Ligjshmëria kushtetuese e Guvernatorit të BSH

Sep 22, 2018 | 11:02
SHPËRNDAJE

FATOS ÇOÇOLIfatos_cocoli

Fjalnaja e krijuar papritmas për ligjshmërinë e vazhdimit të detyrës së drejtuesit të sotëm të bankës sonë qendrore është sa e kotë nga mungesa e argumenteve serioze ligjore, aq edhe dëmtuese pa të drejtë e imazhit të këtij institucioni shumë të rëndësishëm për financat tona publike dhe individuale si qytetarë. Kushtetuta jonë, ligji themeltar i shtetit shprehet shumë qartë. Sipas nenit 161 të Kushtetutës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, bankës sonë qendrore zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. E thënë ndryshe, në momentin e procedurave të zgjedhjes së Guvernatorit të ri, pas arrestimit të të mëparshmit, për shkak të skandalit të vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, pra në datën 4 dhjetor 2014, dita kur Presidenti i Republikës i propozoi Kuvendit emërimin e drejtuesit të sotëm Gent Sejko si Guvernator duhet konsideruar si data e fillimit të procedurave për një mandat normal drejtimi të bankës qendrore, sikurse e kërkon Kushtetuta. Ditë më pas, kur pas seancave dëgjimore të kandidatit të dekretuar nga Presidenti i Republikës në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Kuvendi miratoi propozimin e Presidentit dhe emëroi Guvernatorin e ardhshëm të Bankës së Shqipërisë, mandati i Guvernatorit konsiderohet kushtetuetshmërisht i plotë. Ky mandat ka vlerë edhe shtatë vjet nga data e emërimit nga Kuvendi. Dhe këtu mbaron filmi apo ndryshe, fjalnaja. Dhe ky mandat nuk është aspak përmbushje e mandatit të mëparshëm, pse Kushtetuta nuk shprehet për këtë, as nuk e parashikon. Ky vullnet kushtetues zbatohet menjëherë dhe drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur vetë Kushtetuta parashikon ndryshe. Dhe raste të tilla (mandat plotësues etj.) nuk ka! Dhe dihet që dispozitat e Kushtetutës kanë përparësi mbi çdo ligj tjetër. Pra, fundi i filmit me metrazh të shkurtër “Turbullo aty ku uji është kristal”. Ja përse mandati i drejtuesit të sotëm të Bankës së Shqipërisë nuk përfundon në nëntor 2018, me mandatin e ish-Guvernatorit Fullani, por në vitin 2022, pasi drejtuesi i sotëm e ka mandatin e tij të plotë kushtetues 7-vjeçar dhe nuk zëvendëson askënd tjetër në këtë post. Ja përse fjalnaja e përhapur se qëndrimi i drejtuesit të sotëm të BSH-së është jashtë ligjit pas nëntorit 2018, dëmton jo pak interesat tona si qytetarë për të pasur institucione të forta kontrolluese të financave tona publike.

Pas përfundimit të marrëveshjes trevjeçare të FMN-së dhe rikthimit të pozicionit të saj në statusin e vetëm vrojtuesit mbi financat tona publike dhe ekonominë tonë në tërësi, Banka e Shqipërisë mbetet institucioni i vetëm që ruan ekuilibrat makro-ekonomikë të vendit nga tundimet afatshkurtra politike të qeverisë. Dhe kjo ndodh në mungesë të një Këshilli të pavarur fiskal apo financiar, me vite rresht të rekomanduar dhe kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ka ardhur koha t’u themi mjaft me forcë thashethemeve dhe fjalnajave për pavarësinë dhe kushtetuetshmërinë e institucioneve tona kryesore të shtetit! Duhet të kujtojmë me çfarë kostoje është goditur imazhi i Bankës së Shqipërisë në vjedhjen e 7 milionë dollarëve amerikanë të konstatuar në vitin 2014. Çdo përpjekje e sotme për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e drejtuesit të bankës sonë qendrore dobëson pozicionin e saj të pavarur dhe kushtetues. Ajo duhet të refuzohet me neveri nga opinioni publik i shëndoshë i vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura