“Lind nga perëndon”, rruga drejt Europës

Oct 20, 2021 | 8:10
SHPËRNDAJE

josif-papagjoni-1-770x433JOSIF PAPAGJONI

Është e habitshme, por Mustafa Nanon e kam njohur si përmes një tisi përfytyrimi nga Pirro Mani, diku në fundvitin 1997 a fillimvitin 1998. Doja të shkruaja një monografi për të madhin e teatrit tonë, çka e botova në vitin 2000 nga Akademia e Shkencave dhe shkoja shpesh aty në shtëpinë e dikurshme të Pirros, e cila tashmë është rrafshuar (janë ngritur godina dhe një pjesë e truallit është bërë bar kafe, restorant). Teksa pinim kafe në oborrin me hurma, nisa ta incizoja. Papritur Pirua ndaloi. “Lëre fare,- më tha,- nuk shkon!”. “Pse”, i thashë. “E ku bëhet teatër tani, fjalën e ka marrë automatiku. E lexove ç’kishte shkruar Nanua, i kishin vënë dinamitin një tjetër shtylle të tensionit të lartë. Tmerr! Po ç’është kjo hata, more Sifi, ç’është kjo çmenduri! Lexoje, lexoje!”. Dhe më zgjati gazetën. Mua më erdhi inat dhe ia prita: Po çfarë Nano, o Piro, aman! Të dy këta, Berisha dhe Nanua, e gatuan këtë çorbë; janë për t’i futur brenda, po kush t’i fusë?! “Po ç’faj ka Nanua”, m’u kthye i habitur Pirua. “Si, ore, s’ka faj?!”. “Jo, jo, s’ka, Nanua sa ka fuqi e thotë, e bën, madje trimërisht, pa iu dridhur qerpiku,- ndezulloi Pirua. -Lexoje, pra, është artikull i fortë!”

Atëherë i rashë në të. Fjala ishte për gazetarin Mustafa Nano dhe jo për kryetarin e Partisë Socialiste dhe ish-Kryeministrin Fatos Nano. I hodha një sy të shpejtë! Dhe qysh atëherë kam lexuar mjaft nga Mustafa Nano duke e çmuar si një nga gazetarët mendjehapur, me një stil të shpenguar, kulturologjik, të guximshëm, që s’ia bën syri tërr dhe është përballur me çdo pushtet abuziv, sidomos me modelin arkaik, autokratik dhe folklorik të Sali Berishës. Dhe kur? Në një kohë kur ai, i “bekuar” si kinse lideri i demokracisë, e vringëllinte bukur mirë shpatën e pushtetit dhe, kur ia deshte mideja, të bënte gjëmën…

Po ç’duhet kjo hyrje e gjatë për Mustafa Nanon dhe performancën e tij “Dielli lind andej nga perëndon”? Ja, ashtu kot, për qejf. Dhe jo vetëm. Edhe për mendjehapjen e tij, për atë përmasë qytetarie që ky njeri e shpërndan si pjalm sa mundet, në vetëdijen e njerëzve dhe udhëkryqet tona. Gjithë këtë synim të dëlirë do ta quaja bile të bukur, ai e ka sjellë jo veç në shkrimet e tij të pafundme dhe debatet në televizione, por edhe në ligjërimet përballë spektatorëve në formën e asaj që quhet ndryshe “One man show”. Afërmendsh ai nuk është aktor dhe nëse do të merrte pozën e aktorit, mjerë ligjërimi i tij! Unë e dija këtë, teksa ia ktheva shpotisë së një mikut tim që më thosh: “Pse aktor është Muçi?!”. Unë i di dhe ca specifika të llojeve të tilla teatrore si “One man show”, ku gabimisht, ndofta, ai e ka cilësuar edhe ligjërimin e tij, pasi elemente teatrore aty ka fare pak: thjesht skena, një tavolinë, ca drita të lokalizuara diku, kaq. Ndofta më mirë le ta quante një “Stand up”, një formë tejet e njohur, posaçërisht në Amerikë, Angli dhe vende të tjera, ku tanimë “aktori” pranohet si një ligjërues televizioni dhe skene, i cili bën subjekt të rrëfimit ndodhi të jetës së tij, të përthyera në një spikamë komike, satirike dhe humoristike. Eeee, po ç’rëndësi ka kjo, “bishti s’është më i rëndë se sqepari!?”. Performanca e Mustafa Nanos kishte një vesk vetironie përgjatë rrëfimit, por nuk qe prore komike a humoristike. Përkundrazi, falë ndoca ndodhive të jetës së tij, ca mbresave, bisedave me të tjerët, ajo mëtonte tjetër gjë; mëtonte të ngacmonte disa dukuri që lidheshin me një farë antropologjie të ngurtësuar të shqiptarëve sa i takon konceptit mbi dashurinë dhe raportin burrë-grua në një martesë a qoftë dhe në një marrëdhënie seksuale; dhunën mashkullore ndaj femrës, madje edhe ndaj fëmijës tënd (vajzë), e përligjur pikërisht nga kjo antropologji kulturore e zakonore primitiviste, nga kodet e pashkruara, por edhe ato të shkruara si “Kanuni”, ku gruas i rezervohet vendi i ferrit, nënshtrimi pa kushte dhe poshtërimi, gjer edhe e drejta për ta vrarë nëse ajo shkel “nderin”. Por cilin “nder” vallë? Dhe këtu gazetari, falë disa qasjeve inteligjente dhe rrëfimeve të ankthshme në brendësi, nënkupton një “tërmet” që duhet të ngjasë në shoqërinë tonë sklerotike, një shkundje me tërësej, ku barazia gjinore është kilometra dritë larg nga vendet e Europës Perëndimore. Nisur nga mëria që ka, Nano pohon, pak a shumë, se kjo marrëdhënie e fosilizuar burrë-grua, ku pushteti i burrit ndër shqiptarë është absolut gjer në heqjen e jetës, nuk ka ndryshuar në shekuj. Kjo mynxyrë e kjo zezonë ka kastruar energjitë qytetëruese të shoqërisë sonë. Koha duket sikur ka ndaluar. Nuk ka shumë rëndësi regjimi apo raportet sociale dhe lëvizja historike. Unë e mirëkuptoj autorin, pasi ai priret nga një ide dhe qëllim për ta bërë sa më të ndjeshëm këtë raport të ngrirë. Por, nga ana tjetër, unë gjykoj se shoqëria shqiptare ka përparuar në mënyrë të jashtëzakonshme edhe lidhur me emancipimin e femrës dhe raportet burrë-grua, gjer tek ato intimet, seksualet; është moderuar forma e martesës, lidhja erotike, bashkëjetesa etj. Ai tregon, për shembull, për nënën e vet që pat dalë diku në një vend europian dhe ishte pataksur me veshjet dhe sjelljet e grave aty: “Ato janë të lira!”. Në vitet e rinisë sime, aty në Sarandë apo në Pukë ku isha me punë ca kohë, unë kujtoj se si gratë, gjer dhe gjyshet tona, i hoqën tumanet, dimitë, veshjet e rënda, xhubletat, shamitë e bardha a të zeza, dhe veshën fustane të holla, pantallona, nxorën format e trupit, u hodhën në det jo më me këmisha të holla si diku në vitet ‘50, por me mbathje banje e sutjena, lëshuan flokët në supe apo i shkurtuan ato, u hipën biçikletave. Dhe sot puthen para nesh, nuk kanë drojë ta shfaqin dashurinë e tyre. Kam shqyer sytë dikur në Aleksandri, Egjipt, kur gratë futeshin në det me gjithë triko, fustane të gjata dhe çizme, ndërsa burrat mbanin mbathje banjoje! Ptu, sikterr ju palo burra idiotë! – më brriti truri. Sigurisht, ky emancipim nisi qysh me motrat e Mbretit Ahmet Zogu I dhe vajzat e elitës së shkolluar shqiptare të viteve ‘20 e ‘30. Mendoni se sa e vështirë ishte?! Orienti, me turqit dhe sheriatin, na la një Shqipëri të këllirtë, të paditur, idiote. Por edhe “Kanuni” nuk ishte më i paktë. Dhe ja kështu, herë si zvarritur dhe herë me vrap, ne iu dhamë një shkelm të fortë mumieve antropologjike mesjetare dhe totemeve zakonore paraqytetare. Kemi lëvizur, gjithsesi. Pse ne, djelmoshat e brezit tim, vallë a nuk u ikëm mblesërive dhe a s’u martuam me dashuri? E pra, dashuria hyri vrullshëm në modelin e familjes shqiptare, martesës, lidhjes.

Por ja, koha rrjedh dhe të tjera ndryshime vijnë si një proces i natyrshëm. Unë këmbëngul pikërisht se qytetërimi ynë, edhe në raportin burrë-grua e të tjera dukuri që Nano prek në ligjërimin e tij me ashk dramatik-sarkastik, vijnë butë, pak nga pak, si nën syprinë, jo me përmbysje drastike, por me një evolucion të pranueshëm brenda nesh. Përmbysja e jashtëzakonshme që ndodhi edhe në kuptimin e dashurisë dhe raportit erotik-seksual në çift pas vitit 1990 solli tronditje e trauma të mëdha. Por pak nga pak njerëzit u mësuan dhe brezi i ri është ku e ku më tej sesa ne, “spartanët” e brezit të vjetër. Të mos harrojmë se edhe në Europë i ashtuquajturi “revolucioni feminist” nisi në mesin e viteve ‘60 me “Norën” e Ibsenit, ndërsa “revolucioni seksual” në vitet ‘70 me protestat e hipive në Amerikë e gjetkë.

Më lanë mbresë edhe shumë ide të tjera që vinin si një holiogramë e ndodhive të vetë Mustafa Nanos, të përthyera në narrativën e tij mençurake. Bie fjala, paragjykimi fetar, gjer tek emri i autorit, Mustafa, është pjesë e dhunës edhe kjo. (Teksa lexoja emrat e studenteve në Arte para disa vjetësh, sa shqiptova emrin Meleq, studentët qeshën me kukurizma, pa ditur se Meleq do të thotë engjëll, dhe emrin atij ia kishte vënë babai për babanë e vet, siç Mustafa Nanos ia pat vënë gjyshja për të “ngjallë” të shoqin e vet). Dhuna, ky instinkt i verbër, parak, i kthyer në veti për shqiptarët, kjo gatishmëri për t’u hakërryer me tjetrin me thikat në bark për një fjalë goje, për një gjest; kjo krenari boshe dhe kapardisje prej maçoku duke sfiduar të mirën, të dobishmen, komunitaren, të butën, siç një turist pastronte një ditë vendin nga shishet plastike dhe mbeturinat, ndërsa disa të rinj e sfidonin atë në mënyrë harbute alla shqiptarçe duke ia vërvitur shishet e birrës në kokë. O tempora, o mores! Sa më parë duhet ndryshuar! Po kush do na ndryshojë? Vallë të shpiket një fe e re, një profet i ri? Apo palimpsesti i një Bible a Kurani të shek. XXI, një Krisht, një Muhamet, kush? Në fund, në apelin për ndryshim, Nano sjell në formë të konvertuar dhe të aktualizuar mesazhin ungjillor të Krishtit, me një amin dhe “aleluja” pasionale, që më në fund edhe shqiptarët të bëhen europianë, që Europa të vijë ndër ne si frymë dhe, pra, t’i ikim përfundimisht Lindjes dhe antropologjive arkaike duke shkuar andej… “ku lind nga perëndon”… Dhe kjo është një fjalë e artë si psalm, të cilën e duam të gjithë.

Epo… “Aleluja” pra! Ashtu qoftë! So, be it!

© Panorama.al

Te lidhura