“Lidershipi im nuk ka qenë lidership kriminelësh, ka qenë një lidership sakrificash”/ Basha: Thjesht u hoq një Tom për të ardhur tre Toma, u hoq një Aqif për të ardhur dy Aqifa

May 29, 2021 | 12:56
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur të shtunën nga qyteti i Burrelit se demokratët e Shqipërisë u futën në këtë proces zgjedhor, të vetëdijshëm se po futeshin në një proces të pabarabartë, pasi ishte një betejë që s’kishte asnjë lidhje me rregullat e demokracisë.

Lidershipi im nuk ka qenë lidership kriminelësh, ka qenë një lidership sakrificash. Ndaj, këtu dua të ndalem për një çast dhe t’ju siguroj që nuk ka fjalë në fjalorin e pasur të gjuhës shqipe që mund të shprehë përmasat e vërteta të mirënjohjes që ndjej në shpirtin tim për sakrificën tuaj si dhe t’ju them se për këtë sakrificë dhe vetëmohim, sa të kem frymë, nuk do të resht të bëj asgjë në dorën time, nuk do të lë asgjë pa bërë derisa çdo pikë djerse e sakrificës tuaj, të shpërblehet“, tha Basha.

Në fjalën e tij, kryedemokrati Basha theksoi se “pavarësisht të gjithë asaj që ka ndodhur, shkrirjes së shtetit me partinë, siç e thotë edhe raporti paraprak i OSBE-ODIHR, roli i krimit të organizuar, që dyfishoi numrin e kriminelëve në parlament, ku u hoq një Tom erdhën tre Toma, u hoq një Aqif, erdhën dy Aqifa e kështu me radhë, duke shtuar më tej ku mbetën tre të pandehurit e dosjes 339, të cilët mbajnë peng negociatat e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e kështu me radhë“.

Pra, ne u futëm në një betejë, përballë një kundërshtari politik i cili e trajtoi procesin zgjedhor si një masakër elektorale të përgatitur në detaje nga momenti i parë deri në momentin e fundit”, tha kreu i PD-së.

Sipas tij, Edi Rama përdori kundër qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti demokratëve të gjithë arsenalin e shtetit, të buxhetit, të parave të korrupsionit, të bandave kriminale dhe të favoreve tjera të cilat ju i dini fare mirë dhe nuk ka nevojë t’i rreshtoj këtu, që nga tolerimi me kusht i rritjes së bimëvë narkotike, tek tolerimi me kusht i ndërtimeve pa leje, tek legalizimet për vota, tek blerja e mjerimit që ka mbjellë në sofrat Matjane për një grusht parash e gjithçka tjetër.

Këtu vetë në Mat me dy simbolet e krimit me Malajt e Bashkisë dhe Malajn e një nga protagonistët e dosjes 184, pavarësisht të gjithë kësaj ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë dhe për shqiptarët, duke u bërë më të fortë, duke u rritur dhe duke mos u lëkundur para këtyre presioneve, ne dolëm nga kjo betejë dhe u konfirmuam si forca e vetme morale në vend”, tha Basha.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura