LIRI GJOLIKU: Unë, gjykatësja kundër dënimeve në diktaturë

Jun 5, 2011 | 12:43
SHPËRNDAJE
LIRI GJOLIKU ME TE SHOQIN

Që nga Lufta Antifashiste, çlirimi i Shqipërisë e deri te koha e gjatë e diktaturës, Liri Gjoliku ka gërmuar për të treguar rrënjët e familjes së saj, historinë e të atit, Heroit të Popullit, Jaho Gjoliku, e të dy vëllezërve dëshmorë. Mandej, në pjesën e tretë të librit të saj, “Jeta ime në tri kohë”, numërohen përvojat e gjata si gjyqtare, anëtare e Gjykatës së Lartë dhe deputete e katër legjislaturave. Marrëdhëniet me Enver Hoxhën e Ramiz Alinë dhe qëndrimet kundër internimeve të gabuara. Rasti delikat i Rukije Ramës

Të zgjidhësh një çështje në gjykatë, sot është bërë një nga gjërat më të vështira. Me fund të hidhur (pothuajse gjithmonë) apo të bukur, dikur mundej. Ashtu siç mundej që, jo për një faturë të majme, por për keqardhje a dashamirësi, dikush ta ngrinte zërin kundër masës, edhe pse kundërshtohej nga partia. Rastet ishin gjithfarësoj… Aq sa sot, edhe pse gati nën zë, vetë gjykuesit i pranojnë të këqijat e kohës. Liri Gjoliku është njëra prej tyre. Të qenit gjyqtare popullore, anëtare e Gjykatës së Lartë e më pas drejtoreshë e Ligjshmërisë në Presidiumin e Kuvendit Popullore ka qenë thuajse e gjithë jeta e saj. Sado që librin që ka botuar e ka ndarë në tre pjesë, duke e titulluar “Jeta ime në tri kohë”. Domosdo që peshë më të rëndësishme zënë pikërisht profesionet e sipërpërmendura, sado që të gjitha burojnë prej pjesës së parë, pra frymës

Liri Gjoliku me koleget deputete, ndër to Nexhmije Hoxha dhe Vito Kapo

me të cilët të gjithë fëmijët i ka ushqyer i ati, Heroi i Popullit, Jaho Gjoliku. Ish -gjykatësja, së cilës i është zbehur pak kujtesa për shkak të viteve që ka mbi supe, nuk ka hezituar të shfletojë gjithfarë literature, historike e biografike, për të mbërritur në botimin e librit të saj. Duke udhëtuar që nga fëmijëria e hershme në Kuç të Vlorës, te Lufta Antifashiste e partizanëve (pjesë e së cilëve ishin edhe vëllezërit dhe babai i saj) çlirimi i Shqipërisë e më pas ndërtimin e saj. Rrëfenjat janë të mbushura me dialogë, me humor, ama edhe me një frymë militantizmi që haset sapo e merr në dorë. Dhe, në fakt, kujto që t’i bjerë rasti të flasë me të, ajo nuk e mohon aspak qëndrimin e saj. Ashtu siç nuk përton e nuk ngurron të të rikujtojë nga e para të gjitha ngjarjet, nga ndodhitë më të lehta e deri te shqetësime delikate që janë bërë të ditura për publikun vetëm pjesërisht. Sado që, në vitet e fundit, investigimet në të shkuarën e errët kanë qenë të pafundme (ende vazhdojnë) aq sa edhe atyre që nuk e kanë jetuar atë kohë apo nuk janë prekur nga sistemi, kanë arritur të krijojnë në mendjet e tyre pamjen e një panorame të vrenjtur. Përmes jetës së Liri Gjolikut zbulohen edhe njëherë (sipas mënyrës së saj të të parit të gjërave) nuanca që për ndokënd ende mund të kenë qenë të mjegulluara. Pasi u ka shpërndarë miqve e gazetarëve “bllokun e saj të kujtimeve”, Liria preferon të flasë pak jashtë tij, duke menduar se gjithë çka pasur për të thënë, i ka thënë aty. Sado që nuk kursehet të rrëmojë në qoshet e kujtesës raste specifike që kanë qenë më të bujshme se të tjerat. Për njërën prej tyre, Rukie Ramën, e morëm përgjigjen, sado që rastet që kishte shpëtuar burgun e njerëzve, sipas saj nuk kishin qenë një. Por përpara se të shkojmë te historia e Rukies, po ju shkëpusim copëza nga jeta e Liri Gjolikut, për t’u njohur, përveç se me punën, edhe me prejardhjen e të shkuarën e saj…

E bija e Jaho Gjolikut dhe luftërat në Shqipëri
Kam lindur në një familje me tradita të shquara patriotike. Im atë, Jaho Gjoliku, kishte mbaruar gjimnazin “Zosime” të Janinës. Asnjë nga gjyshërit nuk kam njohur, por di që gjyshi im, duke qenë i burgosur, i tha babait të nënës se, në rast

Hysni Kapo me Liri Gjolikun dhe të ëmën

se gruaja e tij lindte djalë, do ta bënim babanë tim vëllamë, sipas zakonit që ishte atëherë dhe, në rast se do të lindte vajzë, do ta fejonin me djalin, domethënë me babanë. Kështu u bë… Kësaj fejese në moshë fare të re, sipas ‘të drejtës zakonore të Labërisë”…, i thoshin fejesë në djep, ashtu siç e parashikonin edhe kanunet e tjera. Tim ati, në moshën 17-vjeçare, dy vite përpara martesës, kur pati shkuar në Vlorë në ngritjen e flamurit më 1912, Ismail Qemali i pati vënë dorën në sup dhe i kishte thënë “të gradoj kapter”. Siç tha më vonë, këtë gradë nuk e pranoi, pasi nuk i pëlqente t’i nënshtrohej të tjerëve. Babai ka qenë gjithashtu pjesëmarrës në kryengritjen e qershorit 1924 dhe në atë të Fierit më 1935. Ka qenë dy herë i dënuar me vdekje nga i vetëshpalluri mbret Ahmet Zogu, për veprimtarinë e tij kundër mbretit dhe monarkisë. Për këtë, Ahmet Zogu e internoi në Krujë edhe nënën me katër fëmijë dhe vëllain 15 vjeç së bashku me bashkëshorten e Ymer Gjolikut që kish përkrahur babanë. Herën e dytë nuk mundën ta internonin nënën, për shkak të rezistencës së madhe që bënë përfaqësuesit e Partisë së Kurveleshit. Ahmet Zogu u detyrua ta anulonte këtë vendim. Ata u thanë xhandarëve se në rast se do dënonin sërish familjen e Jaho Gjolikut, atëherë t’i internonin të gjithë. Në këto rrethana, të dërguarit e të vetshpallurit mbret u detyruan që nënën bashkë me fëmijët t’i kthenin në Kuç, ku siç thoshte nëna, pasurinë ua kishin bërë rrush e kumbulla. Kështu u rritëm ne e bashkëfshatarët në Labëri, atje ku fëmija lindte bashkë me ndjenjën patriotike… Kaluam shumë luftëra të mbajtura pikërisht nga ky patriotizëm. Që nga ajo fashiste, e te LANÇ. Në përfundim të saj nisëm një

Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha për vizitë në familjen Gjoliku

jetë të re, sepse përfunduam nga tmerret e luftës, por edhe pse mendonim se tashmë, siç na ishte thënë, do të hanim “me lugë të florinjtë”, megjithëse babai na vinte përpara gjithnjë detyrat e zbukurimit të Shqipërisë së dashur, Lirisë dhe Pavarësisë së saj… këto ishin fjalët e një partizani.
Vdekja e babait dhe nderimet e Byrosë Politike
Ditët kishin kaluar shpejt deri sa erdhi 27 dhjetori i vitit 1969, dita e vdekjes së tim eti. Erdhi për t’i dhënë lamtumirën e fundit e gjithë Byroja Politike dhe, kur ata zbritën shkallët, unë dëgjova shokun Enver Hoxha që i tha njërit prej anëtarëve të Byrosë: “Pse thoni që e kanë harruar xha Jahon? E shikoni sa popull ka ardhur ta përcjellë?”. Në nekrologjinë e tim eti, të nënshkruar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Haki Toska, Kadri Hazbiu, Shefqet Peçi, Spiro Moisiu etj., ndër të tjera shkruhej “Gjatë LNÇ, Jaho Gjoliku u shqua jo vetëm si trim e patriot, por edhe si drejtues i aftë i njësive të ndryshme partizane dhe si komandant i Brigadës së 6-të sulmuese. Ai u dallua si ushtarak në të gjitha veprimet e brigadës së tij dhe reparteve të tjera ku bënte pjesë, sidomos në Luftën e Gjormit, Sarandës, Këlcyrës, Borshit, Përmetit, Pukës, Dukagjinit, Mirditës e deri në Vishegradë të Jugosllavisë. Mbas vdekjes, babit iu dha titulli “Hero i Popullit”.

Studimet në Moskë dhe puna si gjyqtare
Përpara se të niseshim për studime në vendet ku na kishin caktuar, Ministria e Arsimit organizoi seminare se si duhet të

Liri Gjoliku në një nga udhëtimet e saj me Aneta Ramën.

silleshim kur të shkonim në vendet e huaja. Ndër përgatitjet e nisjes ishin edhe dy palë të brendshme me copë kombinati, që po më përgatiste tezja. Ishin me beze të trashë dhe më tha që i kishte vënë ushkur që nuk zgjidhej kollaj. “Sllavët, tha ajo, janë imoralë. Jo imoralë, theksoi pas pak, por ‘qejflinj’… E di unë këtë”. Kështu po niste për mua një jetë e re, po shkonim në vendin e parë të komunizmit, në Moskë, regjim për të cilin kishim mësuar dhe aspironim aq shumë. Ato vite ikën shpejt, me gjithë ngjarjet e shumta që të ofronte një vend i ri. Deri sa të niste një tjetër kapitull, punësimi për të cilën më priti Ministri i Drejtësisë, meqenëse isha diplomuar në Drejtësi. Nuk kaloi shumë kohë dhe m’u komunikua se më kishin emëruar të punoja si gjyqtare popullore në Gjykatën e Tiranës. Gjithashtu, m’u tha se ata të Komitetit Qendror më kishin thënë që do t’iu jepja mësim në shkollën e Lartë të Partisë. Pas njohjes me personelin e Gjykatave, fillova të njihem me prokurorët, një prej tyre edhe Agllai Zoto. Profesionalisht përfitova prej të gjithëve. Në fillim, unë dhe gjyqtarë të tjerë të rinj gjykonim krime me rrezikshmëri të vogël shoqërore, por gradualisht nisëm të marrim gjyqe me shkallë të lartë rrezikshmërie. Gjatë veprimtarisë sime si gjyqtare, jam ndeshur shpesh me ndërhyrje e presione të ndryshme nga organe partie e pushteti, si dhe nga pushtetarë partiakë e shtetërorë të ndryshëm.

Internimet e gabuara gjatë kohës si deputete
Gjatë 16 viteve si deputete, por edhe si anëtare e Gjykatës së Lartë, unë njoha mirë të gjitha tiparet e zonës sime elektorale, por edhe të shumë zonave të tjera. Shumë nga problemet, Komisioni Juridik i Kuvendit Popullor do t’i diskutonte në vazhdimësi, veçanërisht kur diskutoheshin projektligje që i përkisnin forcimit të të drejtave të njeriut e po kështu atyre të fushës ekonomike, por edhe atyre masave që kishin të bënin me masat administrative e penale. Një projektligj që ne si Komision Juridik nuk do ta miratonim, ishte ai “Për internim dëbimet në rrugë administrative”. Internimi dhe dëbimi parashikoheshin si dënime kryesore plotësuese edhe në Kodin Penal, por këto jepeshin për ata persona që kryenin vepra të ndryshme penale dhe që për qytetet e mëdha paraqisnin rrezikshmëri, siç ishin vjedhësit e xhepave, të shtëpive e për akte të tjera, vagabondazhi. Këta çoheshin në qytete të vogla për t’u kontrolluar më lehtë. Internimet në fushë administrative që bëheshin nga degët e Punëve të Brendshme, veçanërisht për ata, familjarët e të cilëve dënoheshin për krime kundër shtetit, ishin në shumicën e rasteve të padrejta. Kështu, një herë kur isha në takim me popullin e Vranishtit, ata të presidiumit të mbledhjes më treguan: “E shikon atë atje, me gruan e dy vajzat simpatike? Janë internuar të shkretët, se burri është kushëriri i Beqir Ballukut”. E takova vetë të internuarin. “Shoqja deputete, unë jam internuar, sepse jam kushëriri i Beqir Ballukut, megjithëse atë vetë shumë rrallë e kam takuar. Kam qenë i internuar gjatë Luftës në kampin famëkeq të shfarosjes në Mathauzen, në Austri”. U habita, por i premtova se do të interesohesha për vajzat, për vete nuk i premtova gjë. U ktheva në Tiranë dhe telefonova për t’u ankuar në Ministrinë e Brendshme, se përse ishte internuar kushëriri i Ballukut. Përgjigjja ishte se paskësh qenë provokator në kampin e internimit. Po vajzat i pyeta, çfarë kanë bërë? Për internimin e tyre kanë ngulur këmbë ata të Komitetit të Partisë së Tiranës”, vijoi.

Letra e Enver Hoxhës për të shpëtuar Rukie Ramën

Mësuesja tropojane, Rukie Rama

Sot, ne qeshim apo inatosemi me fantazi të frikshme të femrave me trazira hormonale që shpikin gjithfarë gjërash për gjithfarë arsyesh. Dikur, t’i shpiknin të tjerët dhe askush nuk guxonte të qeshte, edhe pse përfundimi ishte vërtet qesharak. ‘Çështjet e nderit’ ishin aq temë delikate sa që i kalonin tangjent edhe fantazisë, jo më të guxoje… Ama, edhe nëse nuk guxoje ti, do të guxonin të tjerë. Rukie Rama ishte mësuesja e bukur tropojane që ra pre e hireve të saj. Liri Gjoliku ishte gjyqtarja e kësaj çështjeje të ngritur nga Sigurimi i Shtetit. Çfarë kishte ndodhur? Ishte akuzuar për agjitacion propagandë vetëm pse kishte refuzuar të kënaqte epshet e një oficeri të Sigurimit të Shtetit, një nga përfaqësuesit më të pështirë të pushtetit të kohës, i cili kishte thurur në kokë plane me bukuroshen. Ishte një nga ato mendje që nuk arrijnë të shohin te një femër e bukur më shumë se sa shfryrjen hormonale. Mirëpo, planet nuk shkuan siç ishin thurur. Malësorja e refuzon dhe e përbuz. Ky qëndrim nuk mund ta linte indiferente hakmarrjen e një mashkulli. Kështu që, një ditë të bukur, Rukie Rama akuzohet si agjente e shërbimit të fshehtë Jugosllav dhe arrestohet. Një dëshmitar i montuar thotë në gjyq se ajo, në disa vite, ka qenë e dashura e tij dhe se si e tillë i ka besuar edhe të vërtetat e spiunazhit. Por, në seancën e parë gjyqësore, vajza bukuroshe shokon të gjithë me guximin: “Ai gënjen në gjithçka. Unë jam ende e virgjër”. “Kujtoj që e patën akuzuar se mbante një ditar ku pretendohej se gjendeshin fakte që përforconin akuzën. Në fakt, ditari i saj i shkollës ishte krejt si të tjerët, unë e kam parë vetë”. Madje nuk e ka parë rastësisht, por Liri Gjoliku ka kërkuar me ngulm që të gjej detajet e drejta të kësaj historie. Ende dhe sot që kanë kaluar 40 vite nga ajo ngjarje, asaj i përvijohet përbuzja në fytyrë për ato elemente të shoqërisë që mund të ngrinin kurthe të tilla. “I kam kërkuar Ramiz Alisë që të shohin me përparësi çështjen e saj dhe ta lirojnë nga burgu. Madje vetë Enver Hoxha i shkroi letër presidiumit, ku kërkonte rishikimin e rastit të Rukie Ramës”. Këto kujtime që tronditin, ndër një mori çështjesh të tjera, sidomos rasteve të femrave ruse që Liria gjithaq ka ndihmuar, nuk është e lehtë të të vijnë të pa dëmtuara. Me gjithë fundin e lumtur, dëmtimi psikologjik i Rukies, jo vetëm për akuzat e për fyerjet, por edhe për 7 vitet e burgut që duroi, ende edhe sot ngre krye sa herë ngacmohet për të rikujtuar historinë që u mbyll me certifikatën e pastër të virgjërisë dhe me kujtime të dëmtuara. Sot, Rukie Rama vijon të jetë po aq e pasionuar pas profesionit të saj, edhe pse gjendja e pas ’90-s e largoi nga vendi, duke e detyruar të emigrojë në Belgjikë. E sigurisht që ka bërë mirë, të paktën nuk do të dëgjonte edhe tani, 20 vite më pas, çudirat e anës tjetër të medaljes.

 

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura