Linda Rei: Isha entuziaste për përballjen me Kujtim Gjuzin, por u zhgënjeva kur më foli për pompat

Nov 2, 2019 | 14:42
SHPËRNDAJE

Klotilda Harka/ Një ftesë nga Artur Zheji për të qenë pjesë e debatit të tij televiziv mbi modernizimin e shqiptarëve e ktheu Linda Rein në Shqipëri, kësaj here të ulur në një tryezë me disa personazhe të tjerë nga fusha e politikës, kulturës apo fesë. Debati kulmoi me përballje të forta dhe dialogu i saj televiziv me kryetarin e Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, u bë hit në internet. 

Për paskuintat dhe përjetimet e një përballjeje të tillë televizive në nivel opinionistësh, statusin e saj shpirtëror, preferencat që ka për meshkujt dhe stilin e jetës së asj, i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Debati yt me kryetarin e Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, bëri bujë në media. Çfarë të acaroi vërtet nga ajo përballje publike? 

Të jem e sinqertë, pas temës “A janë modernë shqiptarët”, kur folëm për intervistën e dija shumë mirë që do të ishte i ftuar edhe Kujtim Gjuzi dhe isha entuziaste për çfarë më priste. Thjesht nuk e dija që niveli i kulturës dhe inteligjencës do të ishte aq skandaloz dhe i turpshëm. As nuk di ç’lidhje kishin të ftuarit me temën e modernizimit se dukej sikur kishin futur majmunët në shkollë, të cilët vetëm se na ngjajnë, por nuk mund të mësojnë asgjë.

Përplasja me Gjuzin bëri bujë thesht sepse ishte një përplasje aq hipokrite dhe pa bazament, pasi më dukej sikur flisja me një qenie që nuk dinte ç’të thoshte. Në fakt, një nga përgjigjet e tij që më bëri përshtypje ishte kur tha: “Unë Gjuzi jam në gjendje të bëj 50 pompa“.(qesh) Atëherë i thashë vetes: Hej, për çfarë po flasim? Sikur dikush të më pyesë sa bëjnë 1+1 dhe unë të përgjigjem: Sot kam përdorur buzëkuqin ‘Chanel Rouge’. Zot!

Çfarë më acaroi? Thjesht mungesa e edukatës dhe e kulturës. Sidomos psikologia, që realisht çdo gjë mund të ishte ajo zonjë, por jo psikologe sepse kishte argumente personale dhe jo të bazuara në shkencë. Mendoj se në Shqipëri duhet të mbyllin fakultetet me pagesë se realisht, nëse ndonjëri shkon të bëjë psikoterapi, thjesht po i fal paratë. Po ja ku dalim prapë kur thashë që Gjuzi është “injorant”, sepse një politikan duhet të paktën të njohë ligjet është apo jo dakord me diçka.

Ndër të tjera, ai tha se ti nuk mund të fitosh shansin që të quhesh nënë. Kur të thonë kështu, çfarë argumenti të fortë mund të kesh që të vërtetosh të kundërtën? 

Ekziston ligji që unë nëse dua, mund të birësoj një fëmijë si shumë nëna që kanë birësuar dhe ata fëmijë u thërrasin “nënë”, sepse është shumë i qartë fakti se nuk është baba ose nënë kush të lind, por kush të rrit. Kështu që, më vjen keq që në shtetin tonë kemi njerëz që bëjnë politikë dhe janë deputetë, kur s’kanë dijeni mbi punën e tyre.

Hej, unë e kam shprehur shumë herë që nuk dua të bëhem nënë, thjesht se nuk ndiej që është momenti. Por një ditë, ndoshta do të vijë momenti dhe do të jem e ndershme ta pranoj.

Të qeshura në studio shkaktoi mënyra si i drejtoheshe, duke i thënë “zemër”, fjalë që ai ta ndaloi. Mos ndoshta të tërhoqi pak seksualisht Gjuzi? 

Të qeshurat në studio ishin për përgjigjet e mia. Dhe arsyeja pse e thërrisja “zemër, xhan, o jetë”, ishte
se nuk jam ndierë aspak e prekur ose e fyer nga fjalët e tij, sepse nuk kishin peshë ose rëndësi për mua. Në fakt, ju kujtoj intervistën me Rudinën, si u acarova dhe si e ndërprisja ose e korrigjoja çfarë thoshte, se në realitet Rudina foli për gjëra reale dhe me bazament, por që thjesht nuk më përkisnin dhe u ashpërsova.

Por me Gjuzin jo, sepse realisht nuk kam pasur asnjëherë debat me një person kaq “injorant” sa Gjuzi dhe për injorant e kam për kuptimin letrar të fjalës. Mos vallë më tërhoqi seksualisht? Pyetja më ofendon se më njihni mirë, të paktën me anë të intervistave që kemi bërë. Kështu që, po ju përgjigjem me një pyetje. Mos vallë Gjuzi ngjason me Robert Berishën, për të cilin e kam shprehur simpatinë time hapur?

Ndryshe ndodhi me Laert Vasilin, i cili u tregua pak më dashamirës me ty. Takon shpesh djem si ai që të bëjnë të ndihesh mirë apo e pranuar? 

Nuk mendoj që Laert Vasili ishte dashamirës me mua, thjesht ai shprehu konceptet e idetë e tij dhe tregoi që kishte kulturë mbi historinë dhe argumentoi çfarë tha. Po dashamirës, pse?

Jo vetëm me meshkujt, por edhe me femrat ke pasur përballje në atë debat. Ç’emër do t’i vendosje atij konflikti? 

Kur vlen zero përpara gjithë Shqipërisë, duke qenë se ka ushtruar edhe dhunë me një vajzë te “Kafazi i artë”, për mua Silvana Bushati është pa kulturë dhe e pazonja për të argumentuar asgjë. Do t’i thosha: “E lehtë të gjykosh dikë, por kur unë të argumentova dhe vura pikat mbi ‘i’, ti ule kokën dhe gjysmën e emisionit nuk fole, por ngele me telefon në dorë”. Fjalët vrasin më shumë se plumbi dhe unë e pushkatova me argumente.

Nisur nga Gjuzi, që tha se nuk të gjendet mosha, a je gati ta zbulosh atë? 

Nuk më dihet mosha. (qesh) Hej, ky është kompliment. Nejse, nuk është sekret, jam 30 vjeçe.

Ndalojmë te jeta jote në Itali. Duket se bën një jetë të bukur mes luksit, qejfit dhe netëve zjarr. Kush po të karikon kaq fort?

Kush po më karikon? Unë jam e zonja e vetes, që kur isha 18 vjeçe ika të jetoj vetëm në Firence dhe punoja nga ora 8 deri në 9 si parukiere e grimiere dhe nga ora 10:30 deri në 2:30 të natës si kamariere në bingo. T’ju them të drejtën, në njëfarë mënyre i kam zili ato femrat që presin dhe kanë çdo gjë nga burrat e tyre dhe burrat e të tjerave. Bravo u qoftë se nuk lodhen edhe aq shumë, çdo gjë qyl. Por unë kam një karakter shumë të fortë dhe nuk e ul dot kurrë kokën përpara një mashkulli, thjesht se më duhet diçka. Pastaj, dhuratat dhe çfarë mund të kem nga një histori dashurie është tjetër gjë, se unë nuk jam Nënë Tereza. Se unë e kam llastuar gjithmonë veten, e nëse jam me dikë, duhet të jetë plus në jetën time dhe kjo është më pak se normale.

Mos ndoshta pas ndarjes nga biznesmeni dhe skandalit duke i thyer makinën, një lidhje të re ke nisur?

Jo, s’kam asnjë lidhje të re. As nuk ka pasur njeri aq të zotë që të më mbushë mendjen në vërtetimin e asaj çfarë thashë, se duke qenë se jam e zonja vetes, është e vështirë që të hidhem kaq kollaj në një lidhje. Për veten time dua gjithmonë maksimumin dhe nuk pranoj lehtë kompromise.

Nëse në një club del me shoqe, cilën prej ju të dyjave ka shance të zgjedhim?

(Qesh) Nëse dal me një shoqe në club, s’ka shans që dikush të më zgjedhë mua ose shoqen time, se shoqet i kam si veten. Nuk jemi nga ato që dikush mund të na zgjedhë, ndoshta zgjedhim ne. Por prapë nuk ndodh, se e kam mundësinë që ta paguaj vetë një tavolinë prive.

Je e hapur për “one night stand” dhe ç’mendon për seksin me persona të ndryshëm gjatë jetës? 

Sa për “One night stand”, s’do gënjej. Nuk është kollaj të ndodhë, por ka ndodhur normalisht, kur kam qenë për pushime dhe ai tjetri ndoshta as nuk fliste të njëjtën gjuhë. Në Itali ku jetoj ose në Shqipëri nuk ia lejoj vetes kollaj, thjesht se e di që do të jem si një trofe që dikush do të mburret të nesërmen. Sado mendjehapur të jem, kam respekt për veten. Seks me persona të ndryshëm ndoshta s’kanë bërë gjyshërit tanë. Sot mjafton të shkosh në një club dhe sheh njerëzit që dalin nga tualetet.

Je aq romantike sa t’i qëndrosh besnike edhe ishtë dashurit pasi historia ka mbaruar? 

(Qesh) Sa qesha! Besnike ish-të dashurit? Ah, po mos shkoja në burg, ish të-dashurin do ta bëja copa-copa me duart e mia. Mendoj që kur dashuron dikë, s’do njeri tjetër, por kur dashuria mbaron, mbaron e s’mund të ruash pjatën e gjellës kur mbaron se ishte e mirë. Do a s’do, do ta pastrosh atë pjatë.

Çfarë të lidh ende me Shqipërinë dhe a ia ke vënë syrin ndonjë djali seksi VIP këtu? 

Jo, s’ia kam vënë syrit asnjërit se në këto momente s’kam ndjenja për asnjeri. Jam e fokusuar në të ardhmen time, të punoj, të bëj para, të jem e zonja vetes, të bëj të pamundurën të mos ia kem nevojën njeriu dhe të kem pavarësinë time. Ky është synimi i jetës sime: Paratë, sepse kur ke paratë, ke çdo gjë dhe je e zonja të bësh ç’të duash dhe kur të duash!

/PANORAMA.COM.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura