Ligji i ri, si do emërohen dhe shkarkohen mësuesit

Feb 16, 2012 | 11:59
SHPËRNDAJE

Projekti për arsimin parauniversitar: Si vlerësohet puna për pagën.

Duhen me master, largohen edhe për rezultatet e nxënësve.

Nuk do të pranohen më mësues pa “Master” në arsimin parauniversitar. Përjashtim bëjnë vetëm ata që japin mësim në ciklin parashkollor. Përzgjedhja e arsimtarëve mbi bazën e bindjeve politike, miqësive apo edhe ndonjë sasie parash nën dorë do të jetë shkelje e pastër e ligjit. Vendin e punës do ta fitojnë me konkurs. Ndaj drejtuesve të shkollave do të ndërmerren masa penalizuese. Po kështu do të jetë i detyrueshëm trajnimi i arsimtarëve të paktën tri herë në vit, ndërsa vlerësimi për shkallët e karrierës do të bëhet me tituj. Këto janë vetë disa nga nenet e projektligjit për arsimin parauniversitar që prekin direkt mësuesit. I miratuar dje nga qeveria, në të sanksionohet mënyra e rekrutimit të arsimtarëve, skema e re e financimit dhe kurrikulat. “Mësuesi i arsimit parashkollor duhet të ketë diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare ‘Bachelor’ në fushën e edukimit. Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit, diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare”, thuhet në projektligj. Sipas tij, mësuesi i shkollave të arsimit profesional që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit. Ministria e arsimit pritet të nxjerrë udhëzim të veçantë për diplomat e marra nga mësuesit e vjetër, të cilët kanë vite që punojnë në arsim. Të sapodiplomuarit në Mësuesi duhet të japin domosdoshmërisht provimin e shtetit.
Pranimi dhe largimi nga puna
“Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit përzgjedhës”, thuhet në ligj. Sipas tij, komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, një përfaqësues nga njësia përkatëse e qeverisë vendore, kryetarin e ekipit lëndor përkatës, kryetarin e bordit të institucionit dhe një mësues me mbi pesë vjet përvojë në ushtrimin e profesionit, i cili caktohet nga drejtori i institucionit pas konsultimit me këshillin e mësuesve. “Procedurat e përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit”, thuhet në projektligj. Rezultatet e nxënësve do të jenë tregues të rëndësishëm për cilësinë e mësimdhënësve. Madje ligji përcakton se në rast se në provimet kombëtare ata dalin dobët vazhdimisht, ndaj mësuesve do të merret masa e largimit nga puna. ”Drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për: shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore; shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, arritje të ulëta e të përsëritura të nxënësve, krahasuar me arritjet që kanë kolegët e tjerë me këta nxënës a me nxënës të tjerë në klasa analoge”, përcakton projektligji.
Titujt e karrierës
Vlerësimi nga testimi i përvitshëm për shkallët e karrierës do të bëhet me tituj. Paralelisht do të përfitojnë dhe shtesën në pagë. Në varësi të viteve të punës ajo varion nga 5-20%.
Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër”. Për të marrë titullin e parë një mësues duhet të këtë mbi 5 vite eksperiencë pune. Për të dytin deri në 10 vjet, ndërsa “mjeshtër” është kategoria e arsimtarëve që kanë mbi 20 vite punë në arsim. ”Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit”, thuhet në ligj.
Trajnimet profesionale
“Institucioni arsimor planifikon zhvillimin profesional të mësuesve sipas nevojave të tyre dhe në përputhje me politikat arsimore qendrore, vendore dhe të institucionit. Format e zhvillimit profesional janë: zhvillimi i brendshëm profesional, trajnimet, rrjetet profesionale, këshillimet, kurset afatshkurtra dhe ato afatgjata”, përcakton ligji. Sipas tij, mësuesit dhe drejtorët trajnohen të paktën 3 (tri) ditë në vit. ”Trajnimet zhvillohen sipas sistemit ‘kërkesë – ofertë’, në bazë të kërkesave nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjenci trajnuese që mund të jenë publike ose private. Programet trajnuese akreditohen nga Ministria”, thuhet në ligj. Në të përcaktohet se njësitë arsimore vendore organizojnë kualifikimin e vazhduar të mësuesve në bashkëpunim me agjenci trajnuese me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit.

Pjesa e ligjit per mesuesit
Profesioni i mësuesit
Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:
Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”;
Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.
Institucionet arsimore që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues, përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
Mësuesi që ka të drejtën e ushtrimit të profesionit regjistrohet në Ministri.
Kualifikimi i mësuesve
Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:
“Mësues i kualifikuar”
“Mësues specialist”
“Mësues mjeshtër”
Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit. Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Çdo kategori kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Privatët, financim nga buxheti

Shkollat private jofitimprurëse me 5 vite eksperiencë do të futen në skemë

Klasa e parë nis 6 vjeç, deri në 16 vjeç shkolla me detyrim
Skema e re e financimit, që do të zbatohet në arsimin parauniversitar, do të jetë e ngjashme me atë të universiteteve. Në të do të përfshihen, veç sistemit publik, edhe privatët. Ndërkohë që do të bëhet i detyrueshëm arsimi deri në 16 vjeç. “Ministria mund të mbështesë financiarisht institucionet arsimore private vendase, të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë si institucione private”, thuhet në nenin 39 të projektligjit. Sipas tij, mbështetja financiare për shkollat private diferencohet sipas renditjes së tyre në provimet kombëtare të arsimit bazë ose të Maturës Shtetërore, si dhe në testimet ose konkurset ndërkombëtare. ”Shkollat private e përdorin mbështetjen financiare vetëm për nxënësit e shkëlqyer në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në projektligj. Burimet e financimit do të jenë katër. Përkatësisht shkollat do të marrin fonde nga buxheti i shtetit, të ardhurat e njësive të qeverisjes vendore, dhurimet e sponsorizimet, të ardhurat e përftuara nga institucionet arsimore dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Financimi nga buxheti i shtetit planifikohet me formulën “për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve të institucioneve arsimore publike.
“Në buxhetin e shtetit, për njësitë bazë të qeverisjes vendore, caktohet një fond ‘për nxënës’, i cili përdoret për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore publike”, thuhet në projektligj.
Nivelet e arsimit
Arsim parashkollor, arsim bazë dhe arsim i mesëm i lartë. Këto do të jenë ciklet e studimit që do të ofrohen pas ristrukturimit të të gjithë sistemit. “Arsimi parashkollor ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin në arsimin e detyruar”, thuhet në projektligj. Arsimi bazë do të jetë i detyrueshëm”. Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç”, thuhet në projektligj. Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë. Arsimi i mesëm i lartë që përfshin gjimnazin përbëhet nga tri vite studimi. Struktura e re e arsimit bazë do të nisë të aplikohet nga viti shkollor 2015 – 2016.

Nivelet e arsimit
Arsimi parashkollor

Arsimi parashkollor ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe  pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin në arsimin e detyruar.

Arsimi bazë
Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.
Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç,  me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj.

Arsimi i mesëm i lartë
Arsimi i mesëm i lartë synon zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave të fituara nga arsimi bazë, konsolidimin e individualitetit të çdo nxënësi dhe tërësinë e vlerave e të qëndrimeve, zgjerimin dhe thellimin në fusha të caktuara të dijes, përgatitjen për arsimin tretësor ose për tregun e punës. Këshilli i Ministrave zhvillon politika që synojnë krijimin e mundësisë për cdo nxënës që përfundon arsimin bazë të regjistrohet në arsimin e mesëm të lartë, të përgjithshëm ose profesional.
Llojet e arsimit të mesëm të lartë janë: gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i orientuar.

Matura me 3 provime të detyruara
Gjuha e huaj do të jetë provim i detyrueshëm i maturës shtetërore. Sipas projektligjit efekti i zbatimit të këtij neni do të nisë në vitin 2014. “Arsimi i mesëm i lartë përfundon me provimet e maturës shtetërore. m Në provimet e maturës shtetërore nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje. Lëndët e përbashkëta për të gjithë nxënësit janë: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë dhe një gjuhë e huaj”,thuhet në projektligj. Sipas tij lëndët me zgjedhje përcaktohen me udhëzim të ministrit ashtu sikurse  dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të maturës shtetërore.

Mbrojtja e të dhënave personale
“Rezultatet e nxënësve në provimet kombëtare dhe të dhënat e tyre për hyrjen në institucionet e shkollave të larta, si dhe rezultatet e mësuesve në provimet e kualifikimit nuk zbulojnë identitetin e personit”,këtë përcakton projektligji i ri. Sipas tij punonjësi i institucionit arsimor e ka të ndaluar që të japë të dhëna për arritjet mësimore. “Të dhënat personale të një grupi personash mund t’u vihen në dispozicion institucioneve të tjera  për studime, vetëm  pas miratimit me shkrim të drejtorit të institucionit arsimor, pa zbuluar identitetin e tyre”, thuhet në projektligj.

Berisha: Gjuha kineze të zgjidhet gjuhë e dytë në shkolla

Kryeministri Berisha

Projektligji i ri përcakton që në të gjithë sistemin e arsimit parauniversitar të jetë i detyrueshëm mësimi i dy gjuhëve të huaja. Ai nuk përcakton se cilat do të jenë dy gjuhët e detyrueshme, pasi ky vendim do të merret në mënyrë të pavarur nga secila shkollë në Shqipëri. “ Kryeministri Berisha e cilësoi një risi këtë nen të projektligjit, madje dha edhe sugjerimet e tij për të përzgjedhur gjuhën kineze si gjuhë të dytë. Kjo, me argumentin se realiteti i ri botëror dhe ndikimi global kinez do t’i ndihmojë shqiptarët në komunikimin me popujt e tjerë. “Nuk duhet harruar se shqiptarët janë frankofonë, janë fluentë në italisht, duhet të hapen më shumë ndaj spanjishtes, ndaj gjermanishtes, por edhe ndaj gjuhës kineze, si gjuhë e dytë”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, projektligji vendos në themel të arsimit parauniversitar standardet më të mira të shkollimit dhe e bazon këtë arsim në tri disiplina kryesore: gjuhën shqipe, leximin dhe matematikën. Pas kësaj deklarate reagoi në Twitter kreu opozitës, Edi Rama. Ai ka ironizuar Berishën me komentin e tij. “Të mësojmë kinezçe për të shpëtuar! Shpikja e sotme e Kryeministrit gjatë krehjes para televizioneve teksa Shqipëria digjet nën dëborë”,0 është shprehur Rama.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura