Ligji i ri i qeverisë, nis dëmshpërblimi për të internuarit

Aug 31, 2015 | 13:24
SHPËRNDAJE

Për herë të parë edhe të internuarit në tela me gjemba gjatë regjimit komunist do të kenë mundësi të përfitojnë dëmshpërblim. Qeveria është duke hartuar një paketë të re ligjore, ku parashikohet që në vitin 2016 të nisë ndarja e parave për të internuarit dhe familjarët e tyre.

bilal kola
Bilal Kola

Sipas kreut të Institutit për Integrimin e ishtë përndjekurve, Bilal Kola, do të ndiqet e njëjta skemë e aplikuar me ish-të përndjekurit, ku të parët që do të përfitojnë dëmshpërblim do të jenë ata që janë gjallë. Në një intervistë dhënë për gazetën, Kola bën me dije edhe mënyrën se si do të llogaritet masa e përfitimit. “Drafti ka si qasje të tijin bërjen e një kategorizimi, të ngjashëm deri diku me atë që është bërë për kategorinë e ish-të përndjekurve. Kjo do të thotë që do të trajtohen të gjithë të internuarit me dëmshpërblim.

Por në ndarjen e dëmshpërblimit do të ketë renditje apo përparësi. Pra, në fillim do të marrin ata të internuar në tela me gjemba që jetojnë. Pra, këta do të trajtohen me përparësi në raport me trashëgimtarët. Masa e përfitimit do të llogaritet siç është edhe në ligjin bazë, pra, çdo ditë do të vlerë- sohet me 1 mijë lekë”, shprehet Kola. Nga të dhënat që vijnë nga Ministria e Drejtë- sisë, janë mbi 3 mijë dosje që kanë aplikuar në afat dhe do të përfitojnë dëmshpërblim. Paketa e re ligjore pritet të miratohet në qeveri në muajin shtator të këtij viti.

Qeveria një vit më parë bëri disa ndryshime të rëndësishme për sa i takon ligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Skema e re i dha përparësi kategorisë së të dënuarve që jetojnë. Sa rezultat dha kjo dhe cila është situata e sotme? Sa dosje janë dëmshpërblyer?
Në shtator të vitit 2014 u implementua një skemë e re për sa i përket ndarjes së fondit vjetor për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, duke adresuar pjesën më të madhe, pra, 70 për qind të fondit për kategorinë e të dënuarve që janë gjallë, ndërsa pjesën tjetër për trashëgimtarët. Kjo ka rezultuar tejet e suksesshme, nëse do të shohim ritmet e dëmshpërblimit për të gjithë ata që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit. Para implementimit të kësaj skeme, pra, në 8 vitet e qeverisjes së shkuar, maksimalisht kishin përfituar deri në dy këste personat që kishin vuajtur dënimin. Ndërsa sot që flasim është shpërndarë kësti i pestë për këtë kategori, duke u bazuar në renditjen e përcaktuar të përparësisë. Siç edhe jeni në dijeni, brenda kategorisë së ish-të përndjekurve që jetojnë, me prioritet trajtohen gratë dhe ata që janë në moshë mbi 75 vjeç. Nga të dhënat që ne kemi, rezulton që burrat mbi 75 vjeç janë pjesa dërrmuese e atyre që janë gjallë. Aktualisht kanë marrë rreth 1300 persona këstin e pestë të dëmshpërblimit. Numri total i atyre që pritet ta përfitojnë është rreth 2300.

Edhe për vitin e ardhshëm sasia e fondit që do të vendoset në dispozicion nga buxheti i shtetit do të jetë e njëjtë, pra, rreth 20 milionë dollarë. Sa këste pritet të ndahen?
Sigurisht ka një parashikim, pasi ne bazohemi te shifrat. Por edhe shifrat kanë një dinamikë. Nga një përllogaritje që kemi bërë, mbi certifikatat personale që janë administruar, kur bëhet plotësimi i dokumentacionit për të përfituar dëmshpërblimin, na ka rezultuar që 200 deri në 300 persona nga kategoria e ish-të dënuarve që jetojnë ndërrojnë jetë çdo vit. Kjo është arsyeja që ne kemi aplikuar një skemë të tillë dëmshpërblimi, duke iu dhënë prioritet absolut atyre që jetojnë. Nisur nga shuma që do të alokohet në buxhet dhe numri i të burgosurve që jetojnë, me shumë gjasë brenda 2016-s do të marrin të gjithë ata që jetojnë këstin e gjashtë.

Në 6-mujorin e dytë të këtij viti ka nisur edhe ndarja e parave për trashë- gimtarët. Ka pasur kaotizëm në shpërndarjen e kësteve për trashëgimtarët.
Gjatë viteve të kaluara, disa nga familjarët kishin arritur të përfitonin dy këste, ndërsa disa të tjerë asnjë këst. Me skemën e re që miratuam në 2014-n, aplikuam një standard të ri, për t’i trajtuar të gjithë njësoj. Kjo do të thotë që s’mund të shpërndahej kësti i tretë për askënd pa u barazuar të gjithë trashëgimtarët me dy këste. Ajo që ka ndodhur nga shtatori i vitit të kaluar deri më tani është ndarja e këstit të parë për ata që nuk kishin marrë asnjë këst dhe paralelisht kësti i dytë për ata që kishin përfituar të parin. Pra, jemi në kushtet kur duhet të barazojmë të gjithë trashëgimtarët. Synojmë që me buxhetin e këtij viti të dëmshpërblejmë me dy këste të gjithë familjarët.

Brenda kësaj kategorie (trashëgimtarëve) do të ketë renditje apo të favorizuar, sikundër aplikohet për kategorinë parësore?
Në fakt nuk ka një rend përparësie, siç është përcaktuar në skemën e dëmshpërblimit për kategorinë e të dënuarve që janë gjallë. Jemi ende në fazën për implementimin e një skeme sa më solidare dhe sa më afër zgjidhjeve të problemeve specifike që ka kjo shtresë. Pra, si mund të bëhet dallimi brenda trashëgimtarëve që kanë të mitur në familje, apo atyre që janë në moshë të thyer? Po ashtu si mund të bëhet dallimi ndërmjet trashëgimtarëve që vuajnë nga sëmundje, apo trashëgimtarëve që bëjnë pjesë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara? Kemi një mori gjërash për të shqyrtuar në përcaktimin e një rendi përparësie. Te kjo kategori është relativisht e vështirë të bëhet renditja. Aktualisht ne jemi duke hartuar një draft për ndryshime të tjera në ligjin për dëmshpërblimin, që korrespondojnë me programin e qeverisë.

Çfarë ndryshimesh të tjera do të pësojë ligji për dëmshpërblimin?
Pritet të zgjerohet gama e përfituesve. Drafti është në ministri dhe nuk ka marrë ende formë përfundimtare. Në vija të përgjithshme mund të them që është një draft, i cili vjen në ndihmë dhe iu përgjigjet nevojave të komunitetit.

Do të rishikohet masa e përfitimit?
Si vlerë? Jo.

Do t’u hiqet e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit nipërve dhe mbesave?
Jo. Në draft nuk parashikohet një gjë e tillë.

Atëherë, çfarë ndryshimesh duhet të presim?
Ajo që mund të them është se drafti që jemi duke përgatitur iu përgjigjet nevojave të kësaj shtrese në kuptimin që i avantazhon dhe jo i diskriminon.

Do të përfshihen dosjet jashtë afatit?
Po, do të përfshihen, por për një kategori të caktuar. Ky projekt i përgjigjet programit të qeverisë për zgjerimin e bazës së përfituesve. Detajet më të hollësishme do t’i bëjmë të ditura në një moment të dytë.

Të internuarit. Më herët është bërë e ditur nga kjo qeveri se do të përfitojnë trajtim me pension të posaçëm. A e adreson ky draft këtë kategori?
Po, kanë për të qenë pjesë e paketës. Të internuarit në tela me gjemba, në ligjin aktual iu jepet e drejta për të përfituar dëmshpërblim 1 mijë lekë në ditë, pra, gjysma e vlerës së përcaktuar për ishtë burgosurit. Në fakt, çfarë ka ndodhur? Nga 2007-a deri në 2015-n, kjo kategori nuk ka përfituar asnjë qindarkë. Projekti në fjalë e adreson këtë çështje. Drafti ka si qasje të tijin bërjen e një kategorizimi apo prioritizimi, të ngjashëm deri diku me atë që është bërë për kategorinë e ish-të përndjekurve. Kjo do të thotë që do të trajtohen të gjithë të internuarit me dëmshpërblim. Por në ndarjen e dëmshpërblimit do të ketë një kategorizim. Me shumë gjasë do të kemi një skemë të ngjashme me atë të të dënuarve. Pra, në fillim do të marrin ata të internuar në tela me gjemba që jetojnë. Pra, këta do të trajtohen me përparësi në raport me trashëgimtarët. Nga të dhënat që vijnë nga Ministria e Drejtësisë, janë mbi 3 mijë dosje që kanë aplikuar në afat.

Si do të llogaritet masa e dëmshpërblimit për të internuarit?
Do të jetë 1 mijë lekë dita. Për të internuarit do të fillojë dëmshpërblimi i munguar që prej 2007-s, sipas vlerës së përcaktuar në ligjin bazë.

Kur pritet miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore?
Ne shpresojmë që brenda muajit shtator ta dërgojmë për miratim në qeveri.

Me interes është të dimë po ashtu se kur do të nisin ta marrin dëmshpërblimin të internuarit?
Të internuarit do të fillojnë ta marrin dëmshpërblimin vitin e ardhshëm.

Në fondin e përvitshëm që do të vendoset në dispozicion nga buxheti i shtetit, do të jetë zë më vete ai për dëmshpërblimin e tyre?
Në fondin vjetor, që mund të jetë rreth 20 milionë dollarë, në kategorinë e atyre që jetojnë do të përfshihen edhe të internuarit në tela me gjemba dhe brenda kategorisë së trashëgimtarëve do të përfshihen familjarët e të internuarve në tela me gjemba. Pra, do të ndiqet kjo linjë. Ndërkohë do të vijojë të ruhet ndarja e fondit, 70 për qind për ata që jetojnë dhe 30 për qind për familjarët.

Po për të dëbuarit çfarë parashikohet?
Të dëbuarit do të përfitojnë një shtesë në pension në momentin kur do të dalin.

E adreson ky draft këtë?
Jo. Do të bëhet me vendim qeverie.

Ka pasur ankesa nga ishtë përndjekurit, apo familjarët e tyre në lidhje me ndarjen e dëmshpërblimit?
Për të qenë të sinqertë, askush nuk preferon që të presë gjatë për të përfituar një këst dëmshpërblimi. Jam i bindur që të gjithë bien dakord logjikisht se të parët që duhet të trajtohen duhet të jenë ata që jetojnë dhe sipas kësaj skeme që është në fuqi. Dikush që sot është 85 vjeç dhe në raport me një nip apo mbesë, që nuk meriton të përjashtohet, por është 30 apo 40 vite më e re, ju siguroj që logjika dhe solidariteti njerëzor çon në konkluzionin se pagesa duhet të bëhet fillimisht për atë që është vetë i burgosur dhe në një moshë të thyer. Të jemi realistë, askush nuk ka dalë dhe ka thënë që unë nuk jam dakord me këtë skemë. Ndoshta edhe mund të mos i pëlqejë, por logjika prevalon dhe askush nuk mund të thotë se është kundër kësaj formule.

Ish-të përndjekurit, zerohet fondi për ata që janë gjallë

Rreth 1300 ish-të përndjekur që jetojnë arritën që brenda këtij viti të përfitojnë deri në pesë këste dëmshpërblim. Por ritmet e përshpejtuara të pagesës kanë sjellë zerim të fondit brenda 6-mujorit të parë të vitit. Kjo do të thotë që pjesa e mbetur e të dënuarve nga kategoria parësore duhet të presin vitin pasues për të marrë këstin e radhës të dëmshpërblimit.

“Arsyeja pse deri më tani kanë marrë vetëm 1300 persona këstin e pestë, është e lidhur me pamjaftueshmërinë e fondit. Pasi u bë ndarja e këstit të katërt për të gjithë ata që jetojnë, fondi që teproi ishte i atillë që nuk mund t’u ndahej të gjithëve dhe në mënyrë korrekte u aplikua skema që përcakton renditjen brenda kategorisë prioritare të përfituesve. Në këtë kontekst ata që përfituan ishin të dënuarat gra dhe ata që janë në moshë mbi 75 vjeç”, shprehet kreu i Institutit për Integrimin e ish-të përndjekurve, Bilal Kola.

I pyetur nëse do të ketë rialokim fondesh brenda këtij viti, Kola thotë se nuk ka ende njoftim për këtë. Por ajo që mund të thuhet me siguri, shtoi ai, është që me miratimin e buxhetit për vitin 2016, të parët që do të marrin këstin e pestë do të jenë personat që nuk kanë mundur ta përfitojnë. Me atë që tepron, ndërkohë, do të fillojë shpërndarja e këstit vijues dhe kështu me radhë.

TRASHËGIMTARËT
Ndërsa këstet për të dënuarit që janë gjallë kanë qenë të përshpejtuara, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për trashëgimtarët. Shkak për këtë është bërë jo vetëm përparësia që qeveria i ka dhënë kategorisë së të dënuarve që janë gjallë, por edhe mosplotësimi i dosjes nga ana e familjarëve.

Kola bën me dije se për trashëgimtarët e ish-të dënuarve kanë mbetur edhe 3 milionë dollarë që pritet të ndahen brenda këtij 6-mujori të dytë. Pagesa për këtë kategori ka nisur në muajin maj dhe pritet që deri në fund të dhjetorit të ndahen dy këste dëmshpërblim. Për këstin e tretë familjarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë duhet të presin vitin pasues. Por edhe në vitin 2016 fondi për këtë kategori do të jetë i pamjaftueshëm.

Kjo për shkak se ligji i ri parashikon që pjesa dërrmuese e tij duhet të shkojë për dëmshpërblimin e plotë të kategorisë parësore. Këtë vit nga buxheti i shtetit u vunë në dispozicion 20 milionë dollarë, nga të cilët 70 për qind shërbyen për dëmshpërblimin e të dënuarve që janë gjallë, ndërsa pjesa e mbetur vijon të ndahet për trashëgimtarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura