Lidhja pa lidhje e reformës me skandalet

May 19, 2016 | 13:10
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

A ka ndonjë lidhje mes Reformës në Drejtë- si dhe shpërthimit në seri të skandaleve që po tronditin vendin? Po të sajoheshin enkas dhe po të shpërthenin si me telekomandë, do të na shkonte mendja se armiqtë e reformës po bëjnë çmos ta zhurmojnë atë, ta sabotojnë, ta rrëzojnë nga kalendari i Kuvendit, të fshijnë nga kursi i ri i ndëshkueshmërisë.

Mirëpo, këto skandale nuk i ka planifikuar e nuk mund t’i planifikojë kush. Ata janë një gjë krejt tjetër në krahasim me aktet e destruktivizmit parlamentar, që ndërmerren në mënyre të vullnetshme për të penguar apo vonuar miratimin e një ligji. Janë vetë jeta e së keqes brenda shoqërisë, janë shpërthime që vinë pikësëpari nga trashja e zullumeve.

Shpeshtimi i tyre në pikun e përpjekjeve për draftimin e Reformës në Drejtësi është një koincidencë që nuk ka lidhje me reformën. Mjafton të kujtojmë se bandën shqiptarogreke të trafikut të lëndëve narkotike në sasira të mëdha nga Shqipëria në Greqi, ku komandonte drejtori i Transportit në Sarandë, Kelmend Balili, aktualisht në kërkim ndërkombëtar, e zbuloi DEA amerikane në bashkëpunim me Policinë greke dhe e publikoi së pari media greke.

Të dënuarin me burgim të përjetshëm, Arben Frroku në arrati, e kapi Policia holandeze. Skandali “Shukriu” shpërtheu një gjendje kalbëzimi dhe degjenerimi që është mahisur dhe vijon të mahiset në shkallë të gjerë kur shumë zyrtarë apo të zgjedhur ndihen pronarë të tokave, parqeve, pyjeve, parave publike, mishit të bardhë, shpirtrave dhe çdo gjëje.

Pronarë të gjesë së huaj që nxit format më perverse të shpërdorimit. Mund të vijojmë me shembuj të tillë për të provuar atë që thamë më lart, se skandalet dhe reforma nuk kanë lidhje. “Lidhjen” e ka shpikur dhe po mundohet ta mbajë gjallë për interesa politike-elektorale Kryeministri Rama me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të kupolës qeveritare.

Për çdo dështim, për çdo skandal, për çdo dyshim apo akuzë konkrete që u vjen nga opozita këta e kanë bërë zakon të mos shpjegohen, siç e ka për detyrë një qeveri normale, por të tundin gogolin e reformës. Para dy ditësh, pas alarmit dhe denoncimeve të opozitës për skandalin e përgjimeve, Kryeministri reagoi kështu: “Hall i madh Reforma në Drejtësi. Tani u bëhet edhe sikur i përgjojnë”.

Si rregull, pas çdo debati dhe kërkese llogarie nga opozita për çështjen “Shullazi”, për çështjen “Frroku” apo për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”, Rama ka pasur e ka në majë të gjuhës përgjigjen e tij standarde, të tipit “nuk ju shpë- ton nga Reforma në Drejtësi as Frroku, as Noku, as Shullazi, as Hazi, as Nari, as Eskobari”, a thua se këta personazhe të krimit, me lidhje të provuara tashmë me krerët e shumicës qeveritare, i ka nxjerrë në skenë opozita për të zhurmuar Reformën në Drejtësi! Kjo është alogjike për inteligjencën fëminore.

Ndërkaq, është e turpshme sepse nuk buron nga naiviteti fëminor, por nga një frymëzim provokativ dhe nga mendimi se njerëzit janë të trashë e i hanë këto broçkulla. Kjo shëmbëlltyrë e idiotësisë dhe ligësisë dha një shfaqje speciale javën e kaluar në seancën plenare të Kuvendit.

Ish-kryeministri Berisha denoncoi me emra dhe me detaje konkrete një skandal të kobshëm në përmbajtjen e vet, që tregonte se oficerë të lartë të Policisë së Shtetit ishin marrë me manipulimin e provave të armëmbajtjes pa leje nga dy bashkëpunëtorë të Emiljano Shullazit.

Në vend të reagimit të detyrueshëm të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili mund t’i pranonte apo t’i hidhte poshtë akuzat- është e drejta e tij dhe e çdo njeriu- u panë disa deputetë t’u binin me pëllëmbë tavolinave “reforma- reforma”. Ashtu po bënin “bis” me Kryeministrin Rama dhe me ministrin e Brendshëm, të cilët në atë seancë apo në një tjetër të mëparshme janë dëgjuar t’i drejtohen ish-kryeministrit me këto fjalë: “Më shih në sy, në sy më shih! Do ta votosh reformën, apo jo?”.

Ky deklaron me emra se filani dhe filani, drejtues në Policinë e Shtetit, kanë prishur gjilpërën e pistoletës së mbushur me të cilën ishte kapur bashkëpunëtori i Shullazit, këta nuk sqarojnë a u prish gjilpëra e armës pa leje apo jo, a u lirua pas kësaj i ndaluari për armëmbajtje pa leje apo jo, por, duke e prezumuar tjetrin si të fajshëm, i thonë “do ta votosh reformën, apo jo?”.

Mirë, more mirë, por janë dy gjëra krejt pa lidhje, krejt të ndryshme, do të klithte ithtari i logjikës elementare. Të tjerat ia lë lexuesit t’i gjykojë si të dojë. Përveçse rroma për toma, siç thotë një shprehje popullore, teza se opozita merret me skandalet sepse nuk do Reformën në Drejtësi është gënjeshtër. Kjo reformë është në proces dhe po shkon përpara ditë pas dite në komisionin e posaçëm parlamentar. Pavarësisht se skandaliada e ka mbështjellë me një atmosferë zymtësie.

Po miratohen me konsensus pjesë dhe nene të saj. Po veçohen për t’u trajtuar dhe për të gjetur gjuhën e mirëkuptimit çështjet që Komisioni i Venecias i ka adresuar politikisht. Ky është fakt. Të vazhdosh t’i biesh fyellit në një vrimë “s’duan, s’duan”, ndërkohë që puna vazhdon, është qesharake. Qesharake është të vazhdosh të bësh të vluarin për një reformë që nuk është më siç e ke dashur dhe shkruar në fillim, pasi të tjerët, në rastin konkret opozita, e ka sjellë përmes Komisionit të Venecias, SHBAve dhe BE-së në kornizën e standardeve demokratike.

Qesharake dhe e ulët është gjithashtu që Edi Rama vazhdon ta shohë reformën si gogolin e tij, që do të çojë në ferr kundërshtarët e tij, që do t’i hapë atij dyert e kurorëzimit si mbret i ndershmërisë me skeptrin e ndëshkueshmërisë në dorë. Dikush duhet ta sqarojë se gogoli i tij ka ngordhur në Komisionin e Venecias, në Uashington dhe BE. Reforma që po merr formë dita- ditës do të ndëshkojë pa dallim, në bazë të ligjit, të gjithë ata që kanë abuzuar, të çdo ngjyre qofshin.

Dikush duhet t’i kujtojë se gjithë Perëndimi u sugjeron palëve të përshtatin një gjuhë që lehtëson dialogun dhe konsensusin për Reformës në Drejtësi, ndërsa ky një e dy i drejtohet opozitës dhe indirekt aletit të tij në qeveri, LSI-së, me një gjuhë provokative që do t’ia kishte zili një gardian i pagdhendur burgu: “Nuk ju shpëton asgjë nga Reforma në Drejtë- si, as Rroku, as Frroku, as Shazi, as Shullazi, as Nari, as Eskobari”.

Me fjalë të tjera, votojeni që të vrisni veten! Është e qartë se me retorikën e tij, Rama ka mëtuar e mëton t’i ngarkojë Reformës në Drejtësi të gjitha hallet e tij. Ai do të dëshironte shumë të shkonte në zgjedhje me legjendën që po shërben prej një viti, se kundërshtarët dhe rivalët e tij e penguan reformën sepse kanë frikë prej saj. Në këtë mënyrë mendon t’ia hedhë edhe një herë. Duke e trajtuar reformën si jorgan dhe si llogore për të mbuluar skandalet dhe dështimet e qeverisë. Këndej edhe politika e pengimit të saj “me duar të pastra”.

Dje duke paraqitur një draft të papranueshëm që e vinte Drejtësinë nën hyqmin e Kryeministrit, sot duke i hedhur benzinë zjarrit. Që kjo të funksionojë sadopak, do të duhej një opozitë destruktive, bojkotuese, naive. Por opozita po i bën të dyja punët. Po denoncon skandalet dhe po shërben për Reformën në Drejtësi. Kjo është rruga.

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura