Liliana Hoxha: Një libër-akuzë për Nexhmijen e Ramizin

Apr 2, 2012 | 15:24
SHPËRNDAJE

“Pushtimi i brendshëm”. Kështu titullohet libri i Liliana Hoxhës, të cilin sapo e ka hedhur në tregun e librit. Një përmbledhje me intervistat dhe shkrimet që ajo ka publikuar këto 10 vitet e fundit. Dhe kanë vetëm një qëllim: “të denoncojnë hapur” vjehrrën dhe pasardhësin e Enver Hoxhës.

Ajo është ndoshta i vetmi person në familjen e ish-diktatorit, që ka kërkuar ndjesë publikisht për të zezat që solli diktatura, edhe pse ajo nuk kishte ndonjë rol në vendimmarrje. Por, mjaft që kishte privilegje, që të tjerët nuk i kishin, që të ndihet në faj. E ndoshta kjo “mea culpa” i jep asaj sigurinë e të ecurit kokëlartë rrugëve të ish-Bllokut. E veshur bukur e me sqimë, shpeshherë e përqafuar me të shoqin, apo e shoqëruar nga e bija, ajo nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e kalimtarëve. Ajo nuk i trembet daljes në publik dhe ndryshe nga familjarët e tjerë të Enver Hoxhës, Liliana Hoxha nuk është tërhequr asnjëherë në hije. Nëse dikur nuk është se ia vinte veshin kush, sot ajo flet hapur për ato që ka jetuar, ato që ka parë dhe ato që mendon për diktaturën, vjehrrin e saj, vjehrrën, zhvillimet postdiktatoriale… Më shumë se kushdo tjetër ajo është ekspozuar duke dalë në media, në atë vizive, e përmes shkrimeve në gazeta, ku ka folur hapur dhe pa iu trembur qerpiku, aq sa ndonjëherë njerëzit e merrnin për të marrë. Në vijim të një “misioni” që ajo i ka vënë vetes, për të thënë të vërtetën, prej pak ditësh, Liliana Hoxha ka hedhur në treg librin “Pushtimi i brendshëm”. Një botim prej rreth 600 faqesh, i shtëpisë botuese “Konica color”, ku e reja e diktatorit ka përmbledhur të gjitha shkrimet publicistike dhe intervistat dhënë në shtypin e shkruar, apo median vizive. “Kam lindur me ndjenjën e detyrës deri në mision përtej vetes sime, çka u krye përtej të gjitha mundësive. Fati im për të hyrë në jetën e Enver Hoxhës në kulmin e besimit dhe dashurisë popullore për të, më predestinoi të vigjiloj njëherësh mbi të dhe popullin tim, si e njëjta gjë që ishin, siç e perceptoja unë. Paranoja e justifikuar e mbijetesës në izolim e Enver Hoxhës mund të shprehet kështu: “Asnjë shtet nuk është i garantuar për asnjë çast kundrejt të tjerëve, në lidhje me mëvetësinë e tij apo për pasurinë e tij. Vullneti për të vënë nën zgjedhë njëri-tjetrin apo për t’i kufizuar ekzistencën është në çdo kohë aty; dhe armatosja për t’u mbrojtur, e cila e bën paqen shpesh më ndrydhëse dhe më shkatërruese për mirëqenien e brendshme se sa vetë lufta nuk mund të dobësohet kurrë”. (Kant)

Liliana me bashkëshortin, Sokolin

Në emër të Enver Hoxhës, unë jepja jetën për familjen e tij. Po ashtu, në kohë, prej ndërgjegjësimit përjetësisht sinkron me ndjenjën patriotike, pikërisht në emër të Enver Hoxhës e të kombit, denoncoj publikisht rolin e Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës e familjes në rrjedhën historike të Shqipërisë, në këtë përballje publike 10-vjeçare, falënderoj çdo botues për mundësinë që më ka dhënë në kushtet e një censure të egër”, shkruan Liliana Hoxha, qysh në krye të librit të saj. I përkasin kryesisht dhjetëvjetëshit të fundit. Aty mund të mësosh për vizitën e parë në shtëpinë e Hoxhajve, takimin me Enver e Nexhmije Hoxhën, marrëdhëniet që kishte me të dy, për respektin dhe dashurinë e dukshme që ajo kishte ndaj vjehrrit të saj dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj Nexhmijes dhe Ramiz Alisë për izolimin e Shqipërisë, për vendimmarrjet pa dijeninë e ish-diktatorit, ngritjen e nepotizmit, deri te vdekja Enverit, në prillin e vitit 1985. Prej kohësh Liliana Hoxha i ka deklaruar “luftë të hapur” gjysmës tjetër të familjes Hoxha. “Kjo vepër është në të njëjtën kohë akuzë e ndjesë dhimsurie. Akuzë për autorët e pushtimit të brendshëm të Shqipërisë nga agjenturat e huaja e nepotizmi, që u ndje sidomos në vitet ’70-’90 (e deri sot), kur sistemi socialist nuk mund të mbahej dot më. Me rënien e komunizmit, pushteti u transferua po prej tyre, nën ortodoksinë e mafies ruso-serbo-greke, nëpërmjet tribadizmit, në të ashtuquajturin sistem PluRamizist (pluralist).
Ndjesë për çka jam, (ndonëse e çliruar shpirtërisht) e patjetërsueshme dpt, për çka ju kam dhënë apo mënyrën si e jap, por sidomos për çfarë nuk munda t’i jap në kohë popullit tim!”. Kështu e mbyll ajo librin e saj, e sigurt, “misioni” i saj nuk mbyllet këtu.

“Nuk isha më e zgjedhura e Sokolit, por e Enver Hoxhës”

Takimi i parë me Enver edhe Nexhmije Hoxhën dhe marrëdhëniet me të dy
Ajo ishte ende fëmijë, ku u njoh me Sokol Hoxhën. Ai ishte një djalë i pashëm, mund të kishte çdo vajzë që donte, por ja që iu vardis vajzës vlonjate, plot 7 vjet, deri sa ajo u bë gruaja e tij. Sigurisht Liliana nuk i trembej Sokolit, por asaj që do të vinte pasi të vinte këmbën në derën e njeriut më të rëndësishëm në Shqipëri. Dhe qëlloi që ajo ta donte shumë këtë njeri. Në të gjitha fotografitë ku ajo ka dalë pranë Enver Hoxhës, shihet se ç’adhurim ka ajo në sy, apo me ç’dashuri i mban dorën e ia afron në faqe. Në një nga intervistat e botuar në librin “Pushtimi i brendshëm”, dhënë rreth 10 vjet më parë, ajo flet pikërisht për kohën ku ajo hyri nuse në shtëpinë e Enver Hoxhës.

Kush nuk do të dëshironte në Shqipëri të kishte fatin tuaj. Si hytë në zëmrën e Sokolit?

Familja Hoxha

Ishim të dy 17 vjeç kur u njohëm, unë e Sokoli në gjimnazin P.N.Luarasi. Atëherë kjo moshë konsiderohej shumë e re dhe realisht nuk ndjeheshim të gatshëm për t’iu dhënë dashurisë më tërë qenien tonë. U miqësuam pa pasur kurrë një çast preciz për të kuptuar që isha e dashuruar me të. Përderisa që kur Sokoli më afrohet për herë të parë këmbëngulës dhe për 7 vjet me radhë, kur më në fund pranova të bëhem gruaja e tij, nuk u ndamë për as edhe një çast, kjo s’ishte veçse dashuri, nga ato proverbialet, për të tërë jetën.
A mund të na rikujtoni takimin e parë me “vjehrrin” tuaj Enver Hoxhën?
Që në vitin e parë të njohjes, në 1967, çdo Vit të Ri e kam kaluar në shtëpinë e Sokolit, me vëllanë e motrën e shokët e tyre. Pas orës 12:00 në mbrëmje, vinte Enver Hoxha për të na uruar Vitin e Ri. Qe kjo gjëja më e bukur e festes, vitet e para, kur paraqitesha thjesht si shoqe e Sokolit përpara Enver Hoxhës, krahasuar me vëzhgimin intens të shoqërisë së Bllokut tek ne të dy. Kur Enver Hoxha kërkon të më takojë posaçërisht si të zgjedhurën e Sokolit, unë nuk shkoj ta takoj nga ndjenja pothuaj e turpit, si t’i dilja përpara Enver Hoxhës me faktin që ne dashuroheshim prej kohësh e çiltërsisht. Kjo vazhdoi gjatë. U realizua ky takim nëpërmjet surprizës “kurth” nga ana e vetë Enver Hoxhës e Sokolit, kur unë pranova të shkoja në shtëpi të tyre, me kusht që të takoja vetëm Nexhmije Hoxhën, të cilën e kisha takuar posaçërisht edhe një herë tjetër.
Hapet dera e bibliotekës në katin e dytë të shtëpisë e papritur hyn Enver Hoxha. Befas, lumturia që pashë në sytë e buzëqeshjen e gjerë të tij, krejt si të Sokolit, më shkarkoi në çast të gjithë pengesën emocionale: frikën nëse do t’i hyja apo jo në sy, nëse isha apo jo e denjë për djalin e tij. Gëzimi i Enver Hoxhës më bëri të harroj për çka isha aty. Nuk isha më e zgjedhura e Sokolit. Tek ai gjeta njëherë e përgjithmonë vetëm Enver Hoxhën e shqiptarëve e si shqiptare e denjë (në këtë pikë isha e sigurt) s’kisha absolutisht pse të druhesha, se isha e barabartë me të. Për këtë na kishte mësuar vetë ai. Në tërë jetën time 22-vjeçare në atë moment, që në klasën e parë fillore, që në vjershat e fëminisë, që në qumështin e nënës.
Si sillej “vjehrri” me nuset e djemve?

Liliana me Enver Hoxhën

Ndërsa preokupohej si prind, që djemtë të përfaqësoheshin denjësisht me gruan e jetës së tyre, Enver Hoxha nuk bëri kurrë dallim midis djemve dhe dhëndrit, vajzës e nuseve, apo midis vetë nuseve.
-Ku po shkon Lilian?
-Në shtëpinë time, i përgjigjesha.
–Ku? insistonte me të qeshur.
Unë precizoja: Tek mami dhe babi.
-Ashtu!, vazhdonte ai. Kjo është shtëpia jote!
Dinte gjithmonë si të të ngrohte pa të rënë në sy. Ishte njeriu  më “njeri” që njoh. Vërtetësia e tij si njeri i jepte atë madhështi, së cilës i është kënduar dikur, së cilës i tremben sot e për tërë jetën kushdo, që qëllimisht do ta barazojë Enver Hoxhën vetëm me komunizmin.
Thonë se “vjehrrat” janë mistrece me nuset, po vjehrra juaj si sillej me ju?
Edhe sikur Nexhmije Hoxha të mos kish pasur vlerat e saj, për të cilat dikur e kam adhuruar, mjaft që ajo është gruaja e Enver Hoxhës, që unë automatikisht ta konsideroja siç edhe ia kam thënë, “grua shteti”. Prandaj unë, siç nuk e pashë kurrë Enver Hoxhën si baba të Sokolit, për të njëjtën arsye nuk mund ta shihja Nexhmije Hoxhën si nënë të tij, (e jo më me nëntekstin pezhorativ, “vjehrrë”) përveç se grua të denjë, siç e kam konsideruar deri vonë, të Enver Hoxhës. Me këtë sy, si pjesë të Enver Hoxhës, kam parë të gjithë anëtarët e familjes së tij dhe përkushtimi im ndaj tyre qe përkushtim ndaj Enveri Hoxhës. Nuk dua të injoroj edhe edukatën time prindërore, ku nuk njiheshin dhe nuk përdoreshin termat “vjehrrë” apo “kunata”, se prindërit e mi nuk kishin paragjykime të tilla. Edukata nga familjet kristiane të nënës e babait tim, të impononte përkushtim prej adhurimit reciprok të familjeve bashkëshortore, e sidomos ajo e gruas ndaj familjes së burrit, jo prej inferioritetit, po prej dashurisë. Gjithsesi, do të isha gjithmonë kundër këtyre paragjykimeve, që paracaktojnë raporte negative brenda familjes, në dëm të emancipimit të saj, të atij individual të çdo pjesëtari të saj, sidomos të gruas së moçme dhe atyre të reja. Se si më ka parë mua Nexhmije Hoxha, i takon asaj të flasë.
A i dëgjonte Enveri sugjerimet e djemve dhe nuseve për problemet e rinisë?

Liliana dhe Sokoli në rini

Enver Hoxha ishte i etur të dëgjonte nga ne çdo gjë. Ishim ne, që nuk guxonim të flisnim me të, te iluduar e të urdhëruar që duhet ta ruanim nga shqetësimet e se çdo gjë atij duhet t’i shkonte në rrugë zyrtare. Sidoqoftë, ai ishte gjithmonë shumë i preokupuar për rininë dhe i kujdesshëm për fantazinë edhe në veshjen e saj, për aq sa premtonin kushtet. Më kujtohet, që ai ka shkruar që rinia duhet ta zbukurojë e pasurojë veshjen e saj me modele të ndryshme, duke përdorur më shumë elementin: si xhepat, palat, fjongot e lulet. Enver Hoxha i hapte vetë këto biseda. Në këtë pikë ka shumë për të thënë…
Pas shumë vitesh keni dalë në shtyp me një varg shkrimesh e artikujsh. Ç’ndjesi ju detyroi të “zgjoheshit”?
Evoluimi i ngjarjeve drejt domosdoshmërisë së zgjidhjes, më bëri të vendos të flas sa më parë, ndërkaq kam qenë gjithmonë “zgjuar”. Kisha parashikuar të flisja shumë, shumë vonë. Me sa duket, vetë koha me zhvillimet e saj vendosi për mua. Tani jam e çliruar përderisa bëra publike gjithçka. Gjithkush të gjykojë vet. Sot mua me Sokolin na urojnë shumë për këtë gjë.

Nexhmija, fajtore për vdekjen e Enverit, s’u kujdes deri në fund

Dëshmitë e mjekëve të ish-diktatorit për 8 prillin e vitit 1985, kur e gjetën Enver Hoxhën vetëm, të rrëzuar nga shtrati.

Liliana me Nexhmijen

Në dhjetor 2011 botohet biografia e Enver Hoxhës nga Blendi Fevziu, shkruar me narrativë të qetë, ndonëse krejt i njëanshëm, pa mllefet e këtyre 20 vjetëve postkomunizëm. Unë nuk mund ta lexoja krejt librin prej lëndimit emotiv. Çudia ishte se Nexhmije Hoxha reagon furishëm në media nëpërmjet mjeshtrave të saj, me zëdhënëse mbesën e Ramiz Alisë e gruan e Ilirit. Them kështu se nuk ka pipëtirë publikisht për monografi, ku është stigmatizuar vetë ajo në mënyrë monstruoze, si te “Zonja e Zezë”, apo për biografinë tjetër të Enver Hoxhës, shkruar nga Kastriot Myftari. Madje, këtu thuhet se Enver Hoxha është fëmijë jashtë martese me një bimbash turk. Kjo furi ndaj Fevziut, që realisht 20 vjet duke mbrojtur Ramiz Alinë ka mbrojtur edhe atë nga akuzat tona, ishte shumë e pakuptueshme, deri në momentin kur unë u njoha me faktin që shtjellon Fevziu, se E. Hoxha më 8 prill 1985 realisht është gjetur i shtrirë në shesh pa ndjenja. I tmerrshëm ky fakt, sepse organizimi reanimativ ndaj tij ishte tepër, por tepër i rreptë, qoftë edhe formalisht. Domethënë, kur ekipi mjekësor sadopak pushonte, pranë Enver Hoxhës rrinte e shoqja. Ndoshta as Fevziu nuk e kupton, që pikërisht me këtë fakt thekson pa dashur akuzën tonë të shtjelluar hollësisht, së cilës i trembet më shumë Nexhmije Hoxha: çka ndodhur me shëndetin e Enver Hoxhës?
Ky fakt që tremb mbi gjithçka Nexhmije Hoxhën, e detyron të kundërshtojë për herë të parë dhe vullneti i saj, shprehet me djegien publike të librit. Në kohën kur shoqëria është emancipuar krahasuar me ‘90-n, kur revanshi antikomunist prodhoi djegien barbare të veprave të Enver Hoxhës, gjë që nuk justifikohet, por motivohet me psikozën e turmës në përmbysje regjimesh politike.
Tejet e tronditur nga ky fakt i panjohur, përballem me të vërtetën rrethanore skajshmërisht të patolerueshme për një kryetar shteti. Dëshmitarë e së cilës janë Isuf Kalo, Ylli Popa, infermieri më intim, Fahri Bufi, e natyrisht Nexhmije Hoxha. Porosia ishte të ruhej sekreti. Sokoli pohon sot se ka qenë në dijeni nga Isuf Kalo, por që ishte i lutur të mos ma thoshte mua, se me siguri do të reagoja. Për të theksuar që ky fakt i panjohur ka krejtësisht të ngjarë, dua të ritheksoj pohimin e Sabit Brokajt, vite më parë, në një intervistë, në mos gaboj te “Panorama”. Nga mesi i marsit ’85 (Enver Hoxha zyrtarisht vdes në 11 prill ’85), Sabit Brokaj deklaron se e kishte gjetur Enver Hoxhën me trup gjysmë të rënë nga krevati nga përpëlitjet. “E vendosa në pozicion normal”, thotë ai, kohë që do të vinte ta vizitonte Ramiz Alia. Mua kjo më ra shumë në sy, por Nexhmije Hoxha nuk reagoi edhe pse praktikisht për mungesë asistence non stop ndaj kryetarit të shtetit, Sabiti pohon të njëjtën gjë.
Përse o Zot? Duhej të më vije kaq shumë në provë për t’u plotësuar “puzzle”-i i profilit të gruas së Enver Hoxhës? Të kësaj gruaje, që bashkë me Ramiz Alinë themeluan ish-koniunkturën agjenturore theksuar nga ’72-shi e këtej, (për çka dëshmoj personalisht) me izolimin e Enver Hoxhës, gjoja prej shëndetit, që qeverisën vendin nën emrin e Enver Hoxhës, totalisht pas vdekjes së Mehmet Shehut (dhjetor ‘81) deri në ’90. Në vazhdim trashëguan pushtetin nëpërmjet programimit të pluralizmit, që unë e kam quajtur pluRamizëm.
Liliana Hoxha

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura