Ligji në Kuvend, s’ka më legalizime mbi 500m2

May 22, 2015 | 13:17
SHPËRNDAJE

Ndryshimet në ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje sollën kufizim të sipërfaqes së parcelës ndërtimore, për të cilën do të bëhet kalimi i pronësisë. Kështu, familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë mund të marrin tapinë për trefishin e njollës së objektit, por jo më shumë se 500m2.

Kjo vlen për banesat sepse për bizneset thuhet qartazi se sipërfaqja që legalizohet nuk mund të jetë as më pak e as më shumë sesa trefishi i bazës së objektit. Projektligji për disa ndryshime të tjera në ligjin për legalizimin e ndërtimeve informale ka mbërritur në Kuvend, duke i hapur rrugë diskutimit e më pas miratimit.

RELACIONI
Nisma e re ligjore e qeverisë amniston të gjitha ndërtimet e pas datës 15 janar 2009, duke i përfshirë edhe këto të fundit në proces legalizimi. Nga ALUIZNI mësohet se janë rreth 60 mijë objekte, shumica e të cilave shtëpi, që përfitojnë nga kjo falje. Në relacionin që shoqëron draftin shpjegohet gjithashtu se ripërcaktimi që është bërë lidhur me madhësinë e parcelës për të cilën bëhet kalimi i pronësisë, bëhet për të shmangur pasaktësitë dhe interpretimet që mund të bëhen.

“Tanimë, do të jetë e shprehur në mënyrë të pangatërrueshme se: ‘Në rastin e ndërtimeve me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por në çdo rast jo më e madhe se 500 m². Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit’”, thuhet në relacion.

Për sipërfaqet shtesë duhet të paraqitet më parë kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t. Sakaq, për të shmangur vonesat, drafti parashikon që me anë të një vendimi të posaçëm të përcaktohen procedurat dhe afatet e kalimit të pronësisë.

PRONARËT
Nga përfshirja në proces legalizimi e 60 mijë objekteve pa leje të ndërtuara pas 2009 në tokë shtet dhe tokë me pronarë, pritet që të arkëtohen në total 19 milionë euro. Referuar ligjit të ri, 70% e këtij fondi shkon për pronarët e shpronësuar për efekt legalizimi. Kjo do të thotë që do të jenë rreth 13 milionë euro në total që do të shkojnë në fondin e kompensimit.

REGJISTRIMI NË HIPOTEKË 
Një tjetër problem që mendohet t’i japë zgjidhje ky projektligj është ai me Hipotekën. Qeveria do të nxjerrë akt nënligjor për të sheshuar vonesat gjatë shkëmbimit të informacionit mes ALUIZNI-t dhe Hipotekës për statusin e pronës.

“Me vendim të Këshillit të Ministrave do të përcaktohen edhe procedurat dhe afatet e aplikueshme gjatë bashkëpunimit ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZRPP. Ky rregullim ka rezultuar i nevojshëm nga evidentimi i problematikave të shumta gjatë korrespondencës së mbajtur mes tyre, çka sjell nevojën e normimit të procedurave dhe afateve për dërgimin e informacionit për pasuritë në proces legalizimit nga ana e zyrave të regjistrimit”, thuhet më tej në relacion.

Kalimi i pronesise

Ishte
1. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat, për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim.

Bëhet
1. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Në rastin e ndërtimeve me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por në çdo rast jo më e madhe se 500 m². Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit. Kur për shkak të përmasave ose konfiguracionit të parcelës ndërtimore, krijohen sipërfaqe të lira që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kalimi i së drejtës së pronë- sisë për këto sipërfaqe kryhet vetëm nëse poseduesi i ndërtimit pa leje shpreh vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura