Ligji dhe Maliqi

Sep 30, 2018 | 13:20
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Edmond-TupjaNëse i drejtohemi “Fjalo rit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), do të mësojmë se ligji qenka një “normë a rregull i detyrueshëm, i miratuar nga organi më i lartë i pushtetit ligjvënës; normë a rregull që pranohet e që zbatohet si diçka e detyrueshme”. Nga ana tjetër, sipas të njëjtit fjalor, Kushtetuta qenka “ligji themelor i një shteti që përcakton regjimin a rendin politik, ekonomik e shoqëror të tij, si edhe….” etj., etj., para të cilit ligj të gjithë qytetarët janë të barabartë në ushtrimin e të drejtave dhe në përmbushjen e detyrave të tyre. Mirëpo, prej kohësh, populli ynë i urtë, madje më tepër sesa duhet, që e paska të madh sa të gomarit durimin, përdor një shprehje popullore me vlerë proverbiale, sipas së cilës, “Ka ligj, por ka edhe Maliq”. Ligjin e dimë, pra, se ç’është, siç e bën aq të qartë fjalori në fjalë. Po Maliqi kush na qenka vallë? Fjalori i lartpërmendur, por edhe “Fjalori i shprehjeve frazeologjike të gjuhës shqipe” i Jani Thomait (Botimet EDFA, 2010), nuk e përmbajnë këtë shprehje disi enigmatike.

Disi enigmatike sepse askush nga ato dhe ata që kam pyetur, zonja e zotërinj fort të ditur, nuk ka mundur të më shpjegojë se për cilin Maliq bëhet fjalë, ashtu siç nuk kanë ditur të më shpjegojnë se kush ka qenë Xhaferi që ka humbur simiten (mbase pasi ka gjetur tepsinë), as kush ka qenë e ëma e Zeqos në majë të thanës (mbase në kërkim të timonit). Por le të qëndrojmë te Maliqi ynë: sipas ndokujt të vjetër në moshë, pra, edhe sipas meje modestisht, Maliqi duhet të ketë qenë e me siguri është akoma dikush që qëndron mbi ligjin, dikush që e përdor ligjin si të ishte llastik, tërhiq e lësho, shtrëngo e liro, lidh e zgjidh, poshtë lëshoje e përpjetë fluturoje, pra, duke e përdorur atë si t’i dojë qejfi e palla, shkurt muhabeti, dikush që nuk pyet për njeri, dikush të cilit i pret kordha (me “k”, por ndoshta edhe me “p” si germë të parë) nga të gjitha anët e mundshme e të përfytyrueshme!

Sidoqoftë, mjaft qëndruam në konsiderata të përgjithshme dhe ka ardhur momenti ta këqyrim pak shprehjen “Ka ligj, por ka edhe Maliq” në kontekstin e realitetit shqiptar. Vendimi i qeverisë për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, kësaj pjese të rëndësishme e të patjetërsueshme të kujtesës historike e kulturore të kryeqytetit tonë dhe kullëzimi i frikshëm i hapësirës rreth e rrotull atij provojnë më së miri jo vetëm që zoti Kryeministër, pra, Maliqi ynë mjerisht ngadhënjimtar, bën ligjin duke dalë mbi ligjin, por gjithashtu kanë krijuar, siç e kanë theksuar disa intelektualë e analistë të pavarur, seriozë e objektivë, një precedent fort të rrezikshëm: duke pasur shumicën absolutisht absolute në Kuvend, ai ka në dorë edhe gurin, edhe arrën, bajamen e lajthinë, kështu që asgjë nuk e pengon më të nxjerrë arbitrarisht ligje që i mundësojnë t’u marrë pronën jo vetëm bashkive, por edhe individëve, të cilëve do t’u lërë, në rastin më të mirë, vetëm lëvozhgat! Imagjinojini, o lexuese e lexues të shqetësuar të këtyre radhëve, imagjinojini sheshet pranë banesave tuaja, imagjinojini shtëpitë apo kopshtet tuaja të rrafshohen në emër të ligjit për t’u zëvendësuar me kulla, kulla e kulla pa mbarim!

Maliq! O Zot ç’emër i kobshëm, sidomos për ato dhe ata që kanë një kujtesë e ndërgjegje historike! Maliq, emri i një kënete ku diktatura hoxhiste vrau plot intelektualë që iu kundërvunë asaj! Asokohe, me shumë gjasë, në atë kënetë, do të ketë pasur edhe kallamishte, edhe mushkonja e insekte të tjera burim sëmundjesh. Kurse sot, me betonizimin e pamëshirshëm të kryeqytetit tonë, me tkurrjen e frikshme të hapësirave të tij të blerta, do të rrethohemi nga kulla të përbindshme, do të kridhemi në ajrin e ndotur nga dioksidi i karbonit, do të sulmohemi nga të gjitha anët prej zhurmash deprimuese, do të na pllakosin kutërbime helmuese e do të marrim infeksione, kundër të cilave ilaçet e skaduara do të përshpejtojnë vdekjen tonë.

Ligji dhe Maliqi! Ligji nën këmbët e Maliqit! Çuditërisht, emri “Maliq” të kujton termin “malinj”! Sa llahtarshëm tingëllon ky term, të cilin mjekët tanë e përdorin kur flasin për tumoret e pashërueshme, që i shtrijnë metastazat me shpejtësi e pa pikë mëshire në tërë trupin e njeriut! Në të njëjtën mënyrë, pushteti kancerogjen i Maliqit tonë po i shtrin metastazat e tij me emrat krim, korrupsion e drogë në tërë trupin e sfilitur të shoqërisë sonë të shkalafitur deri në dhimbje e dëshpërim.

Së fundi, çuditërisht, sikur të pesë germat e emrit “Maliq” të renditeshin ndryshe, do të përftonim emrin “Qamil”, i cili, atyre që ende kanë një miligram kujtesë historike, u sjell ndër mend Haxhi Qamilin me mbështetësit e tij që thërrisnin “Dum’ Babën!” dhe për, analogji, gjithë atë milet që sot brohoret “Duam Ramën përjetë!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura