Lindita Legisi, “Sipërmarrësja e vitit 2014”: “Ime më theu Kanunin, prishi fejesën në djep dhe u bë oficere”

Mar 18, 2015 | 11:51
SHPËRNDAJE


Karakterin luftarak ajo e ka marrë nga e ëma. Në një mënyrë apo në një tjetër, të dyja kanë thyer tabu. E ëma, mirditorja Liza Legisi, doli kundër Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke prishur fejesën që në djep dhe duke vazhduar shkollën. Ndërsa Lindita i është futur biznesit që në vitin 1995, kur femrat sipërmarrëse numëroheshin me gishta. Rrëfimi i gruas së suksesshme, për veten dhe të ëmën…

Dikur e ëma theu tabutë, duke shkelur Kanunin e Lekë Dukagjinit ndërsa e bija, kur u rrit, guxoi të ishte ndër të parat femra në Shqipëri që do të lidhnin jetën e tyre me biznesin. Ende një gjimnaziste te Shkolla e Gjuhëve të Huaja, Lindita nuk e dinte se e ardhmja e saj do të lidhej me fushën e konfeksioneve. Filloi punën si përkthyese e italishtes e më pas u bë ortake me disa të huaj, të cilët hapën firmën e parë të makinave qepëse të industrisë, që vinin për herë të parë në Shqipëri. Sot, pas 20 vitesh, Lindita Legisi është tepër e suksesshme në biznesin e konfeksioneve. E përzgjedhur si sipërmarrësja më e suksesshme e vitit 2014 nga Ministria e Ekonomisë, Legisi, pronare e kompanisë “Omega”, rrëfen për “Unë gruaja” aventurën e saj, por edhe guximin e së ëmës, Liza Legisi, një ndër 10 oficeret e para femra në Shqipëri…

Jeni një ndër femrat e para biznesmene në Shqipëri, që keni filluar punën në fushën e biznesit që kur ishit 18 vjeçe. Si i kujtoni sot ato fillime?
Kam mbaruar Shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja dhe fillimet i kam që atje. Kam filluar si përkthyese për disa të huaj, që erdhën në Shqipëri. Në vit të katërt u integrova më shumë. Këta të huaj me të cilët fillova si përkthyese, filluan të njihnin Shqipërinë, me qëllim që më pas të hapnin bizneset e tyre në vendin tonë. Kështu u futa dalëngadalë në sektorin e konfeksioneve. Kjo çoi në hapjen e biznesit, ku isha njëra nga ortaket me disa të huaj, të cilët hapën firmën e parë të makinave qepëse të industrisë, që vinin për herë të parë në Shqipëri. Që më 3 mars të 1995 e deri sot vazhdoj të jem në biznesin privat.
Përveç kësaj rastësie, kishte diçka tjetër që ju bëri të fokusoheshit te konfeksionet e jo në një biznes tjetër?

Liza Legisi, në kohën kur ishte oficere
Ishte e rastësishme. U futa në konfeksione thjesht nga roli i përkthyeses në këtë sektor. Më pas ishte vetëm dëshira për të punuar, për të bërë diçka, dëshira për të ecur përpara, për të njohur eksperienca të reja. Shumë e re pata mundësinë të lëvizja jashtë, të dilja e të shihja një realitet tjetër, me kulturë ndryshe, dëshirë pune krejt të ndryshme nga jona. U futa pa dashur, por më pas eca se doja të punoja dhe edhe pse isha jashtë profilit tim. Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të përfundoja në konfeksione. Ishte një sektor që nuk e njihja. Isha 18 vjeçe. Ishte koha kur sapo u hapën rrugët e liqenit dhe nuk kishte më kufizime që të dilje matanë fakultetit tonë, koha kur u hapën diskot e para, lokalet e para e ndërkohë që miqtë e mi argëtoheshin, unë iu dedikova punës.
Por ishte edhe koha e ikjeve, nuk e menduat të ardhmen tuaj jashtë?
Në atë moshë pata mundësinë të shoh shumë vende të Europës. Kam udhëtuar shumë për punë. Duke qenë e re dhe duke pasur premisat e gjuhës, pata shumë oferta për të qëndruar në ato vende. Por kam pasur një dëshirë dhe një atdhetarizëm shumë të theksuar. Vija nga një familje ushtaraku, kështu që isha shumë e lidhur me familjen time dhe vendin tim. Kisha dëshirë të mbroja emrin e Shqipërisë kudo, edhe pse ishin vitet e para që patëm një jehonë sa pozitive dhe negative nëpër vendet rreth nesh. E mbroja vendin tim me një “shpatë” të madhe. Doja shumë që mosha ime, brezi im të bënte diçka, që vendi ynë të ishte në të njëjtat nivele me vendet e tjera. Sot që jam grua në moshë tjetër, të them të drejtën jam pak e zhgënjyer nga çfarë mendoja dhe çfarë ne jemi sot. Vlerat në vendin tonë kanë kaluar në nivel joparësor. Jemi një shoqëri ku fatkeqësisht nuk vlerësohet vlera, morali, karakteri dhe inteligjenca e vërtetë. Një shoqëri që i jep shumë rëndësi pamjes, dukjes dhe jo thelbit të vërtetë.
Si kanë ndryshuar kohërat, që kur ju hapët si fillim biznesin tuaj deri sot?
Kur nisëm biznesin në fillim të viteve ’90, nuk kishte asgjë. Ne jemi brez që nuk kishim kulturë, edukatë, nuk vinim nga një shoqëri kapitaliste, por nga një diktaturë. Kishim vetëm dëshirën dhe secili nga ne ka dhënë nga vetja, ka mësuar nga eksperiencat e miqve dhe është munduar brenda biznesit të tij të krijojë një edukatë dhe kulturë pune. Rinia e sotme e ka një eksperiencë tonën që ne nuk e kishim, një edukatë dhe kulturë pune mbi të cilën e kanë shumë më të lehtë të ndërtojnë biznes. Por mendoj që dëshira jonë e atëhershme dhe impenjimi ynë ishte shumë më i madh sesa sot.
Sa e vështirëson punën të qenurit femër?
Gratë dhe unë personalisht si e tillë, e kemi ndjerë shumë më tepër sesa meshkujt vështirësinë. Së pari, sepse ishim në një shoqëri që ishte paragjykuese. Unë kujtoj që me rrogën e parë kam blerë biçikletën, që të shkoja nga fakulteti në punë. Më pas, me mundësinë më të parë, kam blerë menjëherë makinën dhe i kam dhënë makinës në rrugët e Tiranës, atëherë kur shumë pak femra shiheshin në makinë. Dhe natyrisht isha një nga të paragjykuarat për këtë gjë.
Si keni arritur të ndërtoni një karrierë e të bëni edhe gruan e nënën njëkohësisht?
Kur u vlerësova me çmimin si “Gruaja Sipërmarrëse e Vitit”, nuk e prisja, ishte surprizë për mua. Natyrisht thashë dy fjalë, por nuk falënderova askënd tjetër veç fëmijëve të mi, si nënë dhe grua, duke u nisur nga ndjenjat personale. Falënderova fëmijët e mi dhe të të gjitha nënave dhe mamave në biznes. Sepse ata fëmijë në heshtje kanë sakrifikuar pranë nesh, pasi ne u kemi munguar nga koha e përkëdheljeve dhe e lidha me atë që, nuk e dimë nëse fëmijëve tanë do t’u lëmë pasuri. Por ajo që them e bindur është se fëmijëve tanë do t’u lemë një edukatë dhe kulturë pune. Që ata të jetojnë në një shoqëri më të mirë, që të bërit biznes të mos konsiderohet vetëm sakrificë, por të jetë edhe privilegj.
A është bashkëshorti juaj edhe partner në biznes?
Bashkëshorti im i përket botës akademike. Merremi me dy gjëra që s’kanë të bëjnë me njëra-tjetrën, por jemi të dy me impenjime maksimale, secili në botën e tij. Në momentin që u njohëm bashkë, e kisha ndërtuar pozicionin tim, qoftë në biznes, qoftë të figurës së një vajze, femre, gruaje. Kështu, që në fillim ose do të pranonim njëri-tjetrin në këtë formë, ose jo.
Do të donit që fëmijët tuaj “të trashëgojnë” biznesin tuaj?
Ajo që mendoj t’u lë fëmijëve të mi (një vajzë 12 vjeçe dhe djali 6 vjeç) është dëshira dhe kultura, edukata që në jetë duhet punuar, duhet fituar me anë të punës dhe gjithë potencialin. Që të mësojnë dhe të kuptojnë, që vetëm me anë të punës dhe sakrificës që bën, mund të kesh diçka më tepër. Por nuk mendoj që sot, fëmijët e mi do t’i fus në biznesin tim. Nuk e kam dëshirë dhe prioritet. Fëmijët do të mësojnë dhe më pas do të jenë ata që do të bëjnë një zgjedhje, së pari në shoqërinë ku do të jetojnë, duke shpresuar që vendi ynë do të ndryshojë sadopak.
Duket se karakterin luftarak e keni trashëguar nga nëna juaj, që është nga gratë e para ushtarake në Shqipëri…
Vij nga një familje ushtarake, por ndryshe nga “rregulli” i përgjithshëm, ku babai ishte ushtarak, unë kisha mamanë ushtarake. Mamaja ime ka qenë dhe është për mua një shembull shumë i fortë dhe pozitiv në jetën time. Është një mama, që ka një kurajë të jashtëzakonshme, një grua që për të shkuar në shkollën e mesme, kur vajzat e fshatit nuk duhej të shkonin, kalonte çdo ditë lumin në këmbë, vetëm nga dëshira për t’u shkolluar. Për t’u regjistruar në shkollë u detyrua që të prishte zakonet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, se ishte e fejuar që në djep. Që në thirrjen që u bë për oficeret e para gra në Shqipëri, ishte një nga të dhjetat që u regjistrua menjëherë. Pra, ishte një vajzë që ka thyer shumë tabu të kohës dhe të shoqërisë, që ka ecur përpara. Më pas u bë një oficere me një karakter shumë të fortë. Na ka edukuar në familje që “rregulli, disiplina dhe puna janë ato që ju mbajnë gjithmonë në vendin tuaj, në jetën tuaj korrekte”. Një grua që ka çarë gjithmonë e vetme, me forcat e saj dhe ka ecur gjithmonë përpara. Dhe unë natyrisht i jam shumë borxhlie.
Thatë se nëna juaj ka qenë një nga ato gra që theu Kanunin për të arritur atje ku donte. Çfarë i kushtoi asaj ky “rebelim”?
Origjina ime është nga Mirdita, si nga mami dhe nga babi. Mamaja ime vinte nga një familje e thjeshtë, në të cilën gjithçka mbaronte kur vajza mbaronte tetëvjeçaren, shkollën e vendit ku ishte dhe më pas duhej të priste që të fejohej e të martohej, siç ishin zakonet. Kurse mami ishte e para nga vajzat që e theu këtë rregull, së pari me dëshirën për të shkuar në shkollë, së dyti duke e prishur fejesën në djep. Natyrisht, kjo do të kishte pasoja të rënda mbi familjen e saj, por ajo gjeti një zgjidhje. Për të sakrifikuar dhe shpëtuar familjen e saj ajo u largua nga shtëpia dhe më pas, e vetme, hodhi hapat më tej në jetë. Mbaroi shkollën e mesme pedagogjike dhe, kur u bë thirrja për të pranuar oficeret e para, në aspektin e të drejtave të gruas që po ngriheshin në kohën e diktaturës, ishte nga të parat që u bë pjesë. Asaj kjo i ka kushtuar shumë. I ka kushtuar lidhjen me familjen, i ka kushtuar lidhjen me të gjithë të dashurit e saj, njerëzit e saj dhe natyrisht ishte grua e paragjykuar. Ajo nuk pati për shumë kohë kontakte me familjen. Ishte një sakrificë shumë e madhe për të arritur atë që donte. Sot na duken histori për t’u treguar, të thjeshta për t’u ndier. Por të kryesh ato veprime në atë kohë dhe në atë shoqëri, ku Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte shumë i fortë, ishte e vështirë. Edhe mentaliteti i vetë prindërve të saj nuk mund ta pranonte diçka të tillë.
Si ndodhi më pas njohja e nënës me babain tuaj? Si i kujtoni ju marrëdhëniet mes të dyve? Ishte nëna më dominante në raport me të?
Njohja e nënës sime me babain ka qenë në hekurudhë. Punonin të dy në një hekurudhë që bëhej në baza vullnetare. Aty janë njohur dhe kanë vendosur të jetojnë së bashku.
Ç’mund të thoni për raportet që ata kishin me njëri-tjetrin?
Ne kishim një baba shumë korrekt dhe të dashur, që i është dedikuar shumë kohë punës, por forca e mamit dhe historia e saj dominonte mbi këto gjëra. Në momentin që krijon familjen, vijnë fëmijët dhe kjo për mamin ka qenë një sakrificë e mëtejshme, se të qenit oficere nuk ishte e lehtë. Mami mbetej gjithmonë me figurën ushtarake, me kostumin, me pistoletën në brez. Pra, një grua që shumë rrallë e shihnim të vishej një herë për kënaqësinë e saj.
Duke qenë se ka qenë një grua ushtarake, oficere në kohën e diktaturës, ka pasur momente kur ka qenë në rrezik, për shkak të regjimit?
Jo, sepse në momentin që këto gra u zgjodhën për të qenë oficere, patën një mbështetje të madhe. Natyrisht, qëndronte paragjykimi rreth e rrotull, por forca që iu dhanë atyre nuk u krijonte rreziqe, kishin një lloj përkrahjeje.

Një shqiptare “firmato”
Lindita Legisi i përket atij brezi të rinjsh, që me ndryshimet politike në Shqipëri, duke punuar e studiuar, mori përgjegjësi të mëdha dhe vit pas viti u rrit me biznesin. Pas punës me tregtimin e makinerive për industrinë tekstile, më 3 mars 1995, ajo u bë bashkëortake me investitorë italianë në kompaninë “Adria-Tex”, e para që solli makineritë industriale europiane për konfeksionet. Sot pronare e kompanisë “Omega”, ku punojnë 160 punonjës, Legisi punon për emra botërorë, si “Gruppo Sixty” apo “Max Mara”. Ajo prodhon markat më të mira për emra si “Liu Jo,” “Fornarina,” “Fradi,” Grupi “Max Mara” me markat “Max & Co” dhe “Penny Black”.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura