Liri pa demokraci!

Dec 9, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

BISLIM AHMETAJ

BISLIM AHMETAJ

25 vite më parë, dy gishtat e ngritur në formë V-je dhe thirrjet “Liri-Demokraci” sollën mëngjesin e zgjimit dhe shenjat e para të lirisë për popullin shqiptar. Shqipëria e rënë pas Luftës së Dytë Botërore, në skllavërinë më poshtëruese e rrënuese të ndodhur ndonjëherë në historinë e saj, gjendej në fund të vitit 1990 e falimentuar ekonomikisht, e izoluar, e mbushur me burgje e kampe përqendrimi. Deri edhe kampuset e studentëve u ngjanin burgjeve, pasi numri i rojeve, i agjentëve të sigurimit, policëve e komisarëve të edukimit u rrit me shpejtësi.

Në këtë përvjetor, si ish-pjesëmarrës dhe drejtues të asaj Lëvizjeje, ne vijmë me shumë krenari për atë që kemi bërë, për shërbimin që i kemi bërë atdheut në ato ditë, për kujdesin dhe vendosmërinë e treguar që liria jonë të vinte e papërgjakur, të vinte e plotë dhe e vyeshme për të gjithë. Jo më kot, fjala LIRI qe e para në binomin e thirrjeve që dilnin nga zemrat tona. Liria është kushti i parë i domosdoshëm, është fidanishtja e shpresave dhe ëndrrave, është motori energjik që çon përpara një shoqëri njerëzore. Një komb i skllavëruar, është një komb i mjerë, një njeri i robëruar nuk është më asgjë, aq më pak shëmbëlltyrë e Zotit mbi tokë. Liria, pra, ishte dhe mbeti synimi thelbësor i Lëvizjes Studentore.

Në këtë perspektivë, po të shihet sot udhëtimi ynë, do të afirmonim me krenari se Shqipëria, nga një vend i njerëzve të skllavëruar, është sot vend i njerëzve të lirë. Liritë themelore janë fituar e ruajtur, edhe pse shpesh në rrezik nga rotacione të vështira qeverisjesh, apo nga agresione grupesh me prirje të afërta me juntën e diktaturës. Liria e besimit dhe fjalës, e lëvizjes dhe iniciativës së lirë, e organizimit dhe pjesëmarrjes në jetën politike, pluralizmi dhe ekonomia e tregut, ndarja e pushteteve dhe krijimi i shoqërisë civile. Shumëkush është i pakënaqur me nivelin, me cilësinë e këtyre lirive. Unë që po ju flas, jam njëri prej tyre.

Por, duke qenë dëshmitar i pikës së nisjes, jam i ndërgjegjshëm për hapat e mëdhenj që janë bërë, për ndryshimet e thella që kanë ndodhur. Shqipëria komuniste ishte Shqipëri e togerëve të kuq, që digjnin burra e përdhunon gra. Ishte vend i rrethuar me tela me gjemba, ku puna nuk ishte nder për çdo njeri, siç është kudo në botë, ishte punë e detyrueshme në kushte çnjerëzore, ishte punë si ajo e kampeve të shfarosjes të kohës së nazizmit. Shqipëria komuniste ishte atdhe i frikës dhe çoroditjes, ishte atdhe i spiunimit masiv dhe shpëlarjes masive të trurit, i vrasjeve, burgosjeve, internimeve.

“Ferma e Kafshëve” e Xhorxh Oruellit, kjo prozë brilante antitotalitariste, është gjithsesi një tekst i zbehtë krahasuar me realitetin e Shqipërisë së asaj kohe. Lirinë që fituam në fillim të viteve 1990, do të na duhej ta mbillnim pikërisht në këtë tokë, që përshkrova më sipër. Ja sepse shpesh liria jonë ka sjellë fryte të hidhura. Mijëra njerëz të bllokuar prej dekadash në vendlindjet e tyre rrëpirave, honeve, grykave të maleve të atdheut, përfituan nga liria për t’iu afruar qyteteve të mëdha.

Qeverisjet e njëpasnjëshme, disa nuk qenë të zonjat të akomodojnë një lëvizje të tillë, të tjerat u treguan armiqë- sore dhe menduan zgjidhjen te vendosja e postblloqeve. Liria e këtyre njerëzve për të lëvizur, dëmtoi lirinë e të tjerëve për të gë- zuar pronat e tyre. Qeveritë si garante të ekuilibrit të lirive dhe të drejtave mes qytetarëve, ose u treguan të paafta, ose e sabotuan procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Nga ana tjetër, miliona qytetarë, në kërkim të një jete më të mirë, u larguan nga atdheu. Qeveritë e gomoneve e shndërruan në biznes zbrazjen e atdheut.

Qeverisje tjera, më të përgjegjshme e më atdhetare, garantuan standarde që sollën heqjen e vizave dhe Lëvizjen e Lirë. Në fillim të viteve 1990, gangsterë ultranacionalistë nga Greqia, vrisnin ushtarë shqiptarë në fjetoret e tyre në tokën shqiptare. Pak më vonë, trupa të rregullta ushtarake serbe hynin deri thellë në territorin tonë. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s, një vend i sigurt. Nuk mund të lë pa përmendur përpjekjet e herëpashershme për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë.

Ndërrime e shkarkime të bujshme, korrupsion e mungesë etike morale, ndërhyrje në procese gjyqësore e ndërrime të shpeshta ligjore. Reforma kërcënuese e përjashtuese, sulme mediatike etj. Ky ka qenë dhe mbetet një prej ngërçeve më të mëdha, një prej sfidave kryesore të lirisë në Shqipëri. Një sistem drejtësie i pavarur dhe i besueshëm, është jetik për garantimin e lirisë, por është edhe njëri prej tri shtyllave të demokracisë. Demokracia, si pjesë e binomit të thirrjes studentore Liri-Demokracie, ndihet shumë më inferiore, më e paplotësuar, e parealizuar, për të mos thënë e paralizuar.

Parlamenti i parë pluralist në Shqipëri ishte shumë më afër jo thjesht përfaqësimit politik të votuesve, por edhe vlerave dhe shpresave të tyre. Sot, pas 25 vjetësh modifikime, ndryshime, jemi bërë gazi i botës, ku deputetët votojnë një ligj për dekriminalizimin e vetvetes. Sistemet dhe kodet zgjedhore kanë vuajtur nga mungesa e largpamësisë dhe konsensusit, janë ndërtuar e miratuar si ligje jopërfshirëse, ligje që të mbajnë në thelb të tyre interesin e shumicës, por si ligje tendencioze, që ligjërojnë ligësinë e shanseve për eliminimin e kundërshtarit. Ligje të tilla nuk garantojnë zgjedhje të lira, as përfaqësim dinjitoz. Ato të kthehen në bumerang, sapo ndërron fleta e pushtetit.

Duke kaluar përmes vështirësish të tilla, sistemi zgjedhor ka arritur në atë pikë që nuk ka pothuajse asnjë lidhje me qytetarin. Ky tashmë ndodhet para alternativës aspak dinjitoze e aq më pak demokratike të votojë një askush të djathtë, ose një kriminel të majtë. Ky rrënim i legjislativit është duke e vënë në pikëpyetje të thellë vetë ekzistencën e demokracisë dhe të lirisë në Shqipëri.

Duke qenë se Parlamenti është burim i ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, gjendja duket pothuajse e pa shpresë. Qeverisja e dalë nga ky parlament ka dy vjet që përmend fjalën burg shumë më shpesh se fjalën liri. Kjo nuk është thjesht një stilemë gjuhësore, është akt dhune i ekzekutuar çdo ditë, do të thotë privim nga liritë themelore, të fituara me aq mund, dhe shkelje e hapur e normave të demokracisë. Impakti i një qeverisjeje të tillë ndihet edhe në fusha të tjera të jetës politike.

Bie fjala atrofizimi i Shoqërisë Civile, goditjet që i jepen asaj janë të padenja për një vend demokratik. Nuk ka javë apo muaj që nuk arrestojnë e intimidojnë një avokat të ri, një ish-student të Dhjetorit, zotin Altin Goxhaj. Qeveria e di të vërtetën! Është burim i vetëm i së vërtetës dhe as shtypi i lirë, as shoqëria civile nuk janë të zonjat, pasi kërcënohen, privohen nga burimet, të kërkojnë e hulumtojnë se mos ndoshta ndonjëherë e vërteta nuk është në krahun e qeverisë!

Kjo është një gjendje që nuk ka ndodhur as në vitin 1997. Mund të zgjatesha prapë në këtë fjalë, duke marrë në shqyrtim edhe opozitën si një element bazë i demokracisë, si përfaqësuese dhe avokate, jo thjesht e minorancës, por si frymë- zuese e ndryshimeve thelbësore që duhet të ndodhin në të mirë të lirisë për të gjithë, të demokracisë shqiptare. Opozita vërtet sot ndodhet nën sulmet perfide të pushtetit.

Por, nga ana tjetër, ka shansin e jashtëzakonshëm, pasi qeverisja është shndërruar në një manual gabimesh, është shndërruar në barrë për qytetarin: opozita ka për detyre t’i ndihmojë njerëzit e lirë të heqin qafe qeveritë që nuk shërbejnë, por sundojnë qytetarët e tyre. Në këtë pikëpamje, gjendja nuk duket aq e pashpresë.

Ruajtja dhe konsolidimi i lirive të fituara, përsosja e përditshme e demokracisë, implikimi qytetar përmes frymëzimit të tij me shpresën e ndryshimit, do të bëjnë që Shqipëria jonë e dashur të ecë përpara, të fitojë siguri në vetvete, të zhvillojë ekonominë, të përsosë sistemin e mbrojtjes sociale për më të varfrit dhe ata në nevojë, të krijojë hapësira dhe mbështetje për iniciativën e lirë, të konsolidojë personalitetin e saj ndërkombëtar si vend i sigurt, i zbatimit të lirive dhe drejtave themelore, për ta bërë atdheun tonë ashtu siç na buçisnin zemrat në dhjetor ’90. E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura