Ligji i luftës me Greqinë, ministri i Jashtëm grek jep dy zgjidhjet e mundshme

Dec 20, 2017 | 18:18
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias në një intervistë në emisionin “Next Day” të televizionit publik grek “ERT”, kur foli në lidhje me Shqipërinë, deklaroi se problemi kryesor që duhet të zgjidhet pozitivisht me Shqipërinë është ligji i gjendjes së luftës midis dy vendeve, duke parashtruar edhe dy opsione ligjore, me të cilat mund të procedohet: ose me një dekret nga ana e presidentit, ose me një dekret të miratuar nga Parlamenti grek.

kotzias

“Problemi kryesor që duhet të zgjidhet pozitivisht është Ligji i Luftës. Pasojat ligjore do të rregullohen me një procedurë të veçantë. Sipas qasjes sime të parë, dekreti – sipas të cilit Greqia i shpalli luftë shqiptarëve, – ishte dekret mbretëror. Ekzistojnë dy interpretime ligjore. I pari, me të cilin jam pranë edhe unë sipas një këndvështrimi ligjor (që të hiqet ligji i luftës), dekreti mbretëror është i barazvlefshëm me një dekret presidencial. Por ka edhe një interpretim të dytë, që sipas meje nuk është edhe kaq rigoroz. Por kërkon debat kur të vije koha e tij. Ky interpretim thotë se, dekreti mbretëror ishte në një kohë kur nuk ekzistonte Parlamenti, e për këtë arsye nuk mund të kishte një dekret parlamentar, kështu që tani që ka një Parlament le ta formulojë atë. Por nuk korrespondon Parlamenti me dekretin mbretëror, korrespondon me dekretin presidencial”, tha Nikos Kotzias.

Kotzias tha se “është e drejta e Greqisë të zgjerojë zonën e Egjeut”.

kotzias3 (1)

“Nuk është në axhendën e diskutimeve me Turqinë, por problemi ynë qëndron tek shelli (rafti) kontinental. Teknikisht për të përcaktuar raftin kontinental, duhet përcaktuar zona e Egjeut, çfarë do e kryejmë pjesë-pjesë. Teoria se të gjitha bëhen automatikisht nuk solli asnjë rezultat prej vitesh. Në emër të maksimalizmit nuk bëhet asgjë. Delimitimi detar është mjaft i rëndësishëm për Greqinë, për përcaktimin e AOZ veçanërisht me Shqipërinë, të drejtat tona sovrane janë mese prioritare nga të gjitha aspektet”, deklaroi Kotzias.

Ministri grek nuk përjashton zgjerimin e kufirit detar duke u referuar për herë të parë në Marrëveshjen për të Drejtën Detare në ujërat deri në 12 milje, një marrëveshje që ekziston por deri më sot nuk është zbatuar nga pala greke. Ndërsa për Turqinë zgjerimi kufitar detar nga pala greke përbën “arsye lufte” sipas mbledhjes se 8 qershorit 1995.

Kotzias ka folur dhe për rëndësinë e heqjes së ligjit të luftës me Shqipërinë si dhe ka përshëndetur palën shqiptare për vendimin e varrezave.

Përsa i përket Shqipërisë, Kotzias ka deklaruar se ‘koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur gjithë problemet, duke u shërbyer interesave greke por pa cenuar palën tjetër’. Për kërkesën e pronave nga pala shqiptare ka deklaruar se “çështje prioritare është abrogimi i ligjit të luftës. Pasojat ligjore do përfshihen në një proces të posaçëm, në vijim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura