Liria e shprehjes përballë personalitetit të njeriut

Jul 1, 2020 | 10:16
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI xhezair-zaganjori

Më 19 maj të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e RF Gjermane shpalli katër vendime, të cilat kanë të bëjnë me katër kërkesa të ndryshme individuale të paraqitura në këtë Gjykatë, përmes së cilave kundërshtohen vendimet respektive të dënimit penal me gjobë të gjykatave të zakonshme gjermane, të cilat, në të gjitha rastet e mësipërme, kishin konstatuar se personat në fjalë kishin konsumuar veprën penale të “Fyerjes”, parashikuar nga neni 185 i Kodit Penal. Gjykata Kushtetuese e RFGJ, ashtu si mjaft gjykata homologe me reputacion kombëtar e ndërkombëtar, është marrë në fakt vazhdimisht me raportin e vështirë, të tensionuar e delikat ndërmjet lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së personalitetit të njeriut. Me zhvillimin spektakolar në vitet e fundit të shkencës dhe teknologjisë moderne, veçanërisht asaj të informacionit, ky raport është bërë gjithnjë e më i ndërlikuar e më sensitiv në jetën e përditshme. Gjykatat e kanë shpesh mjaft të vështirë të vendosin për epërsinë që merr në rastin konkret njëra apo tjetra prej këtyre të drejtave të rëndësishme kushtetuese. Pikërisht për këtë arsye, gjykatat e Larta dhe ato Kushtetuese në vendet me demokraci të zhvilluar, po tentojnë gjithnjë e më shumë të standardizojnë e unifikojnë praktikat gjyqësore, me fokus apo shqetësim kryesor zbatimin sa më mirë e në mënyrë të barabartë të garancive kushtetuese në këtë fushë. Me këtë frymë apo objektiv, ato po kontrollojnë edhe legjislacionin e ri mbi komunikimin dhe informacionin. Kështu, për shembull, pak ditë më parë, Këshilli Kushtetues (Gjykata Kushtetuese) francez mori një vendim shumë të rëndësishëm, duke deklaruar thuajse tërësisht si në kundërshtim me Kushtetutën Ligjin kundër Nxitjes së Krimit të Urrejtjes në Internet, i cili duhet të hynte në fuqi më 1 korrik të këtij viti (2020), pasi përmes një arsyetimi brilant, vlerëson se ai cenon lirinë e shprehjes, të garantuar nga neni 11 i Deklaratës Franceze mbi të Drejtat e Njeriut dhe të Qytetarit të vitit 1789. Ky vendim mjaft interesant mbase mund të bëhet objekt i një shkrimi tjetër, ndaj le të kthehemi te vendimet e Gjykatës Kushtetuese gjermane të datës 19 maj 2020. Duket qartë që Gjykata Kushtetuese gjermane qëllimisht shpall në të njëjtën ditë të katër vendimet. Në çështjen e parë ndalet më gjatë, duke përmbledhur në mënyrë shembullore standardet kryesore të jurisprudencës në vite të saj për këto çështje, mbi bazën e të cilave në mënyrë mjaft elegante përpunon e zhvillon koncepte e raporte të reja ndërmjet Lirisë së Shprehjes dhe Personalitetit Njerëzor. Ato e ndihmojnë më pas edhe në zgjidhjen e tri çështjeve të tjera. Në thelb, përmes këtyre vendimeve apo standardeve, ajo synon të forcojë edhe më shumë Lirinë e Shprehjes në tërësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për rëndësinë vendimtare të saj në procesin e kritikës dhe debatit politik, por pa harruar nga ana tjetër të vërë në dukje se në raste të veçanta mund të marrë përparësi edhe mbrojtja e Personalitetit Njerëzor, sidomos kur bëhet fjalë për fyerjet në rrjetet sociale. Për të kuptuar më mirë vendimmarrjen, le të përshkruajmë shumë shkurt dy nga rastet në fjalë, e më pas të japim elementet kryesore të vendimmarrjes respektive të Gjykatës Kushtetuese. Sqarojmë fillimisht se kur do të themi në vijim kërkuesi, duhet kuptuar se bëhet fjalë për personin që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi është dënuar penalisht me gjobë për “Fyerje” nga gjykatat e sistemit të zakonshëm gjyqësor.

Rasti i parë ka të bëjë me një person, i cili pas ndarjes me partneren ka probleme me atë lidhur me kontaktet e tij me vajzën e përbashkët. Çështja bëhet konflikt gjyqësor dhe gjykatat gjermane, për një sërë arsyesh, i mohojnë përfundimisht çdolloj kontakti me vajzën. Duke marrë shkak nga këto vendime, kërkuesi vendos disa herë në blogun e tij shënime apo komente të ndryshme e të përsëritura, me foto dhe me emrat respektivë të gjyqtarëve dhe personave të tjerë pjesëmarrës në proces (ekspertë e punonjës socialë..), të cilët ndër të tjera i cilëson si “kriminelë provincialë”, si “kriminelë antisocialë të sistemit gjyqësor”, si “njerëz pa ndjenja ndaj fëmijëve”, e të tjerë. Ai i akuzon ato gjithashtu se bëjnë të tilla krime, duke shpërdoruar pushtetin që u jep zyra dhe profesioni dhe se në vendimmarrjen e tyre në kundërshtim me ligjin, ato ishin ndikuar nga urdhrat që kishin marrë nga kryetari i Gjykatës së Apelit. Për këto deklarime, gjykatat Penale e dënojnë kërkuesin me gjobë për fyerje.

Rasti i dytë ka të bëjë me një person, i cili ka mosmarrëveshje me organet tatimore lidhur me pagimin e një takse. Në kuadër të këtij diskutimi, kërkuesi merr një letër të nënshkruar personalisht nga ministri i Financave të Landit, Nordrhein Westfalen, me qendër në Dusseldorf, në të cilën ndër të tjera thuhet se “… pagesa e taksave nuk është shaka, pasi ato janë shumë të rëndësishme. Shërbimet publike, mbi të cilat mbështetemi dhe i duam të gjithë, nuk janë falas…”. Por kërkuesi u drejtohet sërish me një letër autoriteteve tatimore, në të cilën kundërshton taksën, duke theksuar më tej ndër të tjera se “…për aq kohë sa qeveria e majtë do t’i trajtojë çështjet në mënyrë diletante, ashtu siç bën edhe shoku ministër i Financave në Dusseldorf, në rastin më të mirë, autoritetet tatimore do të vazhdojnë t’i konsiderojnë të drejtat themelore të qytetarëve vetëm si rekomandime me natyrë jodetyruese apo si gabime thjesht editoriale të ligjvënësit”. Bazuar në këtë deklarim, gjykatat Penale e dënojnë kërkuesin me gjobë për fyerje, pasi theksojnë se ai e kapërceu kufirin e lejuar, duke cenuar nderin dhe personalitetin e ministrit të Financave…

Në arsyetimin e saj mbi standardet e gjykimit të deklarimeve abuzive në tërësi, Gjykata Kushtetuese thekson që në fillim rëndësinë e madhe që ka në një shoqëri demokratike liria e shprehjes, e përcaktuar që në fjalinë e parë të paragrafit të parë të nenit 5 të ligjit themelor, ku thuhet se “Çdo person ka të drejtën e shprehjes së lirë dhe të përhapjes së mendimeve të tij me gojë, me shkrim …”, dhe se dënimi penal për deklarime në kuadër të ushtrimit të kësaj të drejte ndërhyn qartësisht në lirinë e shprehjes, prandaj, zbatimi në këto raste i dispozitave respektive të Kodit Penal duhet t’u nënshtrohet standardeve kushtetuese.

Për këtë qëllim, Gjykata Kushtetuese sqaron për herë të parë mjaft mirë dhe qartë se deklarimet abuzive të personave të ndryshëm mund të klasifikohen sipas rastit në katër vepra të ndryshme penale: si Fyerje; si Shpifje; si Sharje; dhe si Cenim të Dinjitetit Njerëzor. Sigurisht që asaj i intereson të ndalet më gjatë te vepra penale e fyerjes, e cila realizohet përmes thënieve apo veprimeve që synojnë dëmtimin e qëllimshëm të nderit apo personalitetit të një personi tjetër, pasi kjo vepër penale ndeshet më shpesh dhe paraqitet më e ndërlikuar në jetën e përditshme, veçanërisht në politikë dhe në jetën publike. Tri veprat e tjera penale, Shpifja, Sharja dhe Cenimi i Dinjitetit, megjithëse vepra më të rënda se ajo e Fyerjes (e për këtë arsye me sanksione më të ashpra), konsiderohen prej saj si më të qarta e me më pak probleme. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese thekson se deklarimet abuzive mund të klasifikohen si Shpifje në rastet kur vlerësohet që përmes tyre synohet dëmtimi i personalitetit apo imazhit të dikujt, duke e ditur qartësisht që informacioni apo thëniet e përdorura janë të rreme. Sipas saj, në këtë rast, deklarimeve u mungon krejtësisht lidhja me çështjen konkrete që diskutohet, por përmes tyre, për shkak të debateve apo mosmarrëveshjeve të mëparshme, kërkohet thjesht vetëm denigrimi apo poshtërimi i qëllimshëm i personit të prekur, pa pasur në rastin konkret asnjë arsye për ta bëre një gjë të tillë. (Kjo formë e deklarimit abuziv bëhet shumë aktualisht edhe përmes internetit).

Vendimi vë në dukje nga ana tjetër se deklarimet mund të konsiderohen si Sharje, në rastet kur thjesht përdoren fjalë të rënda mallkimi apo sharjeje të rëndomtë e banale, të cilat anë në vetvete jonormale. Ato konsiderohen si rregull tabu nga ana sociale dhe normalisht janë të papranueshme për moralin e gjithëpranuar shoqëror. Nga ana tjetër, përdorimi i këtyre fjalëve nuk ka lidhje me faktet në diskutim, por thuhen thjesht për të sulmuar e denigruar një person apo grup të caktuar personash. Siç shihet, në këtë rast faktor përcaktues është forma e veçantë (pra, fjalët e përdorura) e deklarimit abuziv.

Lidhur me paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor, Gjykata Kushtetuese gjermane ka një jurisprudencë mjaft të plotë e të larmishme, një pjesë e së cilës është “transferuar” edhe në jurisprudencën e gjykatave Kushtetuese simotra, në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Drejtësisë apo edhe në atë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Është më se e qartë që cenimi i kësaj të drejte themelore, garantuar nga neni 1 i Kushtetutës gjermane, mund të bëhet edhe përmes keqpërdorimit të Lirisë së Shprehjes. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton megjithatë shprehimisht se ky standard do të merret në konsideratë vetëm nëse deklarimi abuziv prek drejtpërsëdrejti një person konkret, duke cenuar rëndë personalitetin e tij (parag. 22 i vendimit)

Përsërisim se një analizë të tillë Gjykata Kushtetuese e bën me qëllimin e qartë për t’i dalluar këto tri vepra penale (Shpifjen, Sharjen dhe Cenimin e Dinjitetit Njerëzor), me Fyerjen. Sipas saj, vetëm në rastin e Fyerjes, lind normalisht nevoja e analizës së detajuar për të bërë balancimin e kujdesshëm të të gjithë interesave konkrete që preken në raportin mes Lirisë së Shprehjes dhe Personalitetit të Njeriut. Ky raport, shoqëruar më pas me testin e proporcionalitetit, është përcaktues për të arritur në konkluzionin nëse kemi ose jo ezaurim të veprës penale të Fyerjes. Në tri rastet e tjera, ajo thekson se në këndvështrimin formal, liria e shprehjes cenohet qartësisht nga deklarimet abuzive respektive. Pikërisht për këtë arsye, ajo thekson se në këto raste ka rëndësi vendimtare kualifikimi i qartë, i kujdesshëm, objektiv e ligjor i deklarimeve si Shpifje, si Sharje apo si Cenim të dinjitetit njerëzor, për të ndalur me pas vetëm në testin e proporcionalitetit, pa pasur nevojë të bëhet balanca e interesave mes lirisë së shprehjes dhe personalitetit të individit.

Për sa më sipër, vendimi vë në dukje se në çdo çështje konkrete që ka të bëjë me deklarimet abuzive, fillimisht gjykatat e zakonshme duhet të sqarojnë nëse jemi apo jo para rastit të shpifjes, të sharjes apo të cenimit të dinjitetit njerëzor. Përgjithësisht janë shumë të pakta rastet kur konstatohet se jemi para njërës nga tri veprat e mësipërme penale. Prandaj, pasi kalohet kjo fazë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjykatat e zakonshme duhet të ndalen për të analizuar në hollësi akuzën e paraqitur në funksion të vlerësimit ose jo të saj si fyerje. Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese thekson se ato duhet të përcaktojnë para së gjithash rrethanat dhe situatën specifike në të cilën janë bërë deklarimet, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët relevantë që janë të lidhur ngushtësisht si me lirinë e shprehjes, ashtu edhe me personalitetin e njeriut. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese, në varësi të situatave të ndryshme që mund të paraqiten, liston edhe disa nga faktorët më tipikë në këtë drejtim. Mes të tjerave ajo përmend nevojën e sqarimit të përmbajtjes së fjalëve apo shprehjeve të përdorura, efektet e tyre në personalitetin e individit të prekur, si dhe gjendjen emocionale të deklaruesit. Sipas saj, e rëndësishme është që nga i gjithë ky proces të qartësohet sa më mirë fakti i rëndësishëm që fjalët e përdorura me gojë apo me shkrim, bëhen normalisht në kuadër gëzimit apo ushtrimit të lirisë individuale të shprehjes, apo thjesht synojnë cenimin e personalitetit ose reputacionit të individit të prekur. Pikërisht për këto arsye, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet se liria e shprehjes dhe raporti i saj me personalitetin e njeriut marrin rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe një dimension krejtësisht tjetër në fushën e politikës dhe të veprimtarisë publike. Sepse është pikërisht liria e shprehjes, ajo që e mbush me oksigjen dhe që garanton realisht krijimin e një rendi shtetëror të lirë e demokratik. Prandaj mendimet, kritikat ose çdo lloj prononcimi i lirë i çdo qytetari për çështjet politike e publike janë në fakt, edhe synimi kryesor apo qendra e gravitetit të lirisë së shprehjes në tërësi.

Duket qartë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka parasysh gjithashtu, edhe realitetin e ri të zhvillimit galopant të medias sociale, e cila krahas efekteve të dukshme tepër pozitive në drejtim të krijimit të kushteve edhe për publikun e gjerë që të shprehet lirisht për çështje të rëndësishme publike e politike, ajo mund të bëhet nga ana tjetër edhe shkak për reagime të dhunshme dhe nxitjen e konflikteve e të urrejtjes mes individëve, kategorive apo grupeve të caktuara të njerëzve. Prandaj, për zvogëlimin e efekteve negative apo të keqpërdorimit të lirisë së shprehjes në raste të tilla, Gjykata Kushtetuese përpunon për herë të parë një parim apo formulë të re vlerësimi, të quajtur “aq më shumë”, sipas së cilës “sa më shumë që deklarimi synon të kontribuojë në krijimin e lirë të vullnetit politik e debatit publik, aq më shumë vlerësohet që ka peshë në rastin konkret edhe liria e mendimit dhe e kundërta, sa më shumë që deklarimi kërkon thjesht denigrimin e individëve të caktuar pa kontribuar në krijimin e vullnetit politik apo publik, aq më pak merr peshë edhe kjo liri” (pra liria e mendimit).(parag. 29 i vendimit). Kjo do të thotë që, pavarësisht se duhet nxitur debati dhe kritika ndaj punës dhe veprimtarisë së zyrtarëve publikë, duhet pasur parasysh gjithashtu që të mos lejohen fyerje të personalizuara që cenojnë rëndë nderin, dinjitetin dhe personalitetin e individit, sepse nën petkun e lirisë së shprehjes nuk mund të lejohet çdo lloj abuzimi me të drejtat e tjera themelore (parag. 32 i vendimit). Vendimi thotë gjithashtu, që ky kujdes dhe kjo vetëpërmbajtje duhet të tregohen sidomos në rastin e deklarimeve me shkrim, gjë që siç përmendëm më sipër, vlen edhe për shkrimet apo komentet në rrjetet sociale. (paragr. 33 i vendimit). Por megjithatë, aty lihet të kuptohet se në baraspeshimin e të drejtave të njeriut nuk ka dhe nuk mund të ketë një raport asimetrik. Asnjëra nga dy të drejtat themelore që vihen në diskutim në këto raste, pra liria e shprehjes dhe personaliteti i individit, nuk ka automatikisht përparësi ndaj së drejtës tjetër. Përgjithësisht, në çdo start apo konflikt mes tyre ka në fillim një simetri bazike apo themelore, e cila nuk garanton asnjë lloj avantazhi, por që më pas, në varësi të analizës së situatës konkrete, veçanërisht në funksion të interesit publik, ajo mund të transformohet gradualisht në një lloj asimetrie në favor të lirisë së shprehjes, duke pasur parasysh vendin dhe rolin që ka në kushte normale fjala e lirë. Po në këtë kuadër, vendimi përmend se sipas rastit konkret, ka rëndësi të përcaktohet gjithashtu edhe pozicioni politik apo publik i personit ndaj të cilit drejtohet deklarimi abuziv. Sepse normalisht që, ndryshe paraqitet situata që krijohet mes lirisë së shprehjes dhe personalitetit individual kur objekt i deklarimit është një person i rëndësishëm politik apo publik dhe ndryshe kur objekt i këtij deklarimi është një nëpunës i nivelit të ulët, që ka një pushtet publik apo partiak të parëndësishëm apo shumë të kufizuar.

Interesant janë edhe orientimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e rrethanave të bërjes së deklarimeve abuzive. Sipas tij, ka shumë rëndësi të dihet nëse ato janë bërë me gojë gjatë një debati të nxehtë dhe pa paramendim, apo me shkrim në mënyrë të qëllimshme e të paramenduar. Sipas Gjykatës Kushtetuese, liria e shprehjes do të cenohej veçanërisht rëndë nëse njerëzve do t’u kërkohej të peshonin gjithnjë me shumë kujdes çdo fjalë apo deklarim që mund të bënin gjatë një bisede, debati apo diskutimi. Po kështu, rëndësi ka edhe fakti nëse me deklarimin njihet vetëm një grup i vogël njerëzish apo ato, pra deklarimet, janë vetiu në dispozicion të publikut të gjerë, ashtu siç është edhe rasti i medias sociale.

Duke pasur parasysh standardet e përmendura më sipër lidhur me shqyrtimin e veprës penale të fyerjes, Gjykata Kushtetuese merr edhe vendimet përkatëse për dy çështjet e përmendura më sipër, duke theksuar ndër të tjera.

Për çështjen e parë, ajo thotë që në fillim se nuk jemi para shpifjes, sharjes apo cenimit të dinjitetit njerëzor, por para vlerësimit të veprës penale të fyerjes, pasi, ndër të tjera, deklarimet abuzive kanë lidhje me faktet apo konfliktin konkret mes kërkuesit dhe personave të prekur nga deklarimet e tij. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese konsideron të plotë baraspeshimin në rastin konkret nga gjykatat e zakonshme penale të të gjitha elementeve që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe me mbrojtjen e personalitetit të gjyqtarëve dhe të personave të tjerë të përfshirë në proces, duke arritur mbi këtë bazë në konkluzionin se në rastin konkret, e drejta e personalitetit të këtyre personave mbivendoset qartësisht mbi lirinë e shprehjes së kërkuesit. Aty sqarohet mjaft mirë që kritika ndaj personave që ushtrojnë pushtet publik, si dhe “lufta për të fituar të drejtat personale”, ashtu siç vepron kërkuesi, nuk duhet të lënë mënjanë në mënyrë të paarsyeshme nderin personal të personave zyrtarë, aq më tepër që deklarimet abuzive të kërkuesit nuk kanë aspak lidhje me interesat e tij substanciale. Përmendet gjithashtu që, deklarimet kanë qenë të përsëritura; janë bërë me një ton akuzues; që ato ekspozojnë qartësisht personat e prekur, pasi paraqiten me foto dhe me emra konkretë dhe se botimi online i ka bërë parimisht deklarimet të aksesueshme për publikun e gjerë. Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese e konsideron vendimin e dënimit me gjobë të kërkuesit për veprën penale të fyerjes në përputhje me urdhërimet kushtetuese.

Për çështjen e dytë, gjithashtu, Gjykata Kushtetuese konstaton se nuk jemi para shpifjes, sharjes apo cenimit të dinjitetit përmes deklarimeve të bëra nga kërkuesi. Prandaj edhe në këtë çështje, sipas saj, duhej të ishte bërë me kujdes balanca faktike e interesave mes lirisë së shprehjes së kërkuesit dhe personalitetit të personave të prekur, gjë që vlerësohet se në këtë rast nuk është bërë siç duhet nga gjykatat penale. Gjykata Kushtetuese thekson që konkluzionet e tyre dhe dënimi i kërkuesit për fyerje janë bërë praktikisht në mënyrë krejtësisht abstrakte. Ajo përmend ndër të tëra se si ka mundësi që pa bërë një analizë të hollësishme e konkrete, është vlerësuar prej tyre që interesi i mbrojtjes së personalitetit të ministrit të Financave qëndron mbi një sërë faktorësh të konsiderueshëm, që lejojnë apo mbështesin parimisht të drejtën e kërkuesit për t’i bërë këto deklarime, sepse ai pretendon që taksa që duhet të paguajë nuk bazohet në ligj. Gjykata Kushtetuese vë në dukje gjithashtu se për marrjen e vendimit, gjykatat penale duhet të kishin evidentuar qartësisht përmbajtjen reale, arsyet, motivet dhe efektet e deklarimeve të kërkuesit. Gjithashtu, ajo thekson se ato nuk kanë parasysh nga ana tjetër që veprimet politike të ministrit të Financave, ashtu si të çdo nëpunësi të rëndësishëm që kryen detyra shtetërore, janë dhe duhet të jenë normalisht të ekspozuara ndaj publikut, ashtu siç janë edhe aftësia, kompetenca dhe angazhimi i tyre zyrtar, gjë që nuk mund të kërkohet me kaq hollësi për njerëzit e zakonshëm. Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se vendimi në fjalë i dënimit me gjobë të kërkues it për veprën penale të fyerjes duhet të shfuqizohet.

Sigurisht që vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese do të jetë mjaft i vlefshëm në të ardhmen për të gjithë sistemin gjyqësor gjerman, sepse përmes tij vlerësohet me të drejtë se standardizohen qartësisht elementet esenciale, që janë të nevojshme për të vlerësuar sipas rastit konkret përparësinë e njërës nga të dy këto të drejta themelore, lirisë së mendimit dhe të drejtës së personalitetit, të cilat ballafaqohen qartësisht me njëra-tjetrën në rastet e gjykimit të veprës penale të fyerjes.

Shqipëria në fakt ka nevojë urgjente jo vetëm për një rregullim ligjor më të përshtatshëm e bashkëkohor të këtyre çështjeve, por edhe për një jurisprudencë më të qartë e më të standardizuar për gjykimin e deklarimeve abuzive. Pa dyshim që në këtë drejtim pritet një rol më i madh dhe më i dobishëm i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese. Situata e gjertanishme ka qenë mjaft e mjerë. Mungesa për shumë vjet e kompetencës së Gjykatës Kushtetuese për të trajtuar kërkesat individuale për këto probleme, si dhe trajtimi i çështjeve më sensitive të fyerjes dhe shpifjes përmes juridiksionit fillestar të Gjykatës së Lartë, nuk kanë krijuar aspak mundësinë për zhvillime jurisprudenciale dhe doktrinare në këtë fushë. Për më tepër, edhe ato pak vendime që ka Gjykata e Larte mbi këtë temë, evidentojnë qartë dhe shpesh kontradiktoritetin e tyre dhe tendencën e dukshme për të vendosur thuajse gjithnjë në favor të njerëzve me pushtet dhe në pushtet në momentin e dhënë, pa i kushtuar vëmendjen e duhur mbrojtjes së lirisë së shprehjes, aq e domosdoshme e ndoshta edhe jetike për demokracinë si formë e qeverisjes. Në një vend me institucione të brishta dhe të kaluar diktatoriale si Shqipëria, dimensioni i kësaj lirie duhet të garantohet realisht dhe në mënyrë sa më efektive në jetën e përditshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura