Liria e qarkullimit dhe e drejta për siguri

Mar 19, 2020 | 12:40
SHPËRNDAJE

pellumb nako

NGA PËLLUMB NAKO

Këto ditë të vështira dhe të shumë komentuara për shkak të koronavirsit kanë nxjerrë në dritë shumë debate e analiza të cilat përfshijnë komponentët e hallkave shtetërore  në raport me shëndetin publik,  të rolit të Kryeministrit, për mënyrën sesi po e menaxhon situatën e krijuar, për problemet sociale, ekonomike që po krijon epidemia dhe do të vazhdojë më pas.

Në thelb askush nuk ka eksperiencë në menaxhimin e situatave të tilla, as Kryeministri. Ndaj dhe mendimi shumëdisiplinor me shumë aktorë të të gjitha fushave sociale do të ishte zgjidhja më e mirë. Sepse komplikacionet e epidemisë kapin gjithë qelizat përbërëse të shoqërisë. Dhe të gjitha duhen analizuar e saktësuar pavarësisht prioritetit absolut, atij të kontrollit të epidemisë. Përqeshja ndaj propozimeve publike të bëra nga opozita në këtë rast mbetet mosdije, frikë nga mendimi alternativ. Situata të jep pamjen e skenave të teatrit absurd të Beketit ku virusit nuk i njihet mjekimi, nuk dihej nëse do të vinte dhe as kur do të vinte. Dhe të gjithë prisnin. Ndër ata që prisnin spikati qeveria. Nëse tek drama e Beketit ai që pritej nuk erdhi, tek ne ndodhi e kundërta, epidemia erdhi.

Në debatet e bëra publike nuk ka munguar as tematikat lidhur me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut siç është liria e qarkullimit në kuadrin e vendosjes së popullatës në gjendje karantine apo të kufizimeve me orar të qarkullimit urban. Madje ka pasur edhe shkrime që i referohen kushtetutës së vendit tonë në mbrojtje të lirive të njeriut dhe për mënyrën sesi duhet kufizuar ajo. Dihet që liria e qarkullimit mbetet një nga shtyllat e ndërtimit të shtetit modern së bashku me liritë e tjera të garantuara edhe në kushtetutën e vendit tonë.

Ndërkohë akti ligjor që kufizon levizjet për shkak të koronavirusit pranohet duke u komentuar si zgjerim i sigurisë në kuriz të lirisë së qarkullimit duke i vendosur të dyja në përplasje.  Edhe publikisht në komunikimet mediatike ka ankesa lidhur me kufizimet në fjalë.

Në fakt po të shihen me vëmendje zhvillimet e fundit në këtë fushë, do të dallohej se ka mjaft politologë e filozofë të cilët edhe sigurinë nuk e shohin si antagoniste me lirinë, por si zgjatim të njëra-tjetrës. Sigurinë e konsiderojnë si një vlerë paraprake e cila kushtëzon gëzimin e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut. Sipas tyre, është detyrë e shtetit që të garantojë integritetin fizik të shtetasve të tij duke neutralizuar kërcënimet prej të cilave vijnë. Pra në thelb ka një ekuilibër ndërmjet lirisë së qarkullimit dhe sigurisë ku në situata të caktuara, si ajo që po kalon aktualisht vendi ynë, siguria e ofruar garanton ekuilibrin e duhur. Ky është pra fenomeni në parim dhe për këtë qytetarët tashmë janë të bindur. Problem mbetet aplikimi i këtyre parimeve në rrafshin konkret të vendi tonë.

Pra në aspektin praktik të mbajtjes së ekuilibrit ndërmjet sigurisë dhe lirisë së qarkullimit mbetet fakti se  siguria nuk mund të jetë një formë kapitullimi e komunitetit në përfitim të shtetit apo të një ideologjie e cila i konsideron individët si “ objekte” për t’u administruar. Është ajo që pikërisht po ndodh në vendin tonë. Kryeministri i konsideron qytetarët e tij si objekte për t’u administruar dhe nxjerr pa pushim dekrete, urdhëra, akte të tjera pa asnjë referencë ligjore. Ligji është vetë ai. Folizofia që udhëheq mendimin e tij mbetet e pandryshuar. Të gjithë sytë tek ai, kush nuk do, do ta bëjë me zor. Dhe për këtë gjë përdoret gjithë moria e forcave policore  së bashku me gjobat e rastit që nuk mungojnë asnjëherë.

Ndërkohë parimi mbi të cilin mbështetet ekuilibri ndërmjet lirisë dhe sigurisë përcakton para së gjithash se “ siguria duhet të jetë një teknikë e shtetit për të siguruar bindjen vullnetare, ndershmërinë e “objekteve” sepse e kundërta, siç vepron kryeministri, përmban embrione të një rreziku me orientim fashist.” Pra në atë që bën kryeminsitri duket qartë që ai  nuk mer as mundimin më të vogël  që dikush në emër të tij ( se vetë shumë ka thënë) t’u japë një shpjegim masave të ndërmarra prej tij, në mënyrë që popullata t’i zbatojë vendimet qeveritare jo si frikë ndaj gjobave, por e ndërgjegjësuar se ky hap është në dobi të saj.  Sepse për qeveria nuk bëhet fjalë dhe këtë ai as që mundohet ta fshehë. Sigurisht, si i pari i këtij vendi, edhe përgjegjësia e parë është për të dhe në këtë drejtim ka shumë të drejta. Por e drejta kur teprohet, kalon automatikisht në duart e kujt është përballë.

Deri tani në rreshtat e mësipërm i jemi referuar vetëm parimeve mbi të cilat mbështetet ekuilibri siguri –liri qarkullimi në aktet e nxjerra nga qeveria. Parime këto mbi të cilat është mbështetur legjislacioni i vendeve të përparuara demokratike. Por ndërkohë që në vendin tonë, kemi një Kryeministër që shkel kushtetutën për natyrën e akteve që nxjer, duket pak e tepruar të pretendosh që veprimet e tij të respektojnë filozofinë mbi të cilën mbështeten ligjet demokratike.

Kjo sepse në fushën e sigurisë ka mangësi të mëdha ligjorë në vendin tonë, sidomos në përcaktimin e koncepteve të cilat zbërthehen në akte ligjore të administratës. Aktualisht nuk egziston në asnjë nen të kushtetutës detyra e shtetit për të garantuar “sigurinë publike.” Po ashu në mënyrën më paradoksale kemi një ligji legjendar për Policinë e Shtetit ku këtij institucioni i ngarkohen detyra për rendin dhe sigurinë publike dhe ndërkohë nuk ka asnjë përkufizimi ligjor se çfarë është “rendi publik”, çfarë është “ siguria publike”.  Për rjedhim policia është kthyer në një lloj institucioni si çelës për gjithçka pasi gjithçka synohet të zgjidhet me forcë e shtrëngim e jo me bindje sociale. Është pikërisht ky kaos ligjor që nuk ka diku të përcaktuar se cili ësht autoriteti i sigurisë publike që ka për detyrë nxjerrjen e akteve administrative për të garantuar teknikisht raportin sigur-liri qarkullimi  dhe që kjo mungesë i jep policisë fuqi të njëjta me shtetet policore.

Gjithçka e denjë për një princ të gjullurdisë shfaqet në kohë krizash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura