te Vallja e Parrizit. Volaj na njofton se këto poezi janë botuar me komente dhe shënime më të gjata, krahasuar me gjithë të tjerat. Kriteri gjinor i mundëson kuruesit të veprës së Fishtës që këto poezi të botohen në të dyja përmbledhjet me lirika të autorit.

PARATEKSTI BIBLIK

Titulli metaforik Vallja e Parrizit na sugjeron edhe leximin përmes shkrimeve të shenjta biblike. Shumicën e figurave, motiveve dhe ngjarjeve, Fishta i huazon nga Bibla, veçanërisht nga Besëlidhja e Re. Në disa prej lirikave religjioze dallojmë edhe shenja autobiografike, si në poezitë: Të lemt e Zojës, Emni Jezus, Të xanunt e pafaj të së lumes virgjines Mri, Nuncjata, Gurravet të Jordanit, Shën Francçesku i Asizit, Në të parën meshë të njij meshtari t‘ri etj.

Marrëdhëniet me shkrimet e shenjta biblike shkojnë në rrafsh të ligjërimit predikues, moralizues, kishtar si dhe në atë artistik. Në lirikën religjioze fishtiane zënë vend të veçantë Gurrave të Jordanit dhe ndonjë poezi tjetër. Poeti këndon, në masa të rregullta metrike, në 26 strofa safike, lumin e Jordanit, duke risjellë ndodhitë më me rëndësi të Testamentit të Vjetër dhe të Ri rreth tij.

Për Volajn, kjo poezi “shquhet për madhni paraqitjet e kumbim vargut, pa u randue me ndertime të nderlikume e tue i plotësue mendimet gati në çdo strofë.” (Gjergj Fishta: Lirika, Prishtinë, 1997). Për studiuesin Kosumi, krijimi në fjalë cilësohet “…himn për jetën tokësore dhe për devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit” (Lirika e Fishtës, 2004). Përkujdesja ndaj vargut, stili elegant, efektet akustike, si dhe puna e ngulët me gjuhën e afrojnë këtë grup poezish me poezitë e Mrizit të Zanavet, që i takojnë më shumë shkollës klasike e neoklasike.

Janë poezi që, duke e kaluar shenjën e paratekstit biblik në shenjë e figurë artistike, tejkalojnë idenë fetare, përcjelljen e porosisë dhe ligjërimin ideologjik moralizues e meshtar, tipar kryesor i pjesës më të madhe të krijimeve të tjera fetare të autorit, për t’u ngritur në majat artistike të këndimit të religjionit. Ligjërimi himnizues, fryma eterne, figura qiellore krejt e ndryshme nga ajo tokësore, që zotëron në përgjithësi poezinë e Fishtës, harmonia e raporteve Tokë–Qiell, adhurimi i Hyut, kultivimi i formës Gurrave të Jordanit si një nga krijimet religjioze antologjike.

Për nga organizimi metrik dhe forma e rregullt, si dhe nga treguesit e poetikës klasike, Gurrave të Jordanit i bashkohet dhe Ngadhnija e Kryqit dhe Të xanunit e pafaj të së lumes Virgjines Mri, Shkodra Zojës, Zoja Shkodrës e ndonjë tjetër. Është i dukshëm hieratizmi fetar si organizim tipik gjuhësor i teksteve të shenjta dhe poezisë së autorit. (Po, po, edhe sod aty të largtë shtegtarit,/ I a kallzon Frati atë t‘lânmen shpellë mjerimit; Edhe mbi at‘ vorr e bâ ai gjû‘n me e ulun, Kû Njai, prej s‘cillit jeta xû‘n m‘u rrekun).

Poezi të tjera, (Nuncjata, Ngadhnija e Kryqit, Fjala e Zotit etj.) fillojnë në formë tregimtare, përngjasuar me rrëfimet biblike po dhe me rrëfimet popullore. Një ditë nder dit atje n‘qytet t‘amshuem,/ Kur ene ky ligjë t‘randë mbarë dheut i vete,/ Nji Galileas, peshkatar i shuem,/ Atje po zete. (Ngadhnija e Kryqit). Me forma të tilla të ligjërimit religjioz lidhet rrëfimi si veçori epike e lirikës fishtiane. Në të vërtetë, prania e epikës në poezinë tonë, edhe në tekste të “pastra” lirike, është karakteristikë edhe për letërsinë romantike. Injac Zamputi vëren se në artin e Fishtës “nuk ka kufij të prerë midis epikës e lirikës, satirës e dramës.” (Fishta: koha, njeriu, vepra).

Ligjërimi (rrëfimi) religjioz moralizues, didaktik, predikues e dialogues, elegjiak a himnizues, ka të bëjë më tepër me rrëfimin e ngjarjeve që kanë ndodhur se sa me rrëfime të ndjenjave lirike. Motivi i lindjes së Krishtit me zanafillë mitike ndjek rrjedhë rrëfimi lirik si në Bibël. Treguesit e intertekstualitetit mund të hetohen në disa rrafshe, si ndërmjet treguesve kuptimorë (titulli, figurat), homogjenitetit leksikor dhe stilistik. (N. Piégay-Gros, Poetika e intertekstualitetit).

Ashtu si në rrëfimet e shenjta, rreth figurave biblike e simbolike rrëfehet ngjarja ose situatat, që në thelb ka të bëjë me përcjelljen e porosisë moralizuese. Më tepër se ta përpunojë paratekstin biblik, Fishta e këndon atë në rrjedhë kronologjike e fabulore. Personazhet biblike të Fishtës janë më shumë figura tokësore se qiellore, ato janë si njerëzit e zakonshëm me të mirat dhe dobësitë e tyre.

Duket sikur Fishta do t‘i laicizojë figurat e shenjta e t‘i afrojë me bashkëkohësit e bashkëkombësit e vet, për të bashkëbiseduar lirisht e për t‘u përcjellë atyre më drejtpërdrejt porositë të shenjta. Një pjesë e poezive fetare të Fishtës, si dhe krijimet e tjera të tij, u kushtohen datave dhe ngjarjeve të shënuara, figurave historike ose biblike, kështu, Gurravet të Jordanit u hartua me rastin e 700- vjetorit të themelimit të Urdhnit Françeskan,Në ditë t‘emnit të nji françeskani shqyptár, i kushtohet At Vinçenc Prenushit, Fuqija e fjalës së tenzot, u krijua në rasë të dekës së A. Engjëll Serreqit.

Një grup më vete përbëjnë lirikat religjioze, që lidhen drejtpërdrejt me rregullin fetar të së përditshmes, me shqiptarin dhe formimin e tij religjioz, me porositë morale dhe posaçërisht me Fishtën françeskan. Shpesh poezi të tilla rrëfejnë, në mënyrë lirike, ndodhi të shenjta për figura simbolike të shenjta, duke i mëshuar kuptimit simbolik të ndodhisë, si dhe mesazhit që përcillet përmes saj, bëjnë pjesë këtu Mater Dolorosa, Urata e atdhetarit shqyptar, Meshtari, Meshtari i malcis‘, Në të parën meshë të njij meshtari të rí, Në ditë t‘emnit të njij françeskani Shqyptar etj., ku dhimbja dhe elegjia i pranëvihen krenarisë dhe devocionit, e altruizmi i jetës tokësore dhe të përkohshme, i shpërblehet meshtarit me amshim në jetën e përhershme.

Edhe pse këto krijime nuk qëndrojnë në një nivel artistik me ato që përmendëm më lart, kjo tipologji e poezisë fetare të Fishtës ndërton poetikisht ideologjinë e tij religjioze për ta projektuar si format edukativ dhe kulturor dhe në popull. Ligjërimi himnizues, qëndrimi autorial, fryma e devocioni, janë tipare të përbashkëta me poezitë e grupit të parë. Është e rëndësishme të shënojmë që kjo tipologji e lirikës fetare të Fishtës e krijon figurën nga natyra dhe jeta tokësore e përditshme, duke u shkëputur nga figura qiellore e poezive të para.

Është veçori e Fishtës që si figurat mitologjike dhe ato biblike t’u japë karakter ktonik (tokësor), përmes krahasimeve dhe epiteteve të thjeshta mbiemërore, enumeracioneve dhe paralelizmave që modelohen nga jeta natyrore shqiptare: Si ajo vasha, qi mbi dritore/ Mban e rritë nji lule veret,/ E e flladitë e e vren perore, / Edhe e ruen breshnit e eret, (Engjllit Rojes); Nji fllad i ambel jete/ P‘r atë fushë, atë herë, pershkohet;/ Nisin eshtnat me u lvitun,/ Nisë ashti m‘asht t‘shartohet: (Fuqija e fjalës së Tenzot, Në rasë të dekës së A. Engjëll Serreqit, S. J.) Raportet e Fishtës me poezinë popullore vijojnë si konstante poetike dhe në poezinë e tij fetare.

Edhe pse motivet religjioze duket se shmangin këtë raport, Fishta u këndon praktikave dhe ndodhive fetare, si dhe në epikë, sipas modeleve të njohura folklorike. Disa lirika fillojnë si epika legjendare popullore dhe si mjaft këngë të Lahutës së Malcis’ apo të satirës së poetit. Struktura të tilla hyrëse, tipologjikisht epike dalin nga shtrati i lirikës fetare, madje nuk i takojnë asaj: Shkrepi dielli buzës s‘Cukalit/ U ndrit bora m‘Qafë t‘Rumís:/Kâ t‘këndojm, oj Zânë e malit?/ Kâ t‘levdojm nder djelm t‘Shqypnis?(Në ditë t‘emnit të njij françeskani Shqyptar A. V. Prennushit, O.F.M.) Përveç modeleve popullore të ndërtimit të figurës, strukturës metrike dhe, në përgjithësi, asaj bote tokësore ambientale që karakterizon mbarë poezinë e Fishtës, po shënojmë raste formulash urimi e mallkimi me burim popullor dhe biblik, si:

T‘falem, O Zojë!- Shqypníja/ Sot teper keq ka ngelun,/ Gjithkush po don me e shkelun, Urata e atdhetarit shqyptár Zojës së Këshillit të mirë; T‘falem, Jordan, qi neper qeperisa/ E neper hije t‘rrapavet t‘blerueshem/ P‘rherë i bekuem nder mota edhe nder fisa, / Rrjedhë i mdhnueshem! (Gurravet të Jordanit) Lirika religjioze e Fishtës kur propagandon e predikon, kur është në shërbim drejtpërdrejt të kishës katolike, veçanërisht asaj françeskane, shkon paralel funksionit letrar.

Ajo merr tiparet e një teksti të angazhuar, ideologjik, didaktik e edukativ, që mund të këndohet e recitohet fare mirë në koret e kishës. Si tekste mirë- filli religjioze, një pjesë e lirikave të Fishtës tentojnë kontaktin e drejtpërdrejtë me lexuesin (auditorin), duke iu drejtuar atij me thirrje profetizuese e duke përmbushur misionin e Fishtës si udhëtar hyjnor në tokë t‘bekueme, predikimin e besimin si Art.

LILI SULA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura