Limos Dizdari: Më kanë kërcënuar, i kam çuar mesazh Kryeministrit

May 3, 2016 | 8:44
SHPËRNDAJE

Bustet e Naimit, Nolit, Beethoven-it, që ai ka vendosur në Qendrën Kulturore “Dea” në Ksamil, ish- Vatra e Kulturës, nuk e “shpëtuan” dot artistin Limos Dizdari nga telashet.

Limos Dizdari
Limos Dizdari

Pas vitesh përpjekjesh nëpër gjykata dhe investimi, për të kthyer një godinë të braktisur në një qendër kulture, ai përballet me kërcënimin e disa qytetarëve, të cilët pretendojnë se e kanë blerë këtë ndërtesë në vitin 1990.

Ndoshta duket si një histori si mijëra të tjera në Shqipëri, me telashe pronash, por historia bëhet më e prekshme, kur kërcënohet me jetë një artist dhe 16 intelektualë (Xhufi, Jorgaqi, Koço, Hristafi, Gurakuqi etj.)hartojnë një peticion, përmes të cilit i kërkojnë shtetit mbrojtjen fizike të Limos Dizdarit.

Kompozitori i njohur, i cili është zhvendosur nga Tirana në Ksamil, na tregon historinë e Qendrës “Dea”, kalvarin e gjyqeve, kërcënimet e fundit dhe mesazhet e shkëmbyera me Kryeministrin Edi Rama.

Një grup intelektualësh kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit i kërkojnë shtetit dhe qartësisht Policisë së Shtetit mbrojtjen tuaj. Nga kush jeni kërcënuar?

Është një akt që pa dyshim e vlerësoj shumë, por nuk bëhet fjalë thjesht për mua, por është një atentat kundër kulturës. Duan të fiket rrezja e kulturës, e dijes. Bëhet fjalë për Qendrën “Dea” në Ksamil, ish- Vatra e Kulturës, e cila ishte tërësisht e shkatërruar dhe ku kam ngritur një pinakotekë të pikturës dhe skulpturës, një sallë librash me 8 mijë tituj, dhe studentë të pianos kanë fituar jo vetëm në Akademinë e Tiranës, por edhe në Lion, ata kanë fituar konkurse ndërkombëtare… Kjo është e vetmja qendër kulturore e mbetur gjallë, ndërsa të tjerat (25 të tilla) janë kthyer në hotele e modele. Dhe tani, pas 25 vjetësh, ngrihet dikush dhe thotë që në vitin 1990 e ka blerë atë pronë. Kur i pyet se ku i kanë dokumentet, thonë se nuk kanë, se ashtu ishin kohët, se ikën në Greqi… Por as e kanë hipotekuar. Si mundet që dikush të marrë pronën pa një vendim? Një qytetar i thjeshtë ngrihet dhe të kërcënon se do të të bëj këtë e atë. Në fakt, e mora me shumë qetësi, por pyetja që ngrihet është se ku e gjejnë këta njerëz të thjeshtë, të vegjël, gjithë këtë forcë dhe gjithë këtë guxim, që arrijnë deri në kërcënim.

Keni kërkuar mbrojtje?

Jo, nuk kam kërkuar mbrojtje, por disa ditë më parë, i kam bërë një mesazh Kryeministrit Rama, ku i shkruaja se “Ndihem maksimalisht i kërcënuar. Kërkoj një takim për të përcaktuar të ardhmen time të mëtejshme”. Mos bëj gabim që më dhimbset jeta?!

Cila ishte përgjigjja?

Ai më ktheu përgjigje, se meqë e kishte të pamundur atë ditë, të drejtohesha te sekretari i përgjithshëm, i cili më priti dhe më tha se do të ndërhynte për zgjidhjen e këtij problemi. Por kanë kaluar 8-9 ditë që atëherë dhe ende nuk di se ç’do bëhet.

Cila është historia e pronës që ju keni në përdorim?

Me vendim 204, të vitit 1992, “Për pasurinë e sindikatave” kjo pronë, ish-Vatra e Kulturës së Ksamilit, i kaloi Konfederatës dhe Sindikatës së Pavarur. Kryetari i kësaj të fundit e ka shitur disa herë. Pas disa vitesh u ble nga firma rentiere “Silva”. Pas rënies së firmave piramidale, ajo u sekuestrua. Unë e kam marrë atë me qira në vitin 2000. Kemi kaluar 5 vjet gjyqe për shkak të pretendimeve të Sindikatës. Me ligjin 83-40/1 të vitit 1998, të gjitha pronat bujqësore që i kishin marrë sindikatat dhe konfederatat, kalonin nën juridiksionin e pushtetit vendor, të cilët më dërgojnë një shkresë, sipas së cilës detyrimet unë duhet t’ia kaloja pushtetit vendor. U kërkova të bëja një kontratë të re, por më thanë se prisnin të merrnin në dorëzim listën e pronave. Si gjithçka që zvarritet në këtë vend, kështu ndodhi edhe në këtë rast. Që prej vitit 2010 u jam drejtuar të gjithë ministrave të Ekonomisë që kanë të drejtë privatizimi, edhe ish-kryeministrit Berisha. Më kërkuan të bëj një vlerësim sipas normave të shtetit të investimeve dhe të pronës dhe nëse investimet e kalojnë 150% të vlerës së pronës, atëherë ke të drejtë ta bësh blerjen menjëherë. E vlerësova 54 milionë lekë, edhe pse kap shumën e 700 mijë dollarëve. Kanë kaluar vite qysh atëherë dhe asgjë nuk është bërë.

Po tashmë nga kush kërcënoheni? Pra, pronës i ka dalë pronari?

Është një zonjë, që kishte një kafene me 5-6 tavolina, e cila pretendon se ia ka blerë Ndërmarrjes Tregtare të Sarandës. Po si mund t’ia blinte Ndërmarrjes Tregtare, kur ajo i takonte Ndërmarrjes Bujqësore? Në gjyqin e parë, ku nuk u thërrit asnjë nga palët e interesuara, pra Komuna e Ksamilit dhe Qendra Kulturore “Dea”, ata fituan, pasi me shumë gjasë e kishin “blerë” gjykatësen. Ne e çuam në Gjykatën e Apelit, e cila e hodhi poshtë vendimin e gjykatës. Vendimi i Apelit u çua në Gjykatën e Lartë, e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit. Kjo ka ndodhur në vitet 2008-2009.

Si u ringjall kjo çështje pas kaq vitesh?

Një vit më parë, pretenduesit nuk i drejtohen më gjykatës së faktit, por Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, duke kërkuar regjistrimin në Hipotekë. Avokatja e shtetit i kishte thënë se nuk mundeshin, pasi kishte mbivendosje. Në të vërtetë ata duhet të kishin mbrojtur pronën e shtetit dhe as të mos e kishin diskutuar këtë çështje, jo më t’i thoshin që kishte mbivendosje. Një vit më parë, bashkë me avokatin, hartuam një dosje të plotë të çështjes, me të gjitha dokumentet e rregullta dhe ia kemi drejtuar Kryeministrit, Presidentit, ministrit të Drejtësisë, Avokaturës së Shtetit dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Rreth 10 ditë më parë, ata vijnë e bëjnë protestë. Mendoj se ata diku kanë gjetur një pikë mbështetjeje, një pikë referimi (si Arkimedi). Ajo çka më shqetëson është fakti se ç’mund të ndodhë me njeriun e thjeshtë në të tilla rrethana…

Ç’do të bëni pas kësaj?

Nesër (sot) do të takoj avokatin e të shohim se ç’rrugë do të ndjekim, por unë kam shpresë. E drejta mënon, por nuk harron. / PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura