Ligjërimi i ekipit të ri të PD-së

Apr 24, 2015 | 12:38
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Partisë Demokratike në këto 10 vitet e fundit i janë bashkëngjitur dy flukse politikanësh të rinj, më të fundit janë koordinatorët e Bashes. I pari grup është ai i KOP-it, i cili erdhi të retushonte  një pjesë të imazhit të liderit Sali Berisha, tek në fakt retushoi imazhin e vet, duke përfunduar nën hegjemoninë totale të shefit historik si vartës të tij pa asnjë ndoshta e sikur. Ata i harruan cilësitë e pretenduara me të cilat kishin hyrë në politikë dhe konkurronin me gardën e vjetër thjesht në besnikëri, duke e tejkaluar atë në agresivitet. Ndaj çdo zëri disident ata lodheshin të paret, duke rendur në përfolje e mallkime. Teksa të vjetrit rezervoheshin në të lavdëruar se mosha dhe përvoja të bëjnë kursimtarë në fjalë, këta me galop djersinin në përzgjedhje epitetesh epike. Refleksionit ia zuri vendin patetika, vizioneve bindja, kurajës frika, debatit leximi i deklaratave. Disa syresh shkuan aty me iluzionin që të modifikonin gjuhën e Sali Berishës dhe përfunduan të imitonin atë pa sharmin e origjinalit.
Ndryshe nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri, që e kishte luksin ta vishte veten me petkun e origjinalitetit dhe të fjalës së mbajtur, qoftë edhe me kosto ndaj premtimeve apo personazheve që e rrethonin, njomëzakët filluan të gënjenin herë nga karakteri, herë nga halli, por më shumë nga qejfi si deformim i të dytit.
Gënjeshtrën e shihnin si zbulim dhe pa një pa dy e menduan si politikëbërje moderne. U dukej rrena si leva e Arkimedit. Kërcenin, i gëzoheshin, e përqafonin atë si zbulimin më të madh. Kjo qenka politika, e kuptuam, dukej sikur na thoshin. Vit pas viti, pluhuri i kohës ra mbi “duart e pastra”, të cilat harruan t’i lajnë derisa jakë, jakë, mbërriti viti 2013 si katakomb politik. Po ata nuk u rrëzuan rëndë. Kishin menduar për ditën e kiametit.
Më shumë se konsumimi i Bodes, Topallit, Rulit, Olldashit, Tafajt rëndonte ai i djemve dhe vashave kopiste, sepse opinioni publik kuptoi një gjë të thjeshtë: dëshirën për t’u vetëpërdorur në emër të karrierës së shpejtë politike, pavarësisht nga mosha apo diploma, favoret që kjo sjellje të ofron, duke korruptuar etikën sociale. Pas kësaj, duhej t’u thoshin fëmijëve bëni si këta more qerratenj, që të vini ca bereqet mënjanë, suksesi do të jetë juaji. Do të ishte gabim nëse dikush do ta kërkonte fajin vetëm te Sali Berisha si joshës.
Ai thjesht kuptoi etjen e tyre dhe u vuri përballë një enë të madhe me miradina dhe ata hëngrën e pinë sipas dëshirës. Ata qëlluan të zhuritur dhe e frynë calikun me rropamë. Berisha ka aq faj sa Kazanova përballë femrave. Sali Berisha, si personalitet politik, ka dy kute mase, një me historinë dhe një me ambicien e tij.
Gjatë kohës që i shërbente kësaj të dytës, ashtu siç besonte se është më mirë, historia ishte në veprim, duke e gjykuar me shakatë e veta nëpërmjet Erjon Braçes që e quante “fatkeqësia e Shqipërisë” dhe ndonjëri të vetësh, që e krahasonte me Skënderbeun, teksa solemniteti i “mësueses së jetës” kërkon distancë prej emocioneve. Një ditë ajo mbërrin si kosë apo kurorë sipas përmasave.
 Virtytet e veset e mbi dy dekadave politikë Berisha i mori me vete me dorëheqjen e fundqershorit 2013. Post histori është vazhdimi. Më të spikaturit të KOP-it, Lulzim Bashës, i mbërriti përzgjedhja. CV-ja e tij është e dendur në një kohë të shkurtër, ministër i Jashtëm i suksesshëm, ministër i Punëve Publike jo pak i diskutuar, ministër i Brendshëm fort i atakuar dhe kryetar  Bashkie i Tiranës me vendim gjykate, konfigurohet si bartës i risive dhe konformimeve të asaj organizate. Më së shumti për vullnet të Berishës, pasi humbja e PD në zgjedhje këputi frutin nga pema dhe ia hodhi në prehër në formën e kryetarit të saj, atij i duhej “neolingua” (ligjërimi i ri). Një përpjekje ai po e bën.
Basha nuk është irritues dhe prepotent, ai ka zgjedhur një gjuhë “soft”. Ai nuk duket si kërcenim dhe nuk i tremb qytetarët, por të shohim në i bind. S’ka asgjë prej misionari në komunikimin e tij, si i tillë vjen si zakonshëm. Kjo gjë është pozitive, sepse njerëzit kërkojnë si të ngjashmit e tyre dhe druhen më pak prej tyre. Lodhja ndaj mesianikëve po shfaqet përditë.
Aq “soft” flet ai, sa edhe pohimet më dramatike duken si përshëndetje, kërcënimet si ledhatime, emocionet si uji mbi pelerinë, vërtetësia i rri si formë më tepër, sesa përmbajtje. Pamja serioze dhe serioziteti i idesë jo pak herë nuk janë përputhur, sepse veprimi ka përgënjeshtruar fjalën. Këtu fillon krahasimi me liderin historik, i cili në këtë vështrim nuk e favorizon. Nostalgjikët e Sali Berishës kujtojnë me endje “motin e madh”.
Basha gjithashtu solli një strukturë të re politike, një fluks koordinatorësh, që mblodhi rreth vetes me gjasë një si shartim të “pionierëve të Enverit” me “dëshmitarët e Jehovait”. Në rastin më të mirë, ata shfaqen si bij e bija të nënmesatarizmit me ç’na kanë ofruar deri tani në agorën e politikës sonë.
Asnjëri prej të zgjedhurve të tij nuk ka shkëlqyer askund, nuk kanë emër dhe as fytyrë publike, ndonëse performojnë në lexim deklaratash apokaliptike, të cilat mbyllen me një buzëqeshje të përunjur. Historia e “Rilindjes” është shkolla e tyre e vetme e suksesit. Ndonjëri syresh duket si Teloja, personazhi i novelës “Njeriu i mirë” i Dritëro Agollit, tek zbulon zullumet e qeverisë e të Kiço Peles nga Vermoshi në Konispol. Tepër socrealizëm në komunikimin publik.
Kundërvënia është e qartë, mirësia e “njeriut të mirë” opozitar ndaj “poshtërsisë së njeriut të keq” e tamahqar në pushtet. Gjuha e tyre thotë “populli gaboi” dhe, o burrani, ta mësojmë atë që të korrigjojë gabimin pa kërkuar arsyet e “gabimit” dhe pa e lypur atë pothuaj aspak te vetja. Nihilizmi total është aleat i kundërshtarit. Opozita e Bashës e ka si artileri të rëndë, ashtu siç është në favor të saj kur qeveria dështimet e veta të shumta i hedh tek e kaluara të gjitha pa ngurrim.
Të dëshpëruar, të trishtë, si e fundit shpresë, shfaqen opozitarët tanë, sepse sipas tyre vendi është në greminë dhe ata s’e durojnë dot këtë kob. Ata po përpiqen si Sizifi, po guri prapë rrotullohet dhe shkon honeve. Hallet e dynjasë janë gjumi i tyre i prishur. Drejtësia, puna, dinjiteti janë kryefjala e tyre, të cilat hajde t’i masim sa na janë dëmtuar e po aq t’i imagjinojmë se në ç’masë do na kthehen. Relativizëm retorik, pak të thuash. Por ata po shpëtohen për në kryqin e politikës. Mëshirë, o Zot!
Ndodh që ekipi i ri, në vend që të arsyetojë, reciton, në vend që të bindë, zhgënjen, në vend që të ndjellë simpati, zgjon zemërim me gjuhën e zgjedhur, sepse janë shumë afër “fajit” në kohë dhe në pamje. Ekipi i ri duket se ka një problem me të vërtetën dhe fjalën e dhënë. Kur ta zgjidhë, do t’i afrohet pushtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura