Lind për herë të tetë në shtëpi, befason nëna: Do të bëj 10 fëmijë, në të ardhmen ata…

Aug 18, 2018 | 22:04
SHPËRNDAJE

MAJLINDA RAMA/ Shpesh, nënat sot ankohen se përkujdesja për fëmijët jo vetëm që u merr shumë kohë, por edhe energji. Ndryshe mendon Lulije Abiu, e cila vetëm pak ditë më parë ka lindur fëmijën e tetë. Nuk ankohet dhe nuk pret ndihmë nga askush. Ndonëse më i vogli i saj është i porsalindur, Lulija thotë se ka ndërmend të bëjë sërish fëmijë, për ta çuar numrin në 10. Si për të dhënë një mesazh të fortë për gratë dhe vajzat e reja të moshës së saj, ajo shprehet se, asgjë nuk është e përjetshme, por fëmijët, po.

Lulije Abiu, në maternitet me foshnjën e porsalindur
Lulije Abiu, në maternitet me foshnjën e porsalindur

“Ata janë pasuri… çfarë do që të jetë, djalë apo vajzë”, me këtë moto Lulija ka dhjetë vjet që vetëm numëron pinjollët. E sheh si çështje të familjes së saj, ndërsa tregon se të gjithë fëmijët i ka ushqyer me gji. 31-vjeçarja, përveçse e plotësuar si nënë, duket e palodhur dhe plot optimizëm.

“E lumtur, e mbushur…”, shprehet ajo duke mos qenë në gjendje të artikulojë më shumë fjalë nga emocionet. Lulija është martuar 20 vjeçe dhe një vit më pas u bë nënë për herë të parë. Do të ishte ajo ndjesi që do ta motivonte nënën e re të bënte ndryshe nga bashkëmoshataret e tjera.

Sot, fëmija i madh i saj është 10 vjeç. “Sa më shumë fëmijë të ketë një grua aq më e lumtur do jetë. Unë do t’i bëj dhjetë fëmijë. Të lindësh fëmijë nuk është frikë, është bekim. Fëmijët në të ardhmen të bëhen krahë”, thotë Lulija.

lulije1

Familja Abiu jeton prej vitesh në Mërtish të Lushnjës. Nëna heroinë është nga Kukësi, ndërsa bashkëshorti i saj nga Dibra. Kanë ardhur në Lushnjë sepse e dinin që aty toka ishte e begatë dhe mund të jetonin më mirë sesa në veri të vendit. Qëkurse nisën të jetonin aty, kur ishin të sapomartuar, burrë e grua nisën të merren me bujqësi dhe blegtori, ndërsa dashuria për njëri-tjetrin duket se do t’i mbante lidhur çdo kohë. Sot familja numëron 5 djem dhe 3 vajza.

Në shtëpi kanë filluar të punojnë edhe dy fëmijët e mëdhenj, 10 dhe 9 vjeç, të cilët i ndihmojnë prindërit e tyre duke bërë të njëjtat punë si ata. “Jemi familje e lumtur dhe nuk kemi asnjëherë debate. Secili e di punën që i takon”, thotë Lulija, së cilës gati çdo vit i është dashur të mbajë në bark nga një bebe. Familja merr vetëm një ndihmë ekonomike shumë simbolike dhe nuk ankohen, ndonëse nevojat për mirërritjen e fëmijëve janë të mëdha.

Edhe pse familje me shumë fëmijë, deri tani askush nuk është interesuar t’u vijë në ndihmë, duke e lënë këtë çift unikal bashkëshortësh të vetëm në zgjedhjen e tyre. Ndërkohë, 4 nga fëmijët presin të shkojnë në shkollë këtë shtator.

Familja Abiu nuk ka asnjë mundësi t’u blejë rroba apo mjete mësimore, ndërkohë që në bazë të ligjit për arsimin, fëmijët duhet t’i marrin falas librat, duke qenë se janë shumë fëmijë. “Normalisht që jemi në vështirësi se kemi tetë fëmijë. Por, tani nuk kemi çfarë të bëjmë, mundohemi të punojmë sa më shumë”, përfundon nëna 31-vjeçare.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura