Ligji i Dhomave apo Dhoma e Ligjit?

Apr 21, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

enio-civiciENIO CIVICI

Është e pamundur që të bindësh biznesin në Shqipëri që të ketë të njëjtin mendim, qëndrim dhe të njëjtat kërkesa drejtuar qeverisë! Kjo është dhe arsyeja pse në 3 paketat e fundit fiskale, mendimi i sipërmarrësve është konsideruar pak ose aspak. Ky shkrim nuk ka për qëllim të unifikojë mendimin e sipërmarrësve shqiptarë apo të huaj që operojnë në vendin tonë, por vetëm hedh dritë për debatin mbi ndryshimet në ligjin mbi funksionimin e Dhomave të Tregtisë, ndryshime të cilat janë depozituar prej kohësh në Kuvend nga Ministria e Ekonomisë.

Kemi shumë probleme, por kjo nuk do të thotë se duhet të harrojmë dëshirën për zhvillim. Ndër lajme dhe foto nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë dhe seancave në Gjykatën e Krimeve të Rënda, realiteti shqiptar vazhdon të përplasë politikën me biznesin. Aspak në sensin operativ dhe konstruktiv, por gjithmonë në protagonizmin kundërshtues.

Nga një foto në Washington te një tjetër në qelitë e Drejtorisë së Policisë, antitezat më se normale të një shoqërie dhe realiteti kaotik, të bëjnë të mendosh se nuk ndodh asgjë tjetër në këtë shtet. Në 3 muajt e fundit, një ligj i cili ka përfshirë pothuajse të gjithë aktorët më të rëndësishëm ekonomikë dhe financiarë të Shqipërisë, është ai i lidhur me funksionimin e Dhomave të Tregtisë.

Ndryshimi i disa neneve, ku më i përfoluri neni i anëtarë- simit, është dhe çfarë po diskutohet herë pas here nëpër komisione, por pa arritur në votën elektronike të seancës plenare. Nga qëndrimet e deputetëve dhe kryetarëve të komisionit ka disbalanca, ku ndërmjet Kryetarit të Ekonomisë dhe atij të Veprimtarive Prodhuese dallon qëndrime të ndryshme, herë fuqimisht mbështetëse dhe herë si pjesë e thirrjes për të qenë të matur.

Ndërkohë në disa raste përdredhja e qëndrimeve ideologjikisht të majta dhe të djathta ndërmjet deputetëve të 3 apo 4 partive kryesore i ka dhënë dhe një dozë paqartësie kësaj çështjeje. Por pse janë mbledhur mbi 10 herë në 3 muaj komisionet parlamentare për të folur për ndryshimin e një neni të ligjit të funksionimit të Dhomave të Tregtisë, ndërkohë që ende Parlamenti nuk e ka përfshirë në seancë?

Në vitin 1994 është votuar për ligjin e Funksionimit të Dhomave të Tregtisë si forma e parë e ekonomisë së tregut në përfaqësimin ligjor dhe lobues të biznesit. Për shumë vite ky ligj ka drejtuar operimin dhe administrimin e dhomave duke mundësuar, sigurisht me problemet e eficencës apo fiktivitetit, krijimin e mbi 12 Dhoma Tregtie në qytetet më të mëdha. Ky ligj fillimisht bazohej në modelin kontinental ku detaji i lidhur me anëtarësinë përfshinte termin “e detyrueshme”.

Më pas, në vitin 2008, për shumë arsye të lidhura me një keqinterpretim të raportit “Doing Business”, qeveria e kohës vendosi që ligji të ndryshonte këtë nen dhe anëtarësia të ishte vullnetare. Tashmë, teksa kërkohet rindryshimi i këtij neni dhe disa të tjerëve, është e rëndësishme të kuptojmë çfarë vendimi duhet të marrin deputetët ku të kenë në rend dite këtë ligj të ri të Dhomave të Tregtisë.

Për të bërë këtë zgjedhje, duhet të njihemi me 3 modelet kryesore sipas të cilave funksionojnë Dhomat e Tregtisë në botë. Fillimisht është sistemi kontinental (referim për rajonin gjeografik të Europës), sipas të cilit anëtarësimi është i detyrueshëm me pagesën e një kuote. Sipas kësaj tipologjie të ligjit, dhoma i ka të qarta dhe të shkruara objektivat dhe përgjegjësitë sipas të cilave i ofron shërbimet te biznesi, si dhe ka autonominë financiare për t’i realizuar.

Së dyti, është ligji i Dhomave të Tregtisë sipas sistemit anglosakson. Në këtë sistem, i cili kryesisht vërehet në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, forma klasike përfshin anëtarësimin vullnetar, por, në anën tjetër, detyron qeverinë që të alokojë një fond të posaçëm për dhomat, si dhe një sportel për disa shërbime në favor jo vetëm të biznesit, por dhe të qytetarëve. Së treti, ekziston ligji i përbërë.

Kjo formë shfaqet kryesisht në rajonin e Azisë, si dhe në disa shtete të Lindjes së Mesme. Në këto raste Dhomat e Tregtisë janë pothuajse institucione shtetërore, pasi gë- zojnë përgjegjësitë dhe financimet e të dyja sistemeve të mëparshme, përfitojnë kuota nga buxheti, si dhe kanë anëtarësim të detyrueshëm sipas të cilit paguhen kuotat.

Aktualisht ligji shqiptar është i ndërtuar sipas sistemit kontinental, por me ndryshimin e vitit 2008 i mungon anëtarësimi i detyrueshëm dhe kuota financiare shoqëruese. Rikthimi i kësaj kuote për bizneset ka ndezur “alarmin” kryesisht te dhomat e huaja, ku spikat ajo amerikane, si dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj.

Të dy këta aktorë të rëndësishëm përfaqësues të biznesit jo shqiptar nuk janë shprehur kategorikisht kundër rikthimit të anëtarësisë së detyrueshme, por e kanë quajtur “taksë të fshehur”. Sipas tyre, nuk mund të kërkosh shtim të pagesës kur nuk ofron një shërbim të ri. Ndërkohë qëndrimi i Dhomës së Tregtisë Tiranë, por dhe Unionit të Dhomave të Tregtisë sqaron se pagesa është normale dhe sigurisht që shërbimet do të shtohen.

Por pse ky debat dhe pse këto kundërshti? Shqipëria, si një vend me një popull që toleron keqpërdorimin e pushtetit më shumë se skenat pornografike në rrugët e qytetit, e ka shumë të vështirë të besojë te polet e fuqisë financiare dhe politike. Për pasojë dhe të huajt, të mësuar me abuzimin e pushtetit politik, shqetësohen për rrezikun potencial të “dhomave shumë të fuqishme”. Atëherë, cilët janë hapat që duhet të ndjekim?

Edhe pse ky presupozim mund të gjejë baza për t’u artikuluar, përsëri është e domosdoshme që biznesi shqiptar të përfaqësohet efektivisht dhe me cilësinë e suksesit të tregut. Për këtë nuk ka shumë rëndësi nëse anëtarësimi është i detyrueshëm apo jo. Thelbësore mbetet domosdoshmëria e funksionimit të një ligji integral me të gjitha karakteristikat e tij, qoftë ky kontinental, anglosakson apo i përbërë.

Sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, aq më e afërt do të jetë dita kur biznesi dhe sipërmarrja private do të flasë e qeveria do të dëgjojë. Deri tani ka ndodhur vetëm dhe vazhdimisht e kundërta. Nëse do të jetë ligji i dhomave që do të ecë përpara apo shpejtësia jo e lavdërueshme e dhomës së ligjeve, këtë do ta shohim së shpejti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura