Ligj për “Mashtrimin e Madh” Shëndetësor!

Nov 23, 2015 | 10:58
SHPËRNDAJE

tritan-shehuTRITAN SHEHU

Dëshiroj të theksoj që në fillim të këtij shkrimi se ndryshimet e propozuara nga Qeveria për Ligjin “Për sigurimet e detyrueshme të kujdesit shëndetësor”, neni 12 i tij, shprehin një mentalitet e ideologji tashmë të tejkaluar, që u përket linjave të mendimit të “socializmit utopik”. Ndryshimi i kërkuar konsiston në atë që dhe “personat e pasiguruar të përfitojnë kujdesin nga mjeku i familjes”. Në pamje të parë ky propozim duket si një “dhuratë” qeverisëse.

Në të vërtetë, kjo ndërhyrje jo vetëm që nuk do të sjellë efekte përfituese për popullsinë, por edhe godet e shkatërron frymën e themelin e atij ligji, duke krijuar në këtë mënyrë një praktikë tejet të rrezikshme shumë dimensionale për vendin tonë. Së pari, ndryshimi i propozuar është kryekëput populist-spekulativ. Ai është krejtësisht në vazhdën e gënjeshtrës “shëndetësi falas”, e cila tashmë është “e varrosur”. Në qoftë se do të lexojmë nenet e ligjit ekzistues, kjo kuptohet lehtësisht.

Në vendin tonë qytetarët e punësuar janë të detyruar të kontribuojnë për shëndetësinë në mënyrë direkte me 3,4% të rrogës, nga të cilat 1,7% paguhet nga i punësuari, e 1,7% nga punëdhënësi. Për disa kategori të kontribuesve ekzistojnë format e sigurimit vullnetar. Të gjitha shtresat e tjera, të cilat konsiderohen në nevojë, pra, në pamundësi për të kontribuar, janë automatikisht të mbuluara nga skema nëpërmjet buxhetit të shtetit, duke përfituar njëlloj si dhe të siguruarit të gjitha shërbimet shëndetësore. Kjo vlen jo vetëm për mjekun e familjes, por edhe për specialistët e shërbimin spitalor.

Në këtë grupim hyjnë pensionistët, fëmijët deri në moshën 18-vjeçare, personat me përkrahje sociale, të papunët, invalidët, handikapët etj. Realisht në vendin tonë janë rreth 600 mijë kontributorë aktivë në skemën e sigurimeve shëndetësore, ndërsa të mbuluar sipas kategorive që nuk mund të kontribuojnë, të përcaktuara me ligj siç përmenda më sipër, janë edhe rreth 2,2 milionë të tjerë.

Këta quhen pjesëmarrës pasivë në skemë dhe është shteti që i derdh vlerat financiare për ata të Fondit të sigurimeve. Besoj se tashmë pyetja e mëposhtme është e natyrshme: Pse kërkohet të bëhen këto ndryshime ligjore, sa qytetarë të tjerë do të përfitojnë nga ky ndryshim, edhe sa do të rritet në këtë mënyrë kontributi i shtetit për qytetarët? Në çdo analizë të këtyre pyetjeve ka vetëm një përgjigje, nuk mund të ketë asnjë shtesë të ndjeshme reale qoftë njerëzore (kjo është popullsia e vendit tonë), pra, qoftë dhe financiare nga buxheti.

Përkundrazi në bazë të interpretimeve të mundshme të ndryshimeve ligjore të propozuara, që krijojnë edhe një konfuzion serioz, rrezikohet që këta të mbuluar pasivisht me këtë ndryshim ligjor të përfitojnë vetëm asistencën e mjekut të familjes, duke humbur tashmë të drejtën për shërbimet e specializuara e spitalore. Pra, gjithçka që kërkohet të ndryshohet në ligj, është thjesht një spekulim politik, asgjë reale për qytetarët. Ky tipar i këtij projektligji evidentohet tërësisht edhe për faktin se drafti e relacioni i tij nuk përmendin asnjë numër të qytetarëve që do të përfitojnë dhe as nuk shkruhet për ndonjë faturë financiare?! Në fakt nuk mund të ketë elementë të tillë… është veçse një iluzion! Megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e çështjes që duhet diskutuar.

Ana tjetër qëndron në faktin se dëmtimi i krijuar me këtë projektligj është shumë më serioz në planin politik dhe vizionar. Në vendin tonë prej vitesh po punohet për të krijuar edukatën, ndërgjegjësimin e detyrimit të qytetarëve për të kontribuar me qëllim përfitimin e një shërbimi publik, në rastin konkret të shërbimit shëndetësor. Përjashtim këtu bëjnë vetëm ato shtresa që konsiderohen në pamundësi për ta realizuar këtë, emërtimi i të cilave shumë qartë përcaktohet në ligj, duke disiplinuar kështu aspektet financiare dhe morale.

Heqja nga ligji e këtij detyrimi kontributiv, i cili shpreh edhe solidaritetin qytetar, qoftë edhe ndaj mjekut bazë që paguhet pikërisht mbi numrin e kartelave, shkatërron tërë filozofinë e skemës, ndërgjegjësimin e njerëzve. Kjo krijon iluzione dëmtuese se ti mund të përfitosh edhe pa kontribuar kur mund të kontribuosh. Në çdo analizë këtu kemi të bëjmë me një koncept antishtet, robespierian, anarkist, që krijon dëme të pallogaritshme jo vetëm për sistemin e financimit shëndetësor, por dhe për vetë përgjegjshmërinë e qytetarëve ndaj detyrimeve të tyre në përgjithësi.

Duke dashur ta zgjeroj këtë diskutim, për të kuptuar më qartë natyrën spekulative të këtyre politikave qeverisëse, do të theksoja se institucionet shtetërore në vend që të tentojnë të kryejnë të tilla aventura juridike e politike, së pari duhet të plotë- sojnë ata vetë detyrimet që kanë ndaj financimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore. Ligji ynë e përcakton se kontributi i shtetit për shtresat në nevojë duhet të jetë aq sa konsumohet për frymë për shëndetësinë, indeksuar kjo me inflacionin.

Pa dyshim një kalkulim i tillë për frymë, që duhet ta kryejë institucioni ynë publik i sigurimeve e më tej të miratohet në Kuvend, duhet të jetë bazuar mbi pjesën e popullsisë që kontribuon. Shifra e dalë nga ky kalkulim duhet të përdoret për të përcaktuar shumën që shteti duhet të derdhë për shtresat në nevojë. Në fakt, sot shteti nuk e respekton këtë detyrim ligjor të tij.

Ai derdh në sistemin e sigurimeve aq sa dëshiron, konkretisht rreth 185 M E. Në bazë të llogaritjeve korrekte mbi parimet e më- sipërme, duhej të derdhte edhe rreth 65 M E më shumë, për të qenë konform ligjit. Të dashur lexues, besoj se tashmë në mbyllje të këtij shkrimi të shkurtër askush nuk ka nevojë për komente të tjera sqaruese. Kjo jo vetëm ndaj falsitetit e rrezikshmërisë së këtyre ndryshimeve ligjore të propozuara, por dhe për të evidentuar mungesën e vullnetit real të institucioneve tona shtetërore, në plotësim të detyrimeve të tyre ligjore, për financimin e sistemit tonë shëndetësor. Mos të harrojmë se ky sistem është më i nënfinancuari në Europë.

Kjo duhet korrigjuar! Prandaj Qeveria në vend të këtyre propozimeve “antishtet” do të bënte më mirë të sillte në Kuvend dispozita të tjera ligjore, që realisht të bë- nin të mundur sadopak përmirësimin e gjendjes katastrofale financiare të sistemit tonë shëndetësor. Lëvizje të tilla do të ishin të domosdoshme në synim të arritjes së një niveli cilësor të pranueshëm shëndetë- sor ndaj qytetarëve tanë dhe jo…!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura