Ligji dhe Lustraxhiu

May 24, 2015 | 12:56
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

EDMOND TUPJA

                      Në lagjen e Bërrakës, gati në zemër të Tiranës sepse vetëm dhjetë minuta larg sheshit “Skënderbej”, kush nuk e njeh Xim Çukullatën, lustraxhiun e lavdishëm, i cili lëshonte herë pas here ca batuta të cilat edhe zoti Kryeministër do t’i kishte pasur përnjëmend zili!

Kështu, për shembull, kur nisi debati lidhur me nevojën e një ligji për lustracionin, Ximi lëshoi batutën e famshme: “Po ne, llustraxhit’, jo vetëm të Brakës, por ene të gjith’ venit, a përfitojm’ noj’ gjo nga ky llustracjoni?”, e cila me gjasë kishte në zanafillë padijen leksikore të personazhit tonë, por që zuri vend më së miri në kontekstin e atij momenti.

Sidoqoftë, sot nuk kam për qëllim të merrem me ligjin e lustracionit, por me reformën në arsimin e lartë ose, më saktë, paksa shkarazi, me projektligjin e arsimit të lartë, i cili, këto kohët e fundit, ka hasur në qëndresën serioze dhe të kuptueshme të profesoratit dhe të studentëve të universiteteve tona.

Kam kaluar 24 vjet nëpër auditorët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, kam marrë pjesë në disa greva pedagogësh e studentësh, si edhe kam mbajtur një qëndrim të caktuar bashkë me shumë pedagogë të tjerë të të gjitha universiteteve publike të Shqipërisë kur, me kthimin e Partisë Demokratike në pushtet, filloi debati i madh për ligjin e ri të arsimit të lartë lidhur, ndër të tjera, edhe me autonominë shkencore e financiare të universiteteve publike.

Mirëpo më duhet ta paralajmëroj lexues in tim të interesuar për këtë çështje se nuk do të jap asnjë mendim timin, thjesht do ta shoh atë duke u nisur nga këndvështrimi i lustraxhiut të lartpërmendur, pra, i Xim Çukullatës, i mbiquajtur kësisoj jo vetëm sepse i hante shumë çokollatat, por edhe pse lëkurën e kishte pikërisht ngjyrë çokollate, ngjyrë tipike kjo e banorëve të parë të lagjes së Bërrakës qysh në kohën e mbretit Zog.

Në zgjedhjen time të këtij këndvështrimi ende intrigues për lexuesin tim shumë kureshtar, qëndron një fakt i thjeshtë: Kur Xim Çukullata, pasi kishte pirë një kafe me fërnet, të shoqëruar me një copë çokollatë, zinte qoshen e tij të patjetërsueshme te cepi i sheshit, atje ku rruga e Bërrakës takohet me rrugën “Mine Peza”, ai i hidhte sytë për KUNDER RRYMES ndonjë klient të mundshëm dhe sa herë vinte re dikë me këpucë disi të pluhurosura, i thërriste: “Hajde, pr’esor, t’i boj Ximi kpuct’ xhom fare!” Kjo frazë ishte lajtmotivi apo refreni i pandryshueshëm i protagonistit tonë kur donte të gjuante për ndonjë “viktimë” të bojës e të furçave të tij.

Të gjithë i bënte profesorë, edhe ata që ishin vërtet profesorë, edha ata që ishin profesorë të asociuar, edhe ata që ishin doktorë shkencash, edhe ata që thjesht kishin mbrojtur një master, por sidomos, kryesisht dhe në veçanti gjithë të tjerët që nuk kishin asnjë gradë apo titull shkencor dhe të cilëve as u shkonte në mendje të pretendonin për ofiqe të tilla. Sot, duke parë që, prej vitesh, universitetet tona publike po përgatisin titullarë masterash e doktorë shkencash, profesorë të asociuar dhe profesorë të merituar me kuintalë, në mos me tonelata, m’u kujtuan fjalët e të ndjerit Xim Çukullata, i cili më rezulton të ketë qenë i vetmi profet që e parandjeu, e parashikoi dhe e paratha këtë gjëmë gjëmimtare në shkallë kombëtare: në atdheun tonë të dashur kapitalist, nuk është aspak e largët ajo ditë kur do të kemi po aq profesorë sa jemi edhe popull, ndoshta më tepër, kështu që në mbarë botën do të eksportojmë detyrimisht me bollëk dijetarë, shkencëtarë, eruditë, gjeni me titullin e artë, e lartë, e …artë PROFESOR!

Mjerisht, veçse dije, shkencë, erudicion dhe gjenialitet, me sa duken bathët (me “a” dhe jo me “y”), do të eksportojmë me pikatore mikroskopike. Së fundi, ndërsa në Francë, para ca vitesh, kishte afërsisht një universitet publik për një milion banorë, në vendin tonë me rreth tre milionë banorë (sepse afro një milion të tjerë jetojnë në mërgim jashtë shtetit), duhet të jesh shumëduarsh e shumëkëmbësh për t’i numëruar universitetet publike e private me gishtërinjtë përkatës.

Në këtë kuadër fatkeq, do t’u lutesha strukturave, organizmave dhe personave kompetentë që do të merren apo tashmë po merren me realizimin e reformës arsimore dhe me zbatimin e ligjit të ri të arsimit të lartë si ligj të mirë- filltë, të mos i zhvleftësojnë në mënyrë edhe më tragjikomike gradat e titujt shkencorë, sepse ndryshe, Xim Çukullata, lustraxhi iluminist, do të ngrihet nga varri e do të na thërrasë të gjithëve, përfshirë edhe mua: “Ecni, o profes-horra, t’jua nxij fytyrën si bora!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura