“Ligjërimet e Berishës me akuza të rënda, deri tek besëthyerja”/ Deputeti Gjekmarkaj: Deklaratat e Bashës të kujdesshme, por duhet të flasë më qartë

Oct 14, 2021 | 21:32
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj thotë se ligjërimet e ish-kryeministrit Sali Berisha për kreun e PD, Lulzim Basha janë tepër të rënda, deri në atë të kodit moral, duke përmendur besëthyerjen.

gjekmarkaj-basha - berisha

Në emisionin “Real Story” në News24, Gjekmarkaj u shpreh se ka një dualitet mes Bashës dhe Berishës. Nga njëra anë Basha që është i kujdesshëm me deklaratat dhe nga ana tjetër Berisha, i cili ka ashpërsuar tonet.  Për Gjekmarkajn, Lulzim Basha duhet të flasë më shumë dhe më qartë, pasi e ka detyrim politik dhe moral.

Deputeti demokrat u shpreh se dualizmi me Berishën edhe e ka ndihmuar Lulzim Bashën, por edhe e ka rënduar në sytë e opinionit publik.

“Problemi është se ka një dialektikë të ngjarjeve në dinamikë në PD prej 5 javësh dhe ka një ligjërim të Berishës me akuza nga më të rëndat, deri tek kodi moral që është besëthyerja. Është ligjërimi asgjësues që ne jemi mësuar ta shohim kur Berisha është i zëmëruar.

Në këtë aspekt kemi një dualitet, Basha që hesht, a për mirësjellje a për çështje etike apo strategjike sepse mendon që nesër i duhen gjithë njerëzit që shkojnë pas Berishës sot.

Për mua ka ardhur një pikë që Basha duhet të flasë më shumë, më qartë më me transparencë. Ka marrë një nga ato vendime që e ka futur PD në këtë dialektikë që citova. E ka marrë këtë vendim në kontekstin gjeostrategjik, i raporteve me SHBA.

Të gjitha ata që duan Bashën dhe që e duan nesër kryeministër duan të dëgjojnë diçka më shumë. Basha e ka detyrim politik dhe moral që të flasë.

Deklaratat e tij janë të kujdesshme. Unë nuk po e ftoj Bashën të shkujdeset. Unë thjesht në pozitat e një njeriu që do të kuptojë më shumë duhet të dëgjoj më shumë nga Basha.

Unë kam patur një përshtypje se Basha është kryetar real i PD në këto 8 vite. Por duke gjykuar ngjarjet në këto 5 javë kam ndryshuar mendim. Realisht kryetar i vërtetë Basha është bërë këto 5 javë që ka marrë këtë vendim.  

Dualizmi me Berishën edhe e ka ndihmuar, por edhe e ka rënduar në sytë e opinionit publik. Basha është mbështetur nga Berisha në 2013, në 2017, në 2021. Unë gjykoj deklaratat publike. Në momentin që u mor ky vendim ka ndryshuar e gjithë konsiderata. Tani Basha është besëthyer, negativ. Atëherë është një shtysë personale e Berishës”, tha ndër të tjera deputeti Gjekmarkaj.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/