Ligji/ Pallatet e reja, si do bëhet shitja e shtëpive te noteri

Feb 10, 2016 | 8:17
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me konsensus projektligjin e qeverisë “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, nismë e cila u jep mbrojtje qytetarëve që të mos blejnë një apartament, i cili mund të jetë shitur dy herë.

manjani5Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka shpjeguar dje projektligjin e ri, duke thënë se firmat e ndërtimit nuk do të mund të pranojnë kontrata për shitjen e apartamenteve, në rast se nuk regjistron në Zyrën e Regjistrimin të Pasurive të Paluajtshme lejen e ndërtimit.

“Kompania e ndërtimit vërtet nuk shfaqet si aplikuese në sportelin e ZRPP-së, sepse ZRPP-ja do ta ketë regjistruar automatikisht lejen e ndërtimit, e cila do të figurojë online në sistemin e ZRPP-së, i aksesueshëm nga çdo noter i republikës. Pra noteri ka informacion online për këtë leje ndërtimi. Në momentin që kontrollon, pra kërkohet te zyra e noterit, vjen dikush për të bërë një kontratë porosie, kjo kontratë do të bëhet vetëm nëse leja është regjistruar në ZRPP dhe ky është një informacion që jepet online”, tha Manjani.

Ai ka sqaruar se: “Nëse me juristin e firmës së ndërtimit mund të lidhësh një kontratë sipërmarrjeje, shteti nuk të garanton më. Shteti, sipas kësaj procedure, të garanton që të regjistrosh lejen e ndërtimit, të shkosh te zyra e noterit, të lidhësh një kontratë sipërmarrjeje dhe është e garantueshme. Që do të thotë se pas kësaj askush nuk mund ta rishesë apo ta riporosisë, apo ta risipërmarrë një pronë që është e angazhuar tashmë”.

OPOZITA

Anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve e kanë mbështetur nismën e Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se mbrojtja ndaj qytetarëve është e nevojshme. Por sipas Eduard Halimit, projektligji i qeverisë ishte shkruar në mënyrë të paqartë dhe se do të krijonte konfuzion te punonjësit e ZRPP-së.

Deputetët e opozitës kanë kërkuar sqarime nga ministri Manjani nëse sportelet e ZRPP-së janë dhënë me koncesion.

“Nuk është zgjidhja koncesioni. Zgjedhja është ‘in house’. E them troç, edhe me kërbaç publik po të jetë nevoja, sepse nuk ka rrugë tjetër. Dua të them që zakonisht këto reforma nuk vijnë nga poshtë, nuk vijnë nga njerëz që janë brenda sistemit, por nga njerëz që vijnë nga lart. Dhe nuk është garanci detyrimisht privati. Qeveria ka ndërmarrë një reformë jo të thjeshtë në ZRPP, por në shërbimet publike, duke ndarë ‘front office’ nga ‘back office’. Kjo është një temë shumë më e madhe se ZRPPja. Por një nismë e ngjashme me ‘one stop shop’ në QKR. Është krijuar një zyrë pilot në Tiranë, që quhet ADISA. Është zyrë publike me administrim publik dhe funksionon si sportel në zyrën ZRPP Tiranë. Unë nuk di të ketë koncesion”, tha ministri Manjani.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura