Ligji i ri për emërimin e mësuesve, tërhiqet Ministria

May 19, 2015 | 22:58
SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit ka vendosur të tërhiqet nga nisma për të ndryshuar mënyrën e emërimit të mësuesve.  Seria e debateve dhe dëgjesave në komisionet parlamentare ka zbutur qëndrimin e Ministrisë për të riformatuar mënyrën e emërimit të mësuesve. Kështu, komisioni i parashikuar për caktimin e tyre nuk do të zëvendësohet nga një tjetër komision nga MAS, por do të mbetet siç ishte duke lënë të pandryshuar procedurat për emërimin dhe largimin e mësuesve. 

 

Lajmin e bëri të ditur një ditë më parë në komisionin e Medias Zamira Gjini, drejtoresha për arsimin parauniversitar. “Duke marrë parasysh kërkesat që kanë ardhur nga sindikatat, shoqatat e prindërve apo grupet e tjera të interesit kemi reflektuar te neni 60 në lidhje me dy kërkesat e grupeve të interesit që janë përfshirja e prindërve dhe komisioni i vlerësimit”.

Sipas Gjinit, emërimi i mësuesve do të mbetet konkursi, por parashikohet të ketë ndryshime në komision. Aty nuk do të marrë pjesë kryetari i bordit, por një përfaqësues nga bordi dhe këshilli i prindërve, gjithçka e rregulluar me një udhëzim që pritet të dalë nga Ministria e Arsimit. Pjesa që u kundërshtua më shumë ishte heqja e bordeve të shkollës ku bëjnë pjesë dhe prindërit, që sipas grupeve të interesit do të çonte veçse në emërime politike.

PROPOZIMET

Dy çështjet e tjera të shumë debatuara, heqja e altertekstit dhe ruajtja e kurrikulës bazë 5+4+3 nuk kanë bindur dot ministrinë për të reflektuar. Edhe dekanë të fakulteteve në rrethe, në dëgjesën e një dite më parë u shprehën kundër heqjes tërësore të altertekstit, duke dhënë propozimet e tyre për një zgjidhje të mesme. “Propozoj që meqë në programin e ciklit fillor shumica e kurrikulës i kushtohet gjuhës, matematikës dhe më pak ngarkesë kanë shkencat e tjera sociale, është mirë të punohet me tekste unike në këtë cikël. Por më pas, mendoj se në lëndë ekzakte të ketë një tekst unik, ndërsa për lëndët shoqërore 2-3 alternativa, sepse deri më tani larmia e tyre ka shkaktuar defekte në aspektin metodik”, citon Aleks Trushaj, dekan në Universitetin e Vlorës.

Një tjetër dekan, ai i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, u shpreh për mundësi të kufizuara të teksteve alternative, por jo deri në 11 variante për një tekst shkollor. Debate në komision pati edhe mënyra e emërimit të mësuesve. Sipas dekanëve të fakulteteve në qytete, as ligji aktual, as ndryshimi i supozuar, nuk zgjidh situatën e krijuar në vite. Por, sipas tyre, edhe lënia në dorën e drejtorit të institucionit të shkollës sjell sërish abuzime. “Një person i vetëm, subjekti shpesh politik nuk mund të vendosë për gjithë trupën arsimore në arsim. Meqë MAS ka shprehur shqetësim për bordin e prindërve, rekomandojmë një zbatim më të mirë të nenit 34, ku pjesëmarrja e prindërve në bord të jetë e detyrueshme, por me rotacion në bazë të dëshirës së tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura