Ligji i ri për pensionet, shtesa për çdo kategori

Mar 24, 2015 | 23:15
SHPËRNDAJE

Ministri Erion Veliaj

Të gjithë pensionistët pjesë e skemës që po trajtohen apo do të trajtohen me reformën e re kanë rritje të përfitimit në masën 2 deri në 40 për qind.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka vënë edhe një herë theksin te fakti që formula e zbatuar nuk penalizon askënd nga përfitimi krahasuar me skemën e vjetër. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë të projektligjit për funksionar- ët e lartë të shtetit, Veliaj tha se kjo është pjesë e paketës së plotë që synon balancimin e skemës suplementare.

REFORMA

Ministri Erion Veliaj tha se ka pasur një rritje të plotë për çdo pensionist të skemës në lidhje me përfitimin që ai merr. Madje, edhe ata që deri dje nuk përfitonin, sot marrin pensionin social. Sipas kreut të Ministrisë së Mirëqenies, rritja e përfitimit nis nga 2 për qind minimalisht deri në 40 për qind maksimalisht.

“Janë rritur pensionet për çdo fashë dhe unë sfidoj secilin prej kolegëve që të gjejnë jo 1 mijë jo 100 mijë, por një të vetëm i cili do të dilte me formulën e vjetër me një pension më të lartë se me formulën e re dhe unë e lë këtë detyrë. Jemi siguruar sepse formula është e tillë që ka rritur pensionet nga 2 për qind deri 40 për qind. E keni parë vetë, keni qenë me qytetarët që kanë punuar 41-42 vite si ish-ushtarakë, teknologë-inxhinierë që kanë shkuar sot në shtëpi me pensione 340, 345, 350 mijë lekë. Tavani, i nderuar kryetar, në kohë të tyre ishte 250 mijë lekë. Një pension nga 240 në 345 mijë është 40 për qind më i lartë”, tha Veliaj. Ai u ndal edhe tek ish-minatorët, duke theksuar se kjo është e vetmja ndë- rhyrje në skemë që është mirëpritur nga gjithë përfaqësuesit dhe sindikatat e tyre.

“Ju e dini fare mirë që Ministria jonë drejton Këshillin Kombëtar të Punës dhe nuk besoj që ka ndonjë temë ku mund të bien dakord sindikata e Kolë Nikollës me sindikatën e Gëzim Kalasë me qeverinë. Asnjëherë përveç kësaj teme. Dy sindikatat më të mëdha të minatorëve thonë që këtë ligj ua kemi kërkuar 8 vjet krahut të djathtë të kësaj tavoline. Sërish ju sfidoj më gjeni një minator që thotë ishim më mirë siç ishim”, tha Veliaj.

OPOZITA

Katër deputetë të Partisë Demokratike ishin dje të pranishëm në Komisionin e Ekonomisë. Dy prej tyre, Ridvan Bode dhe Sherefedin Shehu, kundërshtuan fort argumentet e sjella nga Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, për reformën e re të pensioneve. Sipas Shehut, sot nuk kemi një reformë, por një grup masash që në fakt po u jep më shumë para atyre që kanë dhe më pak atyre që nuk kanë. Rritja me 1 për qind e kontributit, sipas tij nuk është asgjë, pasi funksionarëve u është hequr tavani dhe do përfitojnë pensione dy herë më të lartë sesa i kishin deri më sot.

“Qeveria quan reformë rritjen e pensioneve të pleqërisë për ne. Unë dhe ju do marrim pension të lartë pleqërie, gati dy herë nga ajo që marrim sot. Po them këtë për t’ju treguar që të hiqni dorë nga parullat dhe demagogjia dhe të merreni me problemet reale. Reforma e pensioneve na ka rritur ne nëpunësve të lartë pensionet dhe ua ka ulur atyre që marrin pak, atyre që marrin 200 mijë lekë në muaj”, tha Shehu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura