Blushi përplaset me Nikollën për arsimin: Ministria tradhëtoi shkollën. Deputetët emërojnë mësues me telefon. Reagon Lindita: Jeton jashtë realitetit

May 28, 2015 | 16:35
SHPËRNDAJE

Deputeti i PS-së, Ben Blushi mori fjalën në Parlament për të diskutuar për projektligjin e arsimit. Blushi hodhi akuza të rënda ndaj Ministrisë së Arsimit, të cilën e akuzoi se e ka tradhëtuar shkollën.

Ben Blushi, deputet i PS-së

Sipas Blushit, u premtua të hiqej alterteksti, por në fakt ai është lënë në fuqi, pasi sipas ligjit të ri, për çdo lëndë do të ketë tri tekste alternative për t’u zgjedhur.

Blushi gjithashtu tha se skandali i teksteve vazhdon dhe se 70 % e tirazhit të tyre klonohen.

“Ka një ndryshim me tekstet alternative. Më parë shkolla kishte të drejtë të zgjidhte mes shumë teksteve, ndërsa sot zgjedh mes tre teksteve. Jam dakord me liberalizimin e teksteve, por pse vendosen tre? Kush i zgjedh këto tre tekste? Ministria thotë se ka një këshill, i cili është burokrat dhe ka treguar se është në nën presion të botuesve dhe shkruesve të teksteve. Ky ligj këtë nuk e zgjidh xhunglën e teksteve”, tha Blushi.

Ai më tej tha se edhe tekstet që kishte botuar vetë ishin klonuar. “Edhe një tekstet e mia ishte klonuar. Shkova të interesohesha dhe pashë që kishte më shumë tirazh në treg. Pra e kishin marrë tekstin tim dhe e kishin klonuar për të përfituar”, tha Blushi.

Më tej ai ngriti pyetjet për miratimin e teksteve dhe hodhi idenë që Këshilli Kombëtar i Teksteve të emërohej nga Parlamenti.

“Çështja e arsimit është e rëndësishme në Shqipëri. Këshilli Kombëtar i Teksteve duhet të emërohet nga Parlamenti”, tha Blushi.

Ai më tej theksoi se ligji i ri parashikon që edhe prindërit mund të marrin iniciativa për të shkarkuar një mësues. Kjo, sipas Blushit e dëmton së tepërmi shkollën. Sipas tij, ligji krijon hapësira që mësuesit të emërohen nga deputetët dhe të shkarkohen prej prindërve në interes të tyre.

Ben Blushi dhe Lindita Nikolla ne replike

 

“Ky amendament u krijon pasiguri mësuesve. Sepse thotë se nëse një prind është i pakënaqur për një mësues ai ka të drejtë të iniciojë procedurën e shkarkimit. Unë besoj se duhet t’u japim mësuesve më shumë garanci. Duhet t’i nxjerrim mësuesit nga zgjedhjet. 

Të mos përdoren më. Nëse mësuesi futet në komisione numërimi votash për të fituar punë, ka marrë fund arsimi. Pse duhet qeveria të emërojë mësuesit e Shqipërisë? Një deputet merr në telefon më emëron një mësuse nga fshati në qytet se janë në pushtet. A e dini  sa i kushton kjo qeverisë?”, tha Blushi. 

 Gjithashtu, Blushi foli edhe për arsimin privat, duke theksuar se ai është pro këtij arsimi, por jo që ai të favorizohet në kurriz të arsimit publik. 

Reagon Nikolla: Kush mendon se pasioni për shkollën kthehet me ligj, jeton jashtë realitetit

Menjëherë ka reaguar Minsitrja e Arsimit dhe e Sportit Lindita Nikolla e cila i është përgjigjur akuzave të deptuetit socialist Ben Blushi për arsimin.

“Absolutisht shkolla është vendi dhe rruga për të kuruar fenomenet negative. Sigurisht frymëzimin e jep puna për të jetësuar programet…kush mendon se pasioni për shkollën kthehet me ligj, jeton jashtë realitetit”,- tha ajo.

Ndërsa ka theksuar se “kam parë argumenta që s’lidhem me faktin se sa e madhe është dhimbja se si arsimohen nxënësit…por për të goditur e bërë pis cdo gjë të mirë që bëhet. Ka edhe raste kur argumentat për nismë apo reformë s’lidhen me nevojën reale që shkolla nxënësit kanë, por me stërkëmbëshit hileqar në ecjen tonë për të përmirësuar…refuzoj të jem pjesë e një debati që i përcillet shqiptarëve me gënjeshtra”,- tha ajo.

 

vijon… 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura