Ligji i gradave, stop politizimit në FA

Mar 23, 2015 | 12:17
SHPËRNDAJE

PIRO AHMETAJ

   Më 17 mars 2015 u zhvillua seanca e Gjykatës Kushtetuese për ligjin mbi gradat në Forcat e Armatosura të RSH. Pse është ankimuar ky ligj nga Presidenti? Cilat ishin pritshmëritë dhe çfarë rezultoi nga kjo seancë? Me këtë rast, po jap një analizë profesionale të shtatë çështjeve kyçe.
Së pari, ligji bazohet në një proces të përjashtimit dhe jo të përfshirjes së institucionit të Presidentit të Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i FA. Nuk besoj se do shumë mend të kuptohet që një ligj për FA që nuk përfshin Komandantin e Përgjithshëm, është nonsens kushtetues dhe logjik. Përveçse domosdoshmëri, për këtë rast, konsultimi me Presidentin konsiderohet si detyrë kushtetuese (neni 92, pika h; neni 168 pika 2) dhe ligjore (neni 15, pika 1, dhe 2, i ligjit 64/2014 mbi autoritetet e komandimit strategjik të FASH). Është me të vërtetë për të ardhur keq që institucioni i Presidentit nuk ka as edhe një informim zyrtar për këtë ligj, përveçse njohje nëpërmjet faqes zyrtare të Kuvendit!
Së dyti, ligji synon uzurpimin nga ekzekutivi të autoriteteve kushtetuese të Presidentit, si Komandant i Përgjithshëm i FA. Të dy nenet e ankimuara të ligjit, pra ato 25/3 dhe 26/4 (për oficerët me gradë madhore), të gjithë gjeneralët e dekretuar, përfshi edhe komandantët e forcave, dalin në rezervë/lirim me urdhër të Kryeministrit dhe propozim të ministrit të Mbrojtjes”, përveç SHSHPFA…”(!) Në fakt, këto nuk janë subjekt i këtij ligji, por i ligjit të autoriteteve, 64/2014, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, publikuar në Fletoren Zyrtare më datë 10 mars 2015, e cila me të drejtë ia riktheu këto kompetenca Presidentit.
Së treti, ligji shpërdoron më tej balancën e pushteteve dhe autoriteteve mbi ekuivalentimin e funksioneve dhe gradave madhore në FASH. Konkretisht, ky ligj i heq Kuvendit kompetencën e “njehsimit të gradave me funksionet organike” (neni 23) dhe ia jep Këshillit të Ministrave. Ankimimi për këtë çështje nga institucioni i Presidentit lidhet vetëm me ekuvalentimin e funksioneve të gradave madhore dhe jo për funksionet e tjera. Kujtoj që mbështetur në ligjin 64/2014, neni 8 pika b, dhe në raportin e miratuar nga Komisioni i Venecias në sesionin 74 (14-15 Mars 2008) mbi Raportin e Kontrollit Demokratik të FA, CDL-AD(2008)004, Kuvendi përcaktohet si institucioni themelor i Kontrollit Civil Demokratik të FA. Po në këtë dokument, Presidenti përcaktohet si autoriteti i drejtimit strategjik të FA. Parë në këtë logjikë, në asnjë rast Presidenti nuk ka kërkuar autoritete apo kompetenca të kontrollit demokratik, por vetëm të drejtimit strategjik të FA, bazuar në Kushtetutë, në ligj dhe në standardet ndërkombëtare. Për rastin e nenit në fjalë, strukturat që ekuivalentohen me gradat madhore i përkasin nivelit operativo-strategjik, që janë me peshë kyçe në zinxhirin e vendimmarrjes për zhvillimin e konceptit, misionit, strategjisë, llojeve, organizimit, numrit, cilësisë, kapaciteteve dhe buxhetit të FASH, nëpërmjet të cilave ushtrohet dhe matet kontrolli i Kuvendit mbi FA. Arsyetimin e bazuar në numrat apo kartonat në Kuvend, për sa u përket reformave në FA, i gjejmë shumë larg vizionit shtetar të Presidentit. Presidenti ka qenë dhe mbetet vendosmërisht i mendimit se kalimi i ligjeve për FA në Kuvend duhet të synojë konsensus sa më të gjerë përtej shumicës, sepse kapacitetet që krijohen, tejkalojnë mandatin e një qeverie dhe janë pjesë e kontributeve kombëtare në kuadër të misioneve të Aleancës.
Së katërti, ligji shkel parimin e barazisë kushtetuese, pasi kategori të ndryshme ushtarakësh nuk janë të barabartë përpara këtij ligji. Konkretisht, kolonelëve, nënkolonelëve dhe majorëve (vetëm rreth 15% e FASH) u jepet e drejta të aplikojnë 3 herë për gradën e radhës (neni 18 Pika 2), ndërsa gradat kapiten e poshtë (rreth 85% e FASH), që janë pjesa më vitale e FA, diskriminohen duke pasur të drejtë vetëm 2 herë. Për më tepër, kjo pjesë vitale që nuk përfiton gradën e radhës, dalin në rezervë (në rrugë) pa asnjë përfitim dhe status social!! Ky absurditet ndodh kur sipas modeleve të vendeve perëndimore, sistemi i piramidës ushtarake është ndërtuar mbi parimin logjik që “sa më lart të ngjitesh, aq më i rrezikuar je (in or out)”, pra u jepen më shumë shanse gradave më të ulëta dhe jo e kundërta, siç parashikon ky ligj. Si pasojë, koncepti i aplikuar në ligj, jo vetëm që nuk ruan rininë&freskinë e FA, por vetëm stimulon plakjen, parazitizmin dhe dembelizmin e Forcës së Armatosur në kreun e piramidës së saj.
Së pesti, ligji shkel parimin universal kushtetues të pafajësisë së ushtarakut deri sa fajësia të provohet nga gjykata. Institucioni i Presidentit ka ankimuar jo të gjithë nenin, pasi në ndryshim nga ligji i mëparshëm, ligjit në fjalë (neni 24 pika 2, a) i është shtuar që pezullimi i ushtarakut bëhet “…edhe kur ndaj ushtarakut fillon procedimi penal për vepra penale që lidhen me detyrën”, e cila përbën shkelje të Kushtetutës. Po ashtu, nuk është kushtetuese as dhënia e masës së pezullimit të ushtarakut madhor nga ministri i Mbrojtjes (pika 5, neni 24), e cila duhet t’i atribuohet autoritetit kompetent të emërimit për gradat madhore. Definicioni i përgjithësuar “ushtarak” në raport me ligjin i takon modelit kinez të ushtrisë pa grada, që e kemi lënë pas që nga viti 1991, kur pas një ndërprerje 30-vjeçare u rivendosen gradat. Sa për ilustrim, mund të kujtojmë precedentin e kundëradmiral Gërvenit, për të cilin Presidenti nuk ka pasur “asnjë dijeni!” as për pezullimin, as për ndjekjen penale, as për nxjerrjen në rezervë dhe, siç jeni në dijeni, prokurori ka kërkuar para pak ditësh 6 muaj heqje lirie me akuzën për “keqmbajtje të uniformës”! Në dijeninë time, ky përbën një rast rekord “Guinnes”.  
Së gjashti, ligji përbën rrezikshmëri për politizim të skajshëm të FA, si pasojë e frymës së tij në kundërshtim me Kushtetutën. Neni 25, pika dh, i jep ministrit autoritetin të largojë çdo ushtarak nga FA pothuajse në çdo moment kur ai/ajo e konsideron të “arsyeshme”, dhe në asnjë rast ushtaraku nuk ka të drejtë të gjejë të drejtën. Pa u tharë boja e ligjit, ka disa shembuj konkretë, por më tipik është ai i kolonelit Dritan Demiraj, ku pa asnjë referencë ligjore (neni 26, pika 1, përcakton qartë rastet kur ushtaraku largohet nga shërbimi aktiv) ai largohet nga FA. Raste të tilla të nxjerrjes në lirim (masa me ekstreme) të një profesionisti të mirënjohur të dekoruar nga Presidenti dhe Komandanti i Përgjithshëm me titullin e lartë “Nderi i Kombit” janë në kushtet e “shpërdorimit të detyrës”.   
Së shtati, modeli i përcjellë nga ky ligj bie në kundërshtim të plotë me parimin universal të ndërtimit të piramidës së strukturave të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s. Ky ligj është në konflikt te pastër interesi me ata që e kanë përgatitur. Në mënyrë tipike, ky ligj favorizon ndjeshëm gradat e larta dhe shpërdoron pa të drejtë gradat e ulëta. Kjo, pasi nga modeli bashkëkohor i gradimit të bazuar në kohën e qëndrimit në gradë (p.sh. gjeneralët 32-35 vjet; kolonelët 30 vjet; n/kolonelët 27 vjet; majorët 24 vjet; etj., ky ligj mbështet modelin e qëndrimit me moshë në FASH, përkatësisht gjeneralët 62-65 vjeç, kolonelët 59 vjeç, nënkolonelët 57 vjeç, dhe majorët 55 vjeç etj., që nuk është në konceptin modern të asnjë vendi të NATO-s. Me fjalë të thjeshta, ky ligj e kthen piramidën e gradave në FA me kokë poshtë (“më shumë bosa sesa indianë”, thonë amerikanët). Ky ligj në vend që ta ndihmojë reformën e mbrojtjes, do ta pengojë atë. Në cilin nga 27 vendet dhe kudo tjetër aplikohet kjo qasje?
Si konkluzion, gjykoj që ky ligj jo vetëm që nuk u shërben reformave në FA, por dëmton ndjeshëm reformat me konsensus të gjerë të ligjit të kaluar. Ky ligj promovon një model tërësisht të tejkaluar, kontribuon në zhbalancimin e pushteteve të drejtimit strategjik të FA, kontribuon në politizim ekstrem të tyre, mbështet parazitizmin në gradat e larta, çon në demoralizimin e gradave të ulëta, nxit dembelizmin e piramidës së gradave, plakjen e personelit ushtarak, uljen e performancës së tyre dhe praktikat korruptive.  Për arsyet e mësipërme, gjykojmë që ky ligj është një ndërmarrje tërësisht e panevojshme, e pashëndetshme dhe e paqëndrueshme. Për arsyet e mësipërme, kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shpalljen antikushtetuese të këtij ligji.
*Këshilltar i Presidentit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura