Liliana Çika Kosturi: Të mposhtësh parkinsonin me skulpturë

Sep 4, 2011 | 13:54
SHPËRNDAJE
Liliana Çika Kosturi duke punuar një pikturë nudo

Nga specialiste “enigmatike” muzeu në Durrës, skulptore dhe piktore e njohur në Toskanë. Pas 5 ekspozitave personale dhe disa të tjerave kolektive në Itali, Liliana Çika Kosturi tenton suksesin në Paris me gdhendjen në dru “Gruaja zadrimore” dhe Londrën me pikturat “Seviljet e kuqe” e “Lypësja”. Artistja na tregon si e gjeti forcën të mposhtte dhimbjen pas humbjes së të birit 20-vjeçar dhe sëmundjen e parkinsonit

E ka nisur fëmijë, me vizatime në oborrin e shtëpisë në Durrës, teksa ëndërronte të bëhej piktore. Më pas, me telajo të bardhë, ngjyra të vërteta dhe me ndihmë profesionale nga mësuesit. Por rrugës së artit, teksa rritej, Liliana Çikës (Kosturi) diktatura i lejoi vetëm skulpturën. Pas kësaj dege të imponuar nga Komiteti Qendror i Rrethit, asaj nuk i ngelej gjë tjetër veçse të prekte format dhe t’i ndiente ato, por pa braktisur asnjëherë pikturën. “E adhuroja pikturën, por fati më dha skulpturën. Më

Liliana Çika Kosturi, me një nga punimet e saj

mirë, sepse edhe një cope baltë mund t’i jepja jetë. Prekja format dhe i ndieja ato”, thotë Liliana, dikur specialiste pranë Muzeut të Kulturës Popullore në Durrës, sot skulptore e 5 ekspozitave personale dhe shumë të tjera kolektive në Itali. Një emigrim jo nga varfëria, por nga dëshira për të qenë pranë fëmijëve. Paralelisht, me pak fat, por me shumë punë, edhe në Itali nisi që të merrej me skulpturë. “Kam vuajtur dhe punuar shumë, por më në fund karriera ime ka marrë drejtimin që kam ëndërruar. Krijoj e marr pjesë në ekspozita e konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndihem shumë e vlerësuar dhe e kërkuar nga galeri të rëndësishme në Itali”, shprehet Liliana, ndërsa shton se ka hapur 5 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në disa ekspozitash kolektive. “Në disa prej tyre, jam nderuar me çmim të parë e të dytë. Në fund të muajit qershor, çela ekspozitën e pestë personale me skulptura dhe telajo”, rrëfen ajo. Rrëfime që, falë teknologjisë, janë shumë të thjeshta për t’u vërtetuar. Mjafton një klikim në google dhe emri i saj shfaqet në disa media italiane. Shkrime që flasin me superlative për një ekspozitë me 25 kukulla të krijuara e të qëndisura me kostumet kombëtare të Shqipërisë, për çmimin ndërkombëtar “Tokyo”, si dhe vlerësime nga skulptori i famshëm italian, Giuseppe Calonaçi. Dhe, pas gjithë kësaj panorame suksesi, vjen një pyetje logjike për Lilianën: Pse nuk ka

Fletëpalosja dhe njoftimi për një nga ekspozitat në Itali, e publikuar edhe në mediat atje

ekspozuar asnjëherë në Shqipëri? “Për fat të keq, nuk kam pasur mundësi të ekspozoj. Kur kam përfunduar Akademinë, nuk mu lejua, se ashtu ishte arti në diktaturë, thuajse i ndaluar. Më pas, me ardhjen e demokracisë, isha shumë e zënë me rritjen e dy djemve, që fatkeqësisht njërin nuk e kam më. Nga një aksident tragjik, humba djalin tim 20-vjeçar, të dashurën e tij dhe djalin e xhaxhait, edhe ai vetëm 20 vjeç. Jeta u ndal në ato momente, u pre… Për vite me radhë nuk preka skulptura dhe telajo me dorë. Më në fund, me forcën e shpirtit, arrita të gdhendja një krah engjëlli në mermer dhe e vendosa në piedestalin e tij. Ndërsa gdhendja, qaja, ulërija, gdhendja përsëri, merrja forcë. Ishte forca për të jetuar kujtimin e tim biri që më bëri të eci para. Dy ekspozitat e fundit ia kushtova atij dhe tani jam gati të kthehem në Shqipëri për të bërë atë që duhet ta kisha bërë vite më parë; të hap një ekspozitë në Durrës ose në Tiranë”, përgjigjet Liliana, ndërsa bën me dije axhendën e radhës së ekspozitave: “Shumë shpejt do të paraqitem me një skulpturë të gdhendur në dru të një gruaje zadrimore në galerinë “Mom Art” në Londër. Më pas, në Paris, me pikturat “Seviljet e kuqe” dhe “Lypësja”. Tashmë po kërkoj që mundësitë e mia t’i çoj përtej kufijve të Italisë”. Mundësi, që më së shumti frymëzohen prej femrës. Kjo është edhe e veçanta e Liliana Çikës, që është evidentuar dhe nga kolegë të saj. Dhe më e çuditshmja, ajo është ndër të rrallat, mbase dhe e vetmja që vuan nga sëmundja e Parkinsonit, por kur pikturon, i zhduket si me magji. “Pas humbjes së djalit, m’u shfaqën disa sëmundje, ndër to edhe e Parkinsonit. Bashkë me dhimbjen, mësova ta mposht edhe atë. Kur pikturoj ose gdhend, sëmundja zhduket. Sidomos natën. Atëherë frymëzohem edhe më shumë dhe muza ime është trupi i femrës, peizazhi njerëzor. Në të shoh jetën, gruan, nënën, plastikën, format e mrekullueshme dhe harmoninë e detajeve”, thotë Liliana. Përjashtim nuk bëjnë meshkujt. Jo rrallë herë, ajo është frymëzuar nga ata; sidomos nga bashkëshorti dhe djali tjetër Helis. Sepse për Lilianën, familja është baza e shëndoshë e jetës, që i jep formë artit dhe e zhvillon atë.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura