Lihet i lirë Kapllanaj: Nuk e qëllova Besnik Çelën

Mar 21, 2014 | 12:02
SHPËRNDAJE

Besnik Kapllanaj ka qëndruar më pak se 48 orë në Komisariatin e Policisë së Fierit. Dje, ish-presidenti i Bylisit është lënë i lirë, duke mos pranuar edhe akuzën për të cilën u vu në kërkim. Në deponimin që ai ka bërë në polici, nuk ka pranuar se ka qëlluar zyrtarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Besnik Çela, edhe pse një ditë më parë në mediat vizive dhe të shkruara pohoi se ishte penduar për gabimin e bërë. Burime pranë Policisë së Fierit bëjnë me dije se Kapllanaj do të hetohet në gjendje të lirë, kjo nisur edhe nga vepra penale, e cila nuk klasifikohet në grupin e më të rëndave. Gjykata, duke marrë parasysh faktin se ai u vetëdorëzua dhe ka biznese për të mbajtur, në rrethana lehtësuese ka vendosur ndjekjen në gjendje të lirë. Sakaq, Kapllanaj do duhet të paraqitet në komisariat sipas asaj që ka vendosur gjykata. Kujtojmë se Kapllanaj akuzohet se pas ndeshjes Bylisi-Laçi qëlloi me një send të fortë në kokë (dërrasë) delegatin Besnik Çela. Ky i fundit u detyrua që të merrte mjekim në spitalin e qytetit të Fierit, nga ku doli me gjashtë të qepura në kokë. Për këtë incident, KF Bylisi u dënua me përjashtim nga kampionati për sezonin aktual. Ndërkohë, ish-presidenti, Besnik Kapllanaj u dënua përjetë që të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet futbollistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura