Ligje që ngelen rrugëve

Dec 17, 2017 | 12:19
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPELLUMB NAKO

Në rast se ne shqiptarët do të zbatonim ligjet që kemi hartuar, sot do të ishim në Bashkimin Europian,  tha një drejtues i lartë i ekzekutivit gjatë takimit me disa banorë në Verilindje të Shqipërisë. Thënia u shoqërua me të qeshura dhe duartrokitje. “Shqipëria ka ligje shumë të mira, por duhen zbatuar”, thonë njëri pas tjetrit miq dhe jomiq të Shqipërisë, duke nënkuptuar rregullisht se moszbatimi i ligjit në masë, është mungesë civilizimi. E thonë edhe drejtues të rëndësishëm të vendit tonë, në takime të rëndësishme dhe sidomos ndërkombëtare.

Madje dhe psherëtijnë me vështrimin e përhumbur diku larg. Problemi i moszbatimit të ligjit përgjithësisht i lihet publikut. Po të analizonim në vija të përgjithshme legjislacionin për sigurinë publike, do të shihnim se ekziston një problematikë e cila mund të konstatohet gjatë gjithë procesit për hartimin, aprovimin dhe zbatimin e tij. Ligjeve në këtë fushë u mungon tipari themelor i shtetit të së drejtës: Siguria juridike. E për rrjedhim pazbatueshmëria.

Policia e Shtetit, organizmi më masiv i administratës shtetërore është subjekti tipik tek i cili ndihet dukshëm pasiguria juridike e ligjit bazë që menaxhon këtë organizatë. Në një periudhë kohore prej 16 vitesh, ligji bazë i Policisë së Shtetit është rrëzuar dhe hartuar katër herë. I pari në vitin 1999 e më pas, në vazhdim 2007, 2014. Ky i fundit, ende pa u vënë tërësisht në zbatim, pësoi ndryshime në vitin 2017. Ndërkohë, secili nga këto ligje u shoqërua me rrëzimin e një morie vendimesh qeverie dhe hartimin e po aq të tjerave.

Dhe për më keq, disa syresh me veprim prapaveprues. Faktor tjetër ky i mungesës së sigurisë juridike. Shkëlqejnë në këtë drejtim vendimet për gradat. Aq herë sa ndryshohen, po aq herë nuk zbatohen. Në rast se vendimeve do t’i shtonim edhe pafundësinë e akteve nënligjore, si dhe ndryshimet kronike të strukturës organizative të Policisë, pështjellimi nuk do të ishte i matshëm. Numri i atyre që nuk lexojnë rregulloret sa vjen e rritet.

Asnjë punonjës Policie nuk ndihet i mbrojtur, i sigurt. Përkohshmëria mbjell vetëm fenomene negative. (Tani jemi në pritje të ligjit për vetingun në polici). Pasiguria juridike e ndjek Policinë e Shtetit jo vetëm në drejtim të ndryshimeve të shpeshta të ligjit bazë të saj, pa objektiv të qartë, pa konsensusin e duhur social brenda radhëve të saj, por edhe në drejtim të ligjeve të tjera me karakter administrativ që rregullojnë sigurinë publike dhe që policia ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të tyre prej qytetarëve. Rëndom, vihet re se procesi i fazës se aprovimit të një ligji me interes publik, dominohet nga arroganca, forca e kartonit, shpejtësia marramendëse dhe shumë zhurmë. Nismëtarët nxitojnë. Protagonizimi nuk pret.

Pak rëndësi ka sesa i vlefshëm është ligji. Mungon durimi, përgjegjshmëria që nisma për hartimin e një ligji me interes për publikun të marrë kohën e duhur. Sensibilizimi dhe njohja e publikut me projektligjin fillon që në momentin e nismës. Administrata detyrohet të punojë me shpejtësi, pa marrë frymë, se titullari nismëtar nuk ka kohë. Nxitimi nuk i jep asaj mundësinë të hartojë një projekt të konsultuar mirë, të marrë sa më shumë konsensus social, dhe produkti të jetë i qëndrueshëm dhe sidomos i zbatueshëm.

Konkretisht: Gjatë vitit 2014, në ndryshimin ligjor që i është bërë ligjit 8663, i cili normon rregullat e lundrimit të mjeteve nën 20 NT, në nenin e 5, parashikohet vendosja e detyrueshme në to e GPS-ve, si masë e normave të sigurisë në det. A janë vendosur GPS-et në mjetet e lundrimit që parashikon ky ligj? Jo!!! Nisma ligjore nuk i krijoi kushtet administratës policore për ta përmbushur këtë detyrë. Ajo nuk u shoqërua me faturën e shpenzimeve që duheshin për ndërtimin e një platforme elektronikë me qëllim kontrollin në kohë reale të mjeteve të lundrimit nëpërmjet GPS-ve që ligji parashikonte të vendoseshin detyrimisht.

Parashikimi me ligj për vendosjen e një pajisjeje të veçantë në mjete që përdoren nga qytetarët nuk përputhet aspak me sigurinë juridike të një ligji. Ai shton pazbatueshmërinë. Në vitin 2016, u aprovua edhe ligji “Për masat shtesë të Sigurisë Publike”. Ligji u debatua. Opozita e kundërshtoi. Po ashtu edhe disa organizma ndërkombëtarë. Presidenti i Republikës e kthehu mbrapsht. Pastaj ai u ndryshua dhe rregullua me disa plotësime. Në publik, zhurma e domosdoshmërisë për të tundi dynjanë. U fol për një hop të ri cilësor.

Në zbatim të ligjit, u hartua një udhëzim i ministrit të Brendshëm. Edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale hartoi dhe botoi udhëzimin e saj në zbatim të ligjit. Pra, me gjithë kundërshtitë, ai hyri në fuqi. Po a po zbatohet ky ligj sot? A ka filluar Policia e Shtetit të bëjë analizën e vlerësimit të rrezikut për subjektet, sipas nenit 7? A kanë filluar drejtorët vendorë të policisë të pajisin subjektet me “vërtetime sigurie” sipas nenit 11 të ligjit?

A ka filluar Policia e Shtetit të njoftojë subjektet, veprimtaria e të cilëve rezulton si burim rreziku sipas nenit 10 të ligjit? Protagonizmi politik, nënshtrimi i autonomisë së policisë, bëri që të hartohet një ligj i cili ngeli rrugës duke mos qenë aspak i domosdoshëm në formën në të cilën u hartua. Koha e shkurtër për futjen e tij në fuqi e bën atë të pazbatueshëm. “Jemi në një angazhim të pandalshëm e të përditshëm, që na jep mundësinë të bëjmë një kapërcim epokal”, u tha për nismën e vendosjes së Kamerave të trupit të Policisë.

Pastaj u tha se “çdo punonjës policie do të jetë i monitoruar 24/24 orë. Madje, pa e kuptuar.” Edhe në YouTube u panë demonstrime ditën dhe natën. Nuk u harrua pa thënë se këndi i shikimit të kamerës është 110°. Nga buxheti i taksave të qytetarëve dolën plot 540 533 300 lekë. Po ç’bëhet sot me to? Kanë kaluar disa vjet. Deri tani kamerat përdoren vetëm në Tiranë. Në kryeqytet ka rreth 450 syresh. Po të tjerat ku janë? Ende stok në magazina. Pavarësisht se këtu nuk kemi të bëjmë me një ligj, por me një nismë. Nismë të lenë përgjysmë dhe me dëm financiar.

Kapërcimi është epokal, por vetëm sipas humoristit francez Kolysh: “Franca po ecën gjithmonë e më mirë. Vërtet nuk jemi aq mirë sa vitin që shkoi, por këtë vit është e sigurt se do të jemi më mirë se vitin që vjen”. Ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, anulimet me karakter prapaveprues, paqëndrueshmëria, afatet e pastudiuara të hyrjes në fuqi, si dhe moslënia kohë administratës për ndjekjen e zbatimit të tyre, sidomos në përmasat e Policisë, prodhon pasiguri juridike e për rrjedhim mungesë në zbatueshmëri. Dhe ky nuk është faji i qytetarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura