Linçimi i Sali Berishës dhe ndasitë Veri-Jug

May 30, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Parlamenti i Shqipërisë nuk ka degraduar veç në brendinë e tij kaq të diskutuar për njerëzit me rekorde kriminale, për gjysmë analfabetët mendimtarë, për servilët krenarë dhe zelltaret hakërryes që e shquajnë në segmente të tij kaq bujarisht, por edhe në formën e vet institucionale. Përjashtimi me dhjetë ditë për herë të dytë në harkun e një kohe të shkurtër të ish-Kryeministrit Sali Berisha është produkti kryesor i këtij Kuvendi së fundmi. Kësaj here, Berisha iu drejtua Kryeministrit me termin e rëndë “kriminel”.

Deduksionet logjike nuk e ndihmojnë Berishën për ta vërtetuar akuzën e vet. Formalisht dënimi justifikohet duke u kacavjerrë në paradigmat e rregullores. Personalisht mendoj se “byroja” e Kuvendit, më shumë se për të rikthyer dinjitetin etikës, u përdor si mballomë për t’i mbyllur gojën deputetit në fjalë për specifikat e tij. Retorika dhe gjuha politike harkuar pasioni dhe tensioni, presioni dhe agresioni jo rrallë i kalojnë caqet. Një muaj më parë, ky komision e dënoi Berishën për ligjëratën e tij mbi mundësinë e një ligji për armët.

Arsyetimi bindi jo shumëkënd. Indiciet të çojnë se pas këtyre vendimeve fshihet Edi Rama, i cili ka drojat dhe makthet e veta ndaj personit. Sali Berisha nuk është mbi ligjin, por as nën të. Masa kësodore merren për të kompleksuar opozitën, qëndrimet e Bashës, si dhe për të radikalizuar qëndrimet e saj. Ka një garë në pallatet e pushtetit për t’i faturuar asaj dështimin e Reformës në Drejtësi. Ekstremizmi në reagim shpreh ekstremizmin në panik. Përtej rastit të fundit, vërejmë se përballë fjalës ushtrohet mohimi i saj. Përballë faktit, tundet ndëshkimi.

Natyrisht ndaj Berishës ka pasur dhe ka një industri të hazërtë propagande aq intensive. Ia kanë dalë të krijojnë një kompleks te shumëkush, përveç te shtypi i opozitës, që të thonë publikisht disa të vërteta rreth tij. Zaten të privilegjuar janë të gjithë ata që u thahet gjuha në rreshtimin e të metave, fajeve apo dështimeve të Berishës, të cilat në 25 vite jetë politike nuk mungojnë. Vetvetiu merret me mend se Berisha ka qenë një pengesë e madhe për ta.

Kjo kategori vetëpërcaktohet si bashkëkohore, liberale, postmoderne, “shoqëri civile” etj. Ata financohen nga Sorosi, posedojnë OJQ me bereqet dhe vishen hijshëm plot lezet. Ata priten në ambasada buzë akshami dhe natën nga rrëfimi nuk u zien xhani. Ata na përfaqësojnë nëpër simpoziume ndërkombëtare. Në ballë u rri pikëllimi se ky vend primitiv nuk i merituekesh, teksa e mjelin më pasion. Ca prej tyre urrejnë Kosovën.

Dikush sish urren Veriun dhe Berishën meqenëse vjen nga ato vise, edukuar që në vegjëli me kujtime baballarësh që nuk lanë krim dhe mynxyrë pa eksperimentuar duke e bërë historinë të pabesueshme, dhe të pabesueshmen mburojë për fëmijët. Disa nuk lexojnë libra, por kopertina.

Të tjerë, mantelin e kulturologut, që u rri si shala gomarit, nuk e heqin kurrë. Ndonjëherë nuk shkruajnë se nuk dinë, por flasin, japin mendim për gjithçka. Nuk e njohin ngurrimin, karakteristikë kanë guximin. Disa shkruajnë dhe pendën e zatesin si dyfek me gjalmë. Ata janë ekspertë të gjeopolitikës, etikës dhe Republikës. Ata bëjnë hoka me Kryeministrin dhe ai u ofron qoka. Ata e përkëdhelin, teksa ai buzëqesh atërisht dhe i këshillon verbalisht. Vite më parë, Kryeministri ishte njëri nga ata, tani u ka hipur sipër si aga.

A e tepron ndonjëherë Sali Berisha në ato që thotë e shkruan? Sigurisht që po, dhe jo pak herë. Por nuk është kjo tepri që e shqetëson Edi Ramën, madje as tepria e fundit. Ai ka tre vjet në pushtet dhe s’ka bërë pothuajse asgjë. Asnjë gjë të vetme për t’u mburrur dhe ka bërë shumë gjëra për të vënë kujën. Atij po i ikën populli që qeveris.

Me gjasë do të mbetet një Kryeministër pa popull. Qeverisja e tij ecën mbi skandale kronike. Këto duhej të ishin tri vitet e tij më të mira, më të suksesshmet, më frymëzueset. Përkundrazi, janë depresive dhe të mjera. Ndaj na lind e drejta të mendojmë se edhe nëse Rama rri 10 vjet të tjera në pushtet, asgjë të mirë nuk do të bëjë. Nuk ka kapacitet menaxhues dhe politik për të bërë më shumë, për të bërë më mirë. E molis marazi. E mbështjell pezmi. E tremb dështimi.

E udhëheq frika. Nuk e zë vendi teksa krahasohet me Sali Berishën, të cilit sado t’i përmendin (se historisë nuk i fshihet asgjë) simptomat autoritare të mandatit 1992-1997, spastrimet në parti (ndonëse i riktheu të gjithë në vitin 2005), zgjedhjet e majit 1996, ashpërsinë ndaj opozitës së kohës, skemat piramidale të vitit 1997, qeverisjen me Ilir Metën (tani aleati i nderuar i Ramës) etj., ai e ka të qartë se ligjësitë e historisë i tejkalojnë paranojat.

Llogaria nuk i del. Mërzitet deri në pakontroll! I shpërthen salierizmi me llakerdi e potere. Sali Berisha do të kujtohet si personaliteti që udhëhoqi lëvizjen demokratike dhe vendin drejt demokracisë e kapitalizmit.

Do t’i njihet merita si shtetari që përcaktoi aksin gjeostrategjik të kombit në aleancë me Perëndimin SHBA-Europë, si lideri që riktheu Kosovën në kryetemë të politikes së jashtme shqiptare, si politikani që firmosi marrëveshjet më të rëndësishme ndërkombëtare, ato të integrimit e mbi të gjitha, të anëtarësimit të vendit në NATO dhe lëvizjes së lirë, një ëndërr kjo 70-vjeçare.

Po ashtu, për mandatet 2005-2013 do t’i kujtohen arteriet e mëdha rrugore që nxorën Shqipërinë nga një gjendje mesjetare, autostradat, rrugët, arrestimi i bandave që terrorizonin vendin, dyfishimin e rrogave dhe të pensioneve për disa kategori shoqërore, projekti TAP i gazifikimit etj,. Pse jo, edhe si Presidenti që u rrëzua me pushkën e rebelimit dhe u bë Kryeministër me votën popullore.

Pa mëshirë detraktuesit do t’i kujtojnë edhe gabimet, edhe fajet. Çdo gjë sepse historia nuk pyet për interesat dhe emocionet e ditës. Po Edi Ramës çfarë do t’i kujtojë ajo? Një pyetje që mbase ai ia bën vetës nën shoqërinë e hënës në Surrel. Të shumtë ishin ata që besonin se Shqipëria meriton më shumë se kaq.

Të shumtë dhe më të drejtë ishin ata që besuan se Shqipëria meritonte më tepër mirëqenie, si dhe mund të bëhej më demokratike. Ata votuan Edi Ramën se besuan në premtimet e tij të bujshme. Ky i gënjeu paraprakisht, ndërsa që ditën e parë të pushtetit rrenat konfiguroheshin, duke lënë pas boshllëk. Ka ëndërruar gjatë të marrë karrigen e Sali Berishës me hir e me pahir.

Tashmë e ka. Nuk di ç’të bëjë me të. Asnjë punë publike, krizë ekonomike, hemoragji demografike, korrupsion, trafik droge, paaftësi, rroga e pensione që nuk rriten, ministra nënmediokër dhe të përfolur, si dhe skandale të pashembullta e konturojnë çdo ditë. Atëherë i turret Sali Berishës që ia kujton me këmbëngulje stoike krahasimin.

Ai mendon se kështu i harrohet aktualiteti, dështimi, drama si administrator i vendit dhe këso mënyrë e rivalizon në histori duke u sjellë si mësues kujdestar i Kuvendit. Ndoshta i vetmi objektiv i realizueshëm që i ka mbetur është të kujtohet si Kryeministri që i theu notën në sjellje Sali Berishës, i cili në fjalimin e fundit në Parlament, veç të tjerash, e akuzoi si racist dhe diskriminues ndaj Veriut të Shqipërisë. Dihet botërisht që e majta shqiptare që në ngjizje ka pasur një marrëdhënie të keqe me Veriun. Ajo ka qenë dhunuese ndaj tij.

Qysh ditën e parë të pushtetit të saj, më 29 Nëntor 1944, ajo veç u mundua të gjejë bashkëpunëtorë dhe kolaboracionistë, duke rekrutuar individë të caktuar, sepse nuk gjeti kurrë mbështetje masive atje. Ashtu veprohet edhe sot, rekrutime individuale sipas biografish që nevojiten. Ndasitë dhe perceptimet që krijoi regjimi tashmë janë të njohura.

Ato kanë krijuar një mentalitet, një sjellje dhe sindromë politike e kulturore përçarëse. Në periudhën e pluralizmit pritej që e majta e re të distancohej, por e ka të vështirë të ndahet sosh, kund për arsye elektorale, kund si vazhdimësi e trashëgimisë politike. Pranohet pa vështirësi që Veriu në shumicë ka mbështetur PD gjatë këtyre 25 viteve, edhe për arsye historike. Fabrikat që prodhojnë lëndë të parë për ndarje krahinore kanë punuar me kapacitet të plotë në Tiranë.

Në vitin 1997 punonin me tri turne, tani ndoshta me dy. Terminologjia “malok”, “çeçen”, vërshimi i tyre në paroditë e humorit, krijimi i stereotipeve dhe toposeve nga Veriu i Shqipërisë si përfaqësues dhe dominues të krejt arealit ka pasur dhe ka edhe qëllime të pastra politike. Rrethi i Ramës nuk duket duarjashtë në të tilla kompozime.

Përfaqësimi politik që i ka bërë atij në Parlament, cilësia e elementit njerëzor që ka zgjedhur si përfaqësues dhe buxhetet katastrofike që u cakton bashkive të Veriut. Këto janë dy pamjet e një realiteti që Kryeministrin e vënë në pozitë të vështirë përballë kësaj zone, që mund të përmblidhen si lënda njerëzore, imazhi dhe ekonomia.

Sali Berisha -i cili gjatë pushtetit të tij ka bërë çmos duke u vetëmodifikuar çdo ditë, të shfaqet edhe si përfaqësues i Jugut, njësoj si i Veriut në shpërndarjen e investimeve apo në ndarjen simbolike të pushtetit me këto dy elementë “të artë” -ka të drejtën e zotit të gatuajë ligjërimin e tij politik siç ia do zemra. Aty ka vend, çështje interpretimi për identifikimin e diskriminimit, për termin racist e për të tjera llagëpe.

I rritur mbase me kultin e forcave të ndjekjes që kapnin diversantë në malet e Gegnisë, nëse gjykojmë edhe nga disa skica të botuara në organin e Sigurimit të Shtetit, Rama nuk është çudi të tazitet nën hijen e një peme monstruoze, pikërisht asaj që i ushqen rrënjët me racizëm ideologjik e krahinor dhe përcaktimi si “kriminel” e ndihmon atë për të mbuluar akuzat e tjera që bëri Berisha.

Kur Cezari mundi Pompein, ushtarët e tij filluan të prishnin statujat e rivalit. Sapo e mori vesh, Cezari dha urdhër të ndëshkohen shkatërruesit, të restaurohen dhe të mos cenohen monumentet. Ciceroni pat thënë se me këtë gjest, Cezari nuk mbrojti Pompein, por ngriti statuja të përjetshme në zemrat e romakëve.

Me gjasë këtë nuk ia ka rrëfyer Avokat Ngjela Kryeministrit aspak galant, i cili beson se mund të sfidojë edhe natyrën e gjërave, duke u hazdisur me karrigen kryeministrore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura