Lindita Nikolla: Sistemit të drejtësisë po i zihej fryma nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar me mbështetjen e një kaste politikanësh. Sot fijet janë këputur

Jun 24, 2022 | 9:23
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla thotë se pandëshkueshmëria e të korruptuarve është një mit që është rrëzuar në vitet e fundit dhe se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është forcuar dhe konsoliduar si një pushtet i pavarur.

Gjithashtu Nikolla u shpreh se shqiptarët po e shohin që sot askush nuk i shpëton drejtësisë nëse ka kryer një shkelje.

“Një prej miteve ishte mbretërimi i pandëshkueshmërisë që dukej se ishte shndërruar në një antikulturë të sistemit të drejtësisë. Sot askush nuk është mbi të drejtën dhe drejtësinë dhe askush nuk mund ti shpëtojë ndëshkimit nëse e meriton. Kjo është kaq e vërtetë sa që po ndodh në sytë e gjithë shqiptarëve. Sistemit po i zihej fryma nga monopoli i një kaste drejtuesish, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar me mbështetjen e një kaste politikanësh gjithashtu të korruptuar.

Politika e drejtësia po sundonin bashkarisht me forma despotike. Sot pavarësia reale e gjyqtarëve e prokurorëve po konsolidohet paralel me varësinë e tyre prej kushtetutës, ligjeve.

Sistemi i drejtësisë kishte arritur në atë pikë sa nuk e fshihte varësinë e vet në aspektet politike dhe financiare.

Sot fijet që e lidhin sistemin me format korruptive të mësipërme janë këputur e po këputen dita ditës. Pushteti gjyqësor po fuqizohet si një pushtet i pavarur”.

Deklaratat e Nikollës u bënë gjatë konferencës së organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për sistemin e drejtësisë.

© Panorama.al

Te lidhura