Lihet i lirë 39-vjeçari, u arrestua pse rilidhi energjinë për të shpëtuar djalin e sëmurë

Feb 23, 2015 | 14:06
SHPËRNDAJE

SHKODËR/ Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lërë të lirë shtetasin Naim Dyli, arrestuar për rilidhje të energjisë elektrike, pas ndërprerjes nga ana e OSHEE, edhe pse rilidhja e energjisë ishte bërë me qëllim mbajtjen në jetë të fëmijës së tij të sëmurë, që rriskonte nëse nuk vihej në punë bomba e oksigjenit.

Nena me djalin 7-vjeçar

Në seancën e sotme, mbajtur pa praninë e mediave, trupi gjykues ka deklaruar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke e argumentuar këtë me gjendjen shëndetësore të djalit të tij dhe nevojën për të pasur pranë të atin në kushtet në të cilat ndodhet. 

Naim Dyli, 39 vjeç, ishte ne qeli që prej mbrëmjes së të premtes, pasi rilidhi energjinë për t’i dhënë oksigjen të birit.

Djali 7-vjeçar i tij, Eglisoni, vuan nga probleme të frymëmarrjes dhe e ka të domosdoshëm aparatin e oksigjenit në rast urgjence, ndryshe i rrezikohet jeta. Përballë këtij fakti, Dyli, banor i fshatit Gur i Zi, nuk ka marrë parasysh prangat, por ka vënë në funksion sistemin elektrik në banesë për të shpëtuar të birin.

Mbrëmjen e 20 shkurtit, policia zbarkoi në familjen Dyli, pasi ka parë dritat e shtëpisë ndezur. Menjëherë uniformat blu, të informuara nga punonjësit e OSHEE-së, i kanë vënë prangat 39-vjeçarit me akuzën e rilidhjes së paligjshme të energjisë elektrike.

Me gjithë deklaratat e familjarëve për gjendjen e vështirë të Eglisonit 7-vjeçar, asgjë nuk u mor parasysh nga policia, e cila menjëherë bëri ndalimin e babait të fëmijës. Nga ana tjetër, nëna e fëmijës u detyrua të shkojë te fqinjët e saj për t’i vënë në prizë aparatin dhe ta shpëtonte atë. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura