Ligji, Akademia e Shkencave s’do ketë institute në varësi

Feb 22, 2018 | 10:22
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Një Akademi më e hapur për bashkëpunim me institucionet kërkimore dhe më e pranishme me këshillime pranë qeverisë, por nuk do të ketë institute në varësi. Strategjia për reformimin e shumëpritur të Akademisë së Shkencave është tashmë drejt përfundimit.

Akademia-Shkencave

 

Grupi i punës së ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në fazat përmbyllëse të takimeve konsultuese për projektligjin “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”. Dje, në ambientet e ASH u zhvillua një takim me anëtarët e Akademisë së të Rinjve. Takimi drejtohej nga Skënder Gjinushi.

“Ne jemi në përfundim të konsultimeve publike, pasi ka kohë që punohet në Ministrin e Arsimit për reformimin e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe kërkohet dhe një reformim dhe ripozicionim i pozicionit të Akademisë së Shkencave në këtë piramidë. Grupet e punës po punojnë mbi projektligjin dhe akte të tjera nënligjore”, tha Gjinushi. Sipas tij, pretendohet që Akademia e Shkencave të jetë më e hapur në marrëdhënien me institucionet e tjera kërkimore, por duke qenë të pranishëm me konsulencën e tyre dhe pranë organeve vendimmarrëse qeveritare.

Sipas Gjinushit, duhet që ASH të jetë partner kryesor me Ministrinë e Arsimit, por edhe Qeverinë. Reforma Edhe pse Akademia e Shkencave ka qenë një institucion në tranzicion që prej 10 vjetësh, që në heqjen prej saj të instituteve, ky institucion, që duhej të ishte elita e kërkimit shkencor, u vendos në qendër të vëmendjes gjatë periudhës së zgjedhjeve të kryesisë së re dhe siç edhe kishte ndodhur gjatë viteve të fundit, ndodhi rokada e radhës dhe kryetari u bë zëvendëskryetar dhe anasjelltas. Kjo solli shumë reagime, deri te Kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se Akademisë do t’i priteshin financimet nëse nuk do të reformohej. Në projektligjin që po diskutohet, parashikohet që kreu i ASH të mos zgjidhet më shumë se dy mandate. Por një nga pikat më të nxehta ka qenë struktura e Akademisë së Shkencave, me apo pa institute.

akademia

“Debati u përqendrua më shumë në këtë temë, me apo pa institute, edhe pse kjo ka 10 vjet që funksionon në këtë mënyrë dhe tani kemi rënë në konsensus që të vazhdojë e tillë. Institutet tashmë janë pozicionuar pranë shkollave të larta, por askush nuk pengon që pranë Akademisë të ngrihen njësi kërkimore afatshkurtra, që mund të ngrihen edhe me kërkesën e qeverisë për drejtime të caktuara. Ligji e njeh, që me kohë, nëse ekziston vullneti apo del nevoja nga qeveritë, të ngrihet edhe një qendër afatgjatë kërkimi”, tha Gjinushi. Sipas tij, anëtarësia është po ashtu një pikë e rëndësishme, pasi përbën garancinë e një institucioni.

“Do të jetë një proces i hapur dhe përmes akteve nënligjore, do të jenë të përcaktuara në mënyrë eksplicite kriteret dhe procedurat”, tha ai. Sa i takon varësisë ose jo të ASH nga Ministria e Arsimit apo qeveria, Gjinushi u shpreh se nuk flitet për varësi, por për një raport besueshmërie dhe bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë. “Qëllimi është të ngrihet shkenca dhe kërkimi shkencor dhe qeveria është e interesuar për këtë gjë”, tha ai.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura