Ligjërimi i ekipit të “Rilindjes”

Apr 20, 2015 | 18:03
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

AGRON GJEKMARKAJ  
Komunikimi publik i ekipit qeverisës paraqet disa risi me ligjërimin e shfaqur, i cili përmbledh verbin, gjuhën e trupit veshjet dhe krejt semantikën e vet politike.
Më konkretisht ai segmentohet në fjalorin, gjestet, grimasat, mimikën në përgjithësi. Kjo e fundit shfaqet si mozaik që përfshin buzëqeshjet, qeshjet, zymtësinë, heshtjen, lotët, tundjen e kokës dhe të gishtit, frymëmarrjen, ritmin e saj, harenë, zemërimin, vështrimin e papërcaktuar ose shigjetues, të tejzgjatur apo shpërfillës, ëmbëlsinë, llamburitjen apo melankolinë në fokusin e tij, pikëllimin, marazin, sportivitetin, sigurinë e treguar me vetulla të harkuara si cilësi shquese të kësaj skuadre.

Harmonia dhe bashkimi si elemente kolektive na transmetohen nga ecja në grup e sidomos te vizitat nga dy e tre në festa fetare, paçka se ndonjëherë harrojnë se cila ishte festa qëllim i vizitës. Mesazhi që përcjell mishela e fjalëve dhe gjesteve janë produkt ligjërimor i dorës së parë, që e meritojnë një analizë subjektive, në mos tjetër.
Të gjithë njerëzit janë nga pak teatralë prej natyre, të tillë nga spontaniteti, të papriturat ose nga emocione të veçanta, por kur teatraliteti kthehet qëllim në vetvete përballë kamerave, duke kombinuar këto cilësi karakteriale në pritje të efektit me qëllim krijimin e “së vërtetës së ngjashme”, atëherë kemi të bëjmë me modifikimin e thelbit të ligjërimit nga komunikimi si nevojë, te propaganda si mjet.

Le të ndalemi pak te kumti që perceptojmë nga diskursi, në jo pak raste metafizik, i ministrave tanë.
Fjalia çelës kur diskutohet për projektligje është “ne ju sigurojmë” thjesht me tri gjymtyrë.

Elementi siguri është i lidhur me kryefjalën “ne”. Ajo ekziston se pikërisht janë “ata”, por, nëse të tjerë do të ishin në vendin e tyre, një gjë e tillë as që mendohet dhe, çfarë nuk thuhet në ligj, mbështetet me fjalë nderi. Të zgjedhurit në pak kohë pretendojnë të bëhen të përzgjedhur në marrëdhënie besimi me devocion mistik, ku fjala e dhënë e garanton ligjin dhe jo ligji atë. Dualiteti, e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, është i kudopranishëm dhe gjithmonë në anën e gabuar dhe yshtur nga demoni i së keqes është kundërshtari, i cili nuk ka kurrë të drejtë.
Termat “sot” dhe “dje” nuk janë thjesht koncepte kohore në gojën e tyre, por ndarje politike epokale, përndryshe nuk justifikohet “Rilindja”. Me fjalën “sot” lidhet shpresa, e mira, ndryshimi pozitiv, të vepruarit në atë moment; Me të dytin e keqja, negativja, modeli që tremb e që nuk duhet harruar mbështetur mbi “ne” dhe “ ata”, “unë dhe ai”. Dikotomia e ekstremeve nuk është rastësore. Ajo synon ndëmoralizimin e kërkesës për llogari.

Fjalia e rrokëzuar, e shoqëruar me pauza të gjata, te gishti vërtitet qortueshëm dhe vështrimi depërtues të shkoqit qenien; Si fuqi e supozuar sinqeriteti është një tjetër karakteristikë ministrore e këtij ekipi qeverisës kur llafoset në ekran. “Jemi krenarë” është refreni më i përdorur prej tyre pas çdo akuze, gjatë çdo fjalimi, në të gjitha intervistat dhe takimet e përditshme.
Krenaria është ombrellë e madhe, me të mund të mbulohet shumëçka, por më së shumti ajo tentohet të prezantohet si produkt i “metamorfozës”, i rilindjes pas “tokës së djegur”. Gjithashtu thuhet rëndom “u kthyem krenarinë shqiptarëve” dhe këtu jemi në fushën e së pamatshmes. Të jetë ky një premtim i mbajtur, vështirë të thuhet, por që është lokomotivë retorike kjo po, por se deri kur furnizohet me karburant mbetet për t’u parë.

Kërcënimi me burg në emër të ligjit është tagër vetëm i liderit, sipas parimit pushteti buron veç prej atij dhe administrohet veç prej tij. Kujdesi në këtë pikë është një tjetër shenjë. Vetëdija e grupit është ajo e të qenët instrument në ushtrimin e pushtetit për qëllime të epërme dhe se ata nuk paguhen për të menduar, por për të vepruar. E folura e tyre e përcjell ketë kujdes tjetër. Si të tillë, shfaqen si njerëz pa cilësi të veçanta ose të mbushur me jo-cilësi. Porosia e shefit shfaqet si moto lëvizëse, si një element që garanton suksesin dhe dominon ligjërimin herë në fillim e herë në fund. Në këtë mënyrë duket se fjala e mund shkrimin, urdhri shkresën dhe bindja dyshimin dhe të gjitha së bashku “na sigurojnë” ne. Një drejtoreshë e rëndësishme tha pak muaj më parë “besimi i tij më shndërroi nga grerëzë në bletë punëtore”, ndërsa në një pantomimë estrade thuhej “e çfarë isha unë para se të njihja shokun Sillo!?”
Analizat për 100 ditë apo një vit qeverisje e kishin tejet të pranishme këtë klimë ligjërimore në shumë raste propagandistike. Gjithashtu dora e hedhur në qafë, ecjet në këmbë, zhargoni i çunave të lagjes apo i ijes që jeton te porta në krah, përgjigjja me dy ditë vonesë e ndonjë SMS-je, ankimi se nuk marrim dot frymë, lodhja e skajshme, si dhe kujdesi që të gjitha këto të transmetohen si rastësisht me modesti, janë shenja dalluese të komunikimit ministror. Thelbi i këtij komunikimi ngjan të jetë propaganda si një sëmundje e vjetër majtiste jo vetëm shqiptare.

Nevoja për propagandë nxjerr në pah raportin e premtimeve me realizimet, si dhe topitjen e gjykimit mbi abuzimet dhe arrogancën e pushtetit. Nëse do duhej ta përmblidhja në një fjali gjithë sa shohim e dëgjojmë nga ligjërimi i ministrave dhe shefit të tyre, në ndihmë më vjen vargu epik i Naimit: “u ngrit pritmi i Shqipërisë si i vdekuri nga varri”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura