Ligjërimi i dominuar nga fajësimi

May 22, 2015 | 12:03
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

    Gjatë kohës që ishte në opozitë, Kryeministri Edi Rama përdorte një diskurs mjaft nihilist, me gjuhë lufte, për të përshkruar gjendjen në vend. Sulmi dhe fajësimi i kundërshtarit kanë përkufizuar që herët, shumë herët, gjithë ligjërimin e tij. Në fjalimin e parë në Kuvend, gjatë kohës që po paraqiste programin ekonomik, Rama foli për një ekonomi të shkatërruar, të vjedhur, për biznese të shpartalluara, për arkën e shtetit të lënë bosh.
Po tregonte se kjo gjuhë nuk ishte tipar i tij vetëm në opozitë. Ai tha se vendi është zhytur në borxhe kudo: në shëndetësi, në arsim, energji, ujësjellës, në sipërmarrje etj. U shpreh se barbaria ka qenë aq e llahtarshme, sa hemorragjia është e gjithanshme. Shqipëria, në daljet e përditshme me orë të tëra në televizor, përshkruhej si një trup që kullon gjak kudo. Policia ishte drejtuar nga banditë, ushtria nga maskarenj, çdo zyrë kishte qenë strehë kriminelësh dhe krimi kishte qenë zot i vendit. U tha se: “Ne, megjithëse nuk e kemi shkaktuar këtë gjëmë, e marrim përsipër këtë barrë të tmerrshme” etj. etj. Ndonëse në analizën e 100 ditëve në dhjetor 2013 (sigurisht në televizor dhe me projektorë e grafikë), Rama tha se “më e keqja ka kaluar”, ai nuk reshti për asnjë moment së foluri për gjendje të tmerrshme të trashëguar, borxhe masive, kompani të rrënuara nga “mendësia e Lala Gjonit që la pas tokë të djegur”. Ky lloj ligjërimi është intensifikuar këto ditë, në përpjekje për t’iu përgjigjur kritikave të ashpra të deputetit Ben Blushi. Në Panairin e Punës, Rama (në një fjalim mbi një orë) tha se ekonomia vuan nga kanceri dhe kërkon operacion të rëndë. Ajo kullon gjak kudo, kudo ka plagë të thella dhe nuk mund të kërkohet rezultat kaq shpejt. Ai u shpreh se: “Morëm një Shqipëri të zhytur në borxhe të thella, të falimentuar kudo, ku nuk paguheshin invalidët, ku nuk kishte ilaçe në spitale, ku sëmundja kishte pushtuar çdo qelizë të vendit”. Dy ditë më pas në Kukës, Rama foli sërish për borxhe të mëdha dhe për ekonomi të shkatërruar, për operacion të rëndë që kërkonte kohë dhe për mjekim të dhimbshëm dhe shumë të hidhur. Edhe në Shkodër po i njëjti ligjërim: mjekim, operacion, kancer, gjetëm mynxyrë etj. Çfarë përfaqëson ky lloj ligjërimi dhe sa i pranishëm është ai në diskursin politik në vendet demokratike? Ne nuk po hyjmë në detaje të gjendjes aktuale të ekonomisë, të reformave të qeverisë, të efekteve të tyre dhe të gjendjes, në të cilën e gjeti Kryeministri Rama vendin. Megjithatë, është e sigurt se gjendja e Shqipërisë në vitin 2013 nuk ishte aq e rëndë sa e Shqipërisë në vitin 1992, kur erdhi në pushtet PD, pas 47 vitesh komunizëm, ku gjithë ngrehina e ekonomisë kolektive ishte gërmadhë dhe mjerimi ishte tronditës. Shqipëria e vitit 2013 nuk ishte më keq sesa Italia e vitit 1945, pas një lufte të çmendur të një regjimi të çmendur fashist të Musolinit. Humbjet në njerëz, ekonomi dhe kudo ishin dramatike. Shqipëria e vitit 2013 nuk ishte më keq se Gjermania e vitit 1945 ose vitit 1949, pas gati 20 vitesh nazizëm dhe shkatërrim total të vendit. Gjermania u bombardua egërsisht, ajo u kthye në një arenë dhune dhe lufte që përpiu gjithçka. U vranë miliona gjermanë, miliona të tjerë mbetën të gjymtuar pas një regjimi kriminal si ai i Hitlerit. Shqipëria e vitit 2013 nuk ishte në gjendje më të rëndë se Franca e vitit 1945, kur gjenerali De Gol po përpiqej të mbante në këmbë një vend në krizë të thellë, i cili ishte drejtuar nga një qeveri mëkëmbëse e Hitlerit. Franca përballej me kryengritje, vrasje dhe shpenzime të papërballueshme në shumë koloni. Ne do të shohim një fjalim, nga më të rëndësishmit, të ish-kryeministrit italian Alicide De Gasper, mbajtur në vitin 1945 pas luftës, për të parë natyrën e ligjërimit të tij. Është emocionuese të lexosh këtë tekst. Ai nuk ka aty asnjë fjalë për njerëzit e Duçes, për fashistët, ai nuk flet për një Itali të shkatërruar dhe të llahtarshme që i duhet ta mëkëmbë. Fjalimi titullohet “Dashuri dhe falje”. Ai shprehet: “Ne duhet të jemi bashkë në këtë moment, që kërkon më shumë se kurrë të mos gjejmë fajtorë, të mos tregojmë gishta. Zemra e dhembshur mund të ndiejë dhimbjen e atyre që vuajnë, shpirti i butë mund të ndihmojë ata që janë në uri, në sëmundje, pa strehë dhe pa shpresë”. Në vitin 1949, kancelar i Gjermanisë Perëndimore u zgjodh Konrad Adenauer. Nga viti  1945 deri në vitin 1949, vendi u drejtua nga aleatët (Franca, Britania dhe SHBA). Në datën 14 gusht, në seancën e parë të Bundestagut në fjalimin programatik, Adenauer shpalosi idetë e tij për Gjermaninë e re. Në atë fjalim Adenauer foli për dramën e thellë, sidomos shpirtërore që vuajti populli gjerman dhe për përpjekjet për rindërtim. Ai flet për krijimin e mundësive që gjithkush të jetojë si njeri me dinjitet, që gjithkush të mos privohet nga nevojat bazë. Adenauer shprehet: “Ne do të bëjmë gjithçka që gjermanët të jenë njerëz të lirë, të kenë punë, të rrisin dhe edukojnë në mënyrën e duhur fëmijët e tyre. Ne do ta bëjmë këtë duke ofruar paqe, duke ndjekur vetëm idealin e punës dhe të drejtës. Fantazmat e krimit do të mbesin në hijen e vet dhe në hijen e historisë. Gjermania do ndërtohet nga të gjithë dhe për të gjithë”. Adenauer vlerëson mjaft lart aleatët dhe komisionin që ka drejtuar Gjermaninë deri në atë moment, shpreh angazhimet e vendit të tij ndaj tyre dhe traktateve, por kurrë nuk flet për Gjermani që kullon gjak, që vuan nga kanceri, që është zhytur në mizerje, në borxhe etj. Nuk tha “nuk keni parë gjë akoma”, siç bëri Kryeministri Rama në seancën e parë të Parlamentit. Dhe të mendosh që Gjermania ishte ndarë, Lindja ishte pushtuar nga Bashkimi Sovjetik, mijëra nazistë ishin vërdallë dhe mijëra të tjerë ishin fshehur në ekzil. Fjalimi më i rëndësishëm që ka mbajtur gjenerali De Gol, president i Francës, sipas studiuesve është ai i vitit 1946 që njihet si fjalimi “Bayeux”. Është një moment kyç për Francën, pas luftës, një moment kur po ideohet Kushtetuta e re dhe vendi do të hyjë në zgjedhje. Franca është shumë e ndarë për shkak se komunistët janë mjaft të fuqishëm dhe vendi është thuajse i shkatërruar krejt. De Gol me një gjuhë të përkorë u kërkon francezëve të mbështesin Kushtetutën e re, të besojnë tek e mira, liria dhe e drejta. Ai vlerëson fuqimisht të gjithë ata që dhanë jetën për Francën në luftë kundër pushtimit nazist (fjalimi mbahet në Bayeux, pranë Normandisë, ku ndodhi zbarkimi aleat). Më pas De Gol shprehet: “Heronjtë tanë, duke dëshmuar këtë superioritet moral, na lanë një barrë të rëndë nderi, të cilën ne do ta mbajmë duke e dashur edhe më shumë vendin dhe popullin tonë”. I gjithë fjalimi flet për nevojën për Kushtetutën e re, për forcën dhe frymën e re dhe në asnjë rresht nuk flitet për gjëmë të trashëguar, për ekonomi të shkatërruar, për ndonjë Lala Gjon të atjeshëm apo për borxhe të rënda që duhen paguar e as për operacione të dhimbshme me plagë e gjak. Gjuha e De Gol ka vetëm respekt, paqtim dhe ftesë. Po të shohësh me radhë gjuhën e të gjithë liderëve të vendeve demokratike të pas Luftës së Dytë Botërore në Belgjikë, Holandë, Britani, Austri etj., nuk gjen asnjë rast të ngjashëm me gjuhën e Kryeministrit Rama. Një gjuhë të tillë e gjen vetëm te fjalimet e drejtuesve komunistë që erdhën në pushtet pas kësaj lufte. E gjen tek Enver Hoxha që vetëm fajësonte “satrapin Zog”, reaksionarët, gjakpirësit etj. Deri në vitin 1990, gjuha e Partisë Komuniste vazhdonte të merrej ende me satrapin Zog, me periudhën e errët të asaj kohe dhe çdo krahasim bëhej me vitin 1938. Këtë gjuhë e gjen masivisht te Lenini. Ja një shembull. Në një fjalim për shtetin e ri sovjetik mbajtur në nëntor 1917, Lenini shprehet: “Rusia sovjetike do të ngrihet mbi shkatërrimin shekullor të Carit, poshtërimin e pamasë, vrasjet dhe torturat e tyre. Rusia është sot e mjerë, e vjedhur, rrahur, është  një shtet i kalbëzuar, i cili do të ngrihet fuqishëm dhe do të lulëzojë në botë…”. Edhe fjalimet deri disaorëshe të Fidel Kastros, për gati dyzet vite me radhë, kanë po të njëjtën ngjashmëri. Po ashtu, ato të Mao Ce Dunit, Ho Shi Minit etj. etj. Kjo lloj gjuhe është tipar i totalitarizmit. “Tjetri” është gjithçka, gjithë ekzistenca jote varet nga konstruktimi i tjetrit. Dikotomia “ne dhe ata” i jep trajtë gjithë veprimit politik. Ky lloj ligjërimi tregon në fakt edhe gjendjen e rëndë në ekonomi dhe kudo. Ky lloj ligjërimi shkon vetëm me krizën, me mjerimin. Ky lloj ligjërimi nuk shkon me demokracinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura