Ligji i arsimit, edhe juristët e rinj në provim kualifikimi

Jul 14, 2015 | 13:03
SHPËRNDAJE

Studentët e Drejtësisë pasi të përfundojnë studimet e larta duhet të kalojnë më parë një provim kualifikimi si kusht për të ushtruar detyrën në profilin përkatës.

Kjo është risia më e fundit e ligjit për arsimin e lartë, e cila do të implementohet në kuadër të reformës në drejtë- si. Prezantimi i saj u bë dje gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit për arsimin e lartë në Komisionin për Çështjet Ligjore. Një nen i posaçëm që rregullon programet e studimit në fushën e Drejtësisë u kërkua nga komisionerja e majtë, Vasilika Hysi. “Është sugjeruar që programet e Drejtësisë të futen në një nen më vete, duke u futur si studime të integruara”. Pa dhënë këtë provim, asnjë nga të diplomuarit në një nga profilet e Drejtësisë nuk ushtron dot detyrën.

RISIA

Ligji i ri për arsimin e lartë parashikon të fusë një provim analog me atë të mësuesve edhe për profesionistët e rinj të Drejtësisë. Kështu, të gjithë studentët që përfundojnë studimet 5-vjeçare dhe që kanë siguruar 300 kredite do të futen në një provim kualifikimi, i cili do të organizohet nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me atë të Drejtësisë. Ky provim është kusht për ata që duan të profilizohen në një nga fushat e gjëra të Drejtë- sisë.

“Personat që kanë realizuar studime të integruara në Drejtësi ose një program të ciklit të dytë të studimeve të barasvlershëm me të, mund të vazhdojnë përgatitjen për shkollat e larta profesionale për përgatitjen si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, avokatë shteti, noterë, përmbarues privatë ose shtetërorë, ndërmjetës, si dhe juristë në sektorin publik, pasi të kenë përfunduar provim kualifikues shtetëror në Drejtësi nga Ministria e Arsimit dhe e Drejtësisë”, thuhet në pikën 2 të nenit të cituar nga Vasilika Hysi.

Për zhvillimin e këtij provimi do të duhet një rregullore e posaçme e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Përfshirja e një neni që rregullon studimet në fushën e Mësuesisë, analog me atë të mësuesve, kërkon një sërë ndryshimesh të tjera të nevojshme. “Në pjesën e dispozitave tranzitore të shtohet dhe një nen tjetër, i cili do të përcaktojë afatin e miratimit të rregullores midis Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë, si dhe periudhën kur do të fillojë zbatimi i kësaj dispozite”, u shpreh Hysi. Kërkesa për të futur një nen të tillë është bërë që kur u krijua komisioni për reformën në drejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura