Ligji për 4 rajonet/ Braçe, përgjigje akuzave: Një instrument që funksiononte me VKM e kthyem në ligj

Aug 8, 2020 | 21:27
SHPËRNDAJE

Debatit të nisur nga opozita jashtë Parlamentit këto ditët e fundit për ligjin “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”, zv.kryeministri Erion Braçe iu përgjigj duke i cilësuar ata që e kundërshtojnë si njerëz të palexuar.

braçe

Sipas numrit 2 të qeverisë, ligji është një përmirësim legjislativ për një fushë, ku ka 6 vite që është ngritur institucioni për zhvillimin ekonomik të rajoneve. Në prononcimin e shkurtër për gazetën “Panorama”, Braçe theksoi se ligji bën vetëm një përmirësim të standardit të ligjshmërisë për këtë fushë.

Numri 2 i qeverisë u shpreh se, ashtu siç ua kishte sqaruar deputetëve në komisione, por edhe siç thuhet në relacion shumë qartë, ligji normon një fushë që deri më tani ka qenë me Vendim të Këshillit të Ministrave.

“Unë nuk kam asnjë qëndrim për reagimet e njerëzve që nuk dinë dhe as lexojnë dhe rrojnë me paranoja që i kanë sjellje familjare. Unë e kam thënë në komision dhe Parlament dhe ligji është shumë i qartë. Për më tepër, ne kemi ngritur një instrument që ka gjashtë vjet që funksionon me VKM dhe ne e kemi kthyer me ligj. Unë habitem se të rrisësh standardin e ligjshmërisë së veprimeve që kryen, qenka krim. Unë nuk merrem me këta njerëz që nuk kanë formim”, tha shkurtimisht Erion Braçe.

Ndërkohë, zv.kryeministri sqaroi më tej për këtë nismë ligjore që u kalua në Kuvend gjatë një interviste për “A2CNN”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për asnjë ndërhyrje në financat e bashkive për mënyrën sesi ato operojnë aktualisht.

Sipas Braçes, ligji është i hartuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe i shton të ardhurat në pushtetin lokal. Sipas tij, akuzat që janë ngritur nga opozita jashtëparlamentare janë krejtësisht me qëllime elektorale, të atyre që ai i konsideron njerëz me paranoja humbjeje në zgjedhjet e ardhshme.

“Këto rajone për të cilat flasin ata dhe që u referoheni ju, kanë nja 5 a 6 vite që janë funksionalë si rajone zhvillimi, ku adresohen politikat e qeverisë. Nuk dua asnjë qindarkë dhe ky projektligj nuk merr asnjë qindarkë të bashkive, nuk merr asnjë qindarkë të këshillit të qarkut. Përkundrazi, jep. Ky ligj, të cilit iu referuan dje të marrët si një instrument që do të zhvatë fondet e Bashkimit Europian, që u merr kompetencat bashkive, këshillave të qarqeve, nuk është hartuar nga unë, as nga dikush tjetër këtu në Këshillin e Ministrave. Ky ligj është hartuar me ndihmën e qeverisë zvicerane e austriake. Këto janë paranoja të ca humbësve”, u shpreh Erion Braçe.

Çfarë synon qeveria me ligjin për rajonet dhe kohezionin

Ligji për rajonet dhe kohezionin, për të cilin debati është nxitur më së tepërmi gjatë ditëve të fundit pas disa akuzave që ka ngritur opozita jashtë Kuvendit, ka tri synime kryesore. Në relacionin e depozituar bashkëngjitur ligjit të miratuar në Kuvend më 29 korrik, synimet specifikohen në, ndalimin e shpopullimit, ulja e papunësisë te të rinjtë dhe zvogëlimi i pabarazive.

“Ndalimi i shpopullimit të zonave rurale dhe emigracionit është prioritet politik i legjitimuar, për shkak të projeksioneve demografike aktuale të pafavorshme dhe si shkak i nevojës për të ruajtur identitetin rajonal të Shqipërisë edhe në zonat më të thella të vendit, si dhe shmangien apo zvogëlimin e pabarazive territoriale.

Një prioritet i dytë, i lidhur ngushtësisht me të parin, është nevoja për të luftuar papunësinë, në veçanti te të rinjtë. E ardhmja e të rinjve duhet të jetë në Shqipëri, në rajonet e tyre të lindjes, por që të nxitet kjo, zhvillimi socio-ekonomik duhet të mundësojë një cilësi më të lartë arsimimi, si dhe një ristrukturim rajonal të punësimit nga sektori parësor te sektorët e tjerë të ekonomisë.

Prioriteti i tretë dhe më i rëndësishëm është se zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë ka nevojë për t’u mbështetur një model fleksibël të zhvillimit socioekonomik, që mbart paradigmën aktuale të konkurrencës, p.sh. strategjinë e specializimit smart (të zgjuar), sipas së cilës, secili rajon është i rëndësishëm dhe qasja e zhvillimit rajonal dhe kohezionit nxit rritjen ekonomike nëpërmjet zvogëlimit të pabarazive”, thuhet në relacion.

Ndarja e 4 rajoneve të zhvillimit është bërë me bazë shfrytëzimin në mënyrë sa më efektive të kapaciteteve të tyre ekonomike, që janë të veçanta për çdo bashki që është përfshirë në këto rajone.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura