Liljana Katiraj, nëna e 4 jetimëve, që kujdeset dhe për 47 të tjerë

Sep 24, 2012 | 14:24
SHPËRNDAJE

Liljana Katiraj dalë për “Unë Gruaja” Foto: Erdi Mara

Në moshën 33-vjeçare mbeti e vetme, me katër fëmijë jetimë. Liljana Katiraj nuk i braktisi fëmijët e saj në jetimore, por i “vuri” shpatullat jetës për të qenë vetë burrë e vetë grua. Pa e ditur se shumë shpejt kauza e saj familjare, e rritjes së katër jetimëve, do të shndërrohej në një çështje shoqërore, që sot po merr formë…

Deri ditën që mësoi për sëmundjen e pashërueshme të bashkëshortit emigrant në Greqi, gjithçka brenda shtëpisë së saj i ngjante normalitetit. Pas vdekjes së të shoqit në moshë të re, Liljana Katiraj u gjend befas përballë vështirësish akute. Rrugëdaljet ishin vetëm dy: ose të pranonte fatin dhe të rriste e vetme katër jetimët e saj, ose t’i braktiste në një strehë jetimore në zonat përreth Gjirokastrës. Zgjodhi të parën. Shpesh ka ndodhur që fëmijët e saj nuk kanë gjetur bukë në dollap, apo nuk kanë pasur një veshje të mirë si gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Ngase Liljana kryefamiljare, me një rrogë shitëseje dhe një ndihmë sociale simbolike nga shteti, nuk mund t’ua plotësonte të gjitha katër jetimëve të saj. Pasi kanë kaluar 11 vjet që atëherë, kauzën e saj personale ajo e ka kthyer në shoqërore, duke ndihmuar 47 fëmijë jetimë të qytetit të lindjes, Gjirokastrës, duke u krijuar një strehë. Në fazën aktuale të projektit “Zemër Nëne”, 44-vjeçarja ka mundur të sigurojë ndihmesën e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, duke marrë në përdorim një godinë. Ndërsa, përmes kontributeve të biznesmenëve të Jugut, shoqërisë civile e më gjerë, po grumbullohet fondi ekonomik dhe material që do i vijë në ndihmë këtij targeti shoqëror në nevojë.

Historia familjare, drejt një kauze shoqërore

Liljana me tre nga katër fëmijët e saj, të mbetur jetimë, pas humbjes së bashkëshortit

Në Gjirokastër e njohin si nëna Lili. Pothuajse, të gjithë e thërrasin kështu. Kjo për faktin se ajo sot me plot gojën mund të quhet nëna e 47 fëmijëve jetimë të qytetit të Gjirokastrës, kategori në të cilën bëjnë pjesë fëmijët e braktisur, atyre që u mungon babai, apo fëmijë që vijnë nga familje të varfra. Për të mbërritur në këtë fazë të projektit “Zemër Nëne”, Liljana Katirajt i janë dashur vite të tëra përpjekje, duke hasur shpesh edhe në “shurdhëri” të pushtetit lokal dhe shoqërisë civile në tërësi. “Vendosa të ndihmoj fëmijët jetimë të qytetit të lindjes, Gjirokastër, që njësoj si katër fëmijët e mi, ishin pa prindër, dhe ndienin nevojën e një dore që t’i mbështeste. Kush më mirë se unë mund të kuptojë nevojat e tyre?! Në jetën e përditshme jam përballur me shumë vështirësi, sepse doja që katër fëmijëve të mi të mos u mungonte gjë. Kam punuar shitëse në tregti, por duke qenë kryefamiljare sërish e kam ndier peshën e problemeve. Ka pasur net që janë gdhirë edhe pa bukë, por nuk e kam lënë veten të më mbysë pesimizmi. Nuk m’u desh shumë që të bindesha, se si katër bonjakët e mi,- Gjirokastra kishte shumë të tjerë,- kishin nevojën e një strehe, për t’u ndier të mbrojtur dhe në përkujdesje të vazhdueshme”, thotë Katiraj. Jo vetëm në raste festash, por edhe në ditë të zakonshme kalendarike, me dëshirën e madhe që t’u ndryshoj sadopak jetën fëmijëve jetimë, Liljana ka shkuar derë më derë për t’u dhuruar pako me ushqime, veshmbathje, lodra e libra për fëmijë. Sikundër, në çdo fillim sezoni shkollor, ajo bën të mundur që me ndërhyrjen e saj këta fëmijë t’i marrin falas të gjithë librat e nevojshëm. Dhe kjo është parë si një mundësi e mirë, që edhe këta fëmijë me probleme sociale dhe ekonomike të mund të shkollohen, e jo të pranojnë rrugën dhe braktisjen e shkollës, si zgjidhjen më të lehtë. Në këtë nismë ajo ka gjetur përkrahje përmes donacioneve jo vetëm të shoqërisë civile, bizneseve të përqendruara në jug të vendit, por edhe fondacioneve dhe OJF-ve të ndryshme, të cilët kanë ofruar ndihmesën e tyre në vlerë materiale ose monetare për të ndryshuar sadopak jetën e kësaj shtrese në nevojë.
Qyteti i Gjirokastrës, tanimë me një shtëpi fëmijësh

Liljana gjatë një aktiviteti për fëmijët jetimë, të zhvilluar në Gjirokastër

Nisur nga historia e saj familjare, Liljana vendosi të mos linte gurë pa lëvizur, derisa kauza e saj shoqërore të gjente zgjidhje. Trokiti në dyert e pushtetit lokal, dhe mundi të gjejë mbështetjen e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, përmes të cilit tanimë është marrë në përdorim një godinë në qendër të Gjirokastrës. Projekti “Zemër Nëne” do të mundësojë një strehëz jetimore për fëmijët e braktisur, atyre që vijnë nga familje të varfra, por edhe fëmijëve që u mungojnë prindërit. Kjo strehëz nuk do të mundësojë vetëm strehimin ditor të fëmijëve, por do të funksionojë mirëfilli si një institucion edukimi dhe argëtimi për këta fëmijë në nevojë. “Deri më sot, në qarkun e Gjirokastrës nuk ka ekzistuar asnjë strukturë apo institucion zyrtar që të merret me kuadrin social të fëmijëve në nevojë. Madje, mungon edhe një planifikim në buxhetin e njësive vendore që të mund të mbështesë përmes programeve nevojat për edukim, shërbim shëndetësor, apo asistencë psiko-sociale për fëmijët jetimë. Nisma ime për të krijuar këtë strehëz, shkon përtej humanizmit tim si nënë e katër fëmijëve jetimë. Besoj se është nevojë emergjente që kjo kategori shoqërore me probleme të përfitojë një mundësi ndryshe, që mund t’u ndryshojë sadopak jetën. Tanimë që projekti është drejt finalizimit, ndihem nëna më e lumtur në botë”, përfundon Liljana Katiraj.

Statistika dhe projekti “Zemër Nëne”
Qarku i Gjirokastrës përfshin në juridiksionin e vet tri rrethe, gjashtë bashki, 26 komuna, 271 fshatra dhe 80646 mijë banorë. Janë regjistruar 450 familje, mes tyre 47 fëmijë jetimë, pa të dy prindërit. 70% e tyre jetojnë në zonat rurale, 30% në zonat urbane, ndërsa 60% e fëmijëve jetimë janë nën moshën 10 vjeç. Me projektin e ndërtimit të Qendrës Ditore për Fëmijët Jetimë, synohet krijimi i një strehe për fëmijët jetimë të qytetit të Gjirokastrës, Përmetit e Tepelenës. Ndër objektiva të tjera, janë asistenca sociale dhe psikologjike e këtyre fëmijëve, angazhimi në mësimin e gjuhëve të huaja, lojërave argëtuese, arsimimi etj.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura