Ligji i 84 votave, ish-ministri: Antikushtetues dhe i panevojshëm! Problemi i vërtetë injorohet nga PS

Jul 9, 2018 | 13:28
SHPËRNDAJE

Ish-Ministri teknik i Drejtësisë Gazmend Bardhi i cilëson antikushtetuese dhe të panevojshme ndryshimet e propozuara nga PS në  pr/ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Deputeti demokrat shprehet se problemi themelor i sistemit të drejtësisë sot dhe që përbën emergjencë është zgjatja e periudhës tranzitore për më shumë se 2 vjet, dhe mos ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke penguar në këtë mënyrë fillimin e funksionimit dhe zgjedhjen e SPAK, BKH, Gjykatave Antikorrupsion dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe për këtë fajëson PS-në:

“Mirëpo, Partia Socialiste nuk propozon asnjë zgjidhje sesi mund të arrihet kjo dhe refuzon që të marrë masa ligjore për të siguruar fillimin sa më të shpejtë të funksionimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese.

Nuk i intereson as fakti që sot në ligj nuk ka parashikime për shkeljet disiplinore të magjistratëve, të cilët nëse kryejnë shkelje gjatë detyrës, nuk mund të ndëshkohen, sepse mungon ligji! Për këtë opozita ka propozuar në Kuvend ndryshimet e nevojshme ligjore prej disa muajsh, por që mbahen të bllokuara nga Partia Socialiste.

E thjeshtë fare! Nuk i intereson që drejtësia e reformuar të fillojë të funksionojë sa më parë. I intereson zgjatja e periudhës tranzitore, si dhe zgjatja e agonisë dhe mbajtja në punë e institucioneve të vjetra të drejtësisë”.

Gazmend Bardhi

Ndryshimet në  pr/ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ishin parashikuar të votoheshin në seancën e kësaj të hëne. Por, në seancë mungoi sot PD dhe LSI, ndërkohë që zyrtarisht, LSI sqaroi përmes deputetit Nasip Naco pse nuk do te votoje pro ligjit në fjalë. Në këto kushte, shumica ka vendosur te shtyjë votimin e pr/ligjit qe kërkon shumicën e cilësuar, pra 84 votat në Kuvend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura