Lideri i Ballkanit s’ka ardhur akoma

Jul 9, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

     Shtypi gjerman e kishte “kryqëzuar” dje Kancelaren Merkel. Për  çështjen e Greqisë. Gazeta e madhe “Bild” e bënte përgjegjëse që Europës mund t’i bëhet presion për të mos paguar borxhe. Me shenjat e lodhjes greke në fytyrë, Merkel erdhi në Tiranë, ku e priste e kundërta e shtypit kritik me qeverinë, servilizmi me qeverinë, që i neverit burrat dhe gratë me formim demokratik më shumë sesa mund t’i mërzisë liria e kritikës.
Kancelares iu bë një pyetje e mbështjellë me mëndafshin e një lajke: Ju jeni lidere e Europës. Po cili është lideri i Ballkanit, Edi Rama i Shqipërisë apo Aleksandër Vuçiç i Serbisë? Në gojën e një kritiku të Ramës, fjala vjen të Armand Shkullakut apo Andi Bushatit, pyetja do të kishte tingëllimin e një pafajësie djallëzore për ta ironizuar dhe  ekspozuar Ramën negativisht para Kancelares.

Kjo sepse, një vit më parë, në konferencën e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, shtypi proqeveritar i Tiranës, krah për krah me makinerinë propagandistike të Kryeministrit, u investuan rëndë, me metodat e lidhjeve të shkurtra, për ta paraqitur zotin Rama të përzgjedhurin e zonjës Merkel si lider të Ballkanit. Fakti kryesor mbi të cilin u ngrit ky promocion, më saktë autopromocion i Kryeministrit tonë, ishte caktimi i tij për të dalë para shtypit në fund të konferencës në emër të homologëve të Ballkanit Perëndimor. Ishte një nder, sigurisht që kryeministrit tonë i vinte edhe nga germa “A”, me të cilën fillon emri i atdheut tonë jashtë. Mund të ishte edhe një zgjidhje kompromisi mes  kryeministrave armiq. Nuk na kushton asgjë të themi, përkundrazi do na pëlqente të ishte edhe një zgjidhje simpatie nga ana e Kancelares mikpritëse për Kryeministrin e ri të Shqipërisë. Por, që të ndërtosh me ketë element figurën e liderit të Ballkanit, kjo ishte një megalomani e kulluar.

Zoti Rama, i cili qëndron zakonisht prapa miteve që ka dëshirë të krijojë për veten e tij dhe i lë të mpiksen gjoja sikur nuk ka dorë, u kujdes ta ilustronte autopromovimin si lider ballkanik me një foto disi konfidenciale me Kancelaren në një ballkon. Siç ndodh në të gjitha komeditë e keqkuptimeve dhe sajimeve, që vijnë duke u zmadhuar si një tullumbace, sa më shumë u fryn mendjelehtësia dhe servilizmi, fabula e liderit ballkanik u ngrit në legjendë pas vizitës së Ramës në Beograd, që u pasua nga lufta mediatike qesharake se kush ishte më i madh, më i gjatë, më i preferuar nga Kancelarja Merkel: Rama apo Vuçiç.

Ja, ky është telegrafikisht konteksti i pyetjes që iu bë dje zonjës Merkel në Tiranë. Nuk mund ta di dhe as më intereson ta di a ishte një  pyetje e sinqertë apo ironike. Naiviteti prodhon të njëjtin reagim, qoftë kur është i kërkuar, qoftë kur është i vërtetë. Kancelarja u befasua. “Nein, nein”, ishin fjalët e para që nxori nga goja, duke refuzuar cilësimin lidere e Europës. Pastaj mbeti e hutuar një çast. Po përballej jo me një pyetje, por me një botëkuptim. Që nuk është  thjesht botëkuptimi i një gazetari që pyet, por i një fashe të gjerë njerëzish që bëjnë politikë dhe merren me politikë në ketë vend. Me botëkuptimin e vjetër se lideri është dikush që sundon. Përgjigjja spontane e Kancelares ishte përgjigjja tipike e një europianeje, që e sheh veten papritur në një mjedis të ngarkuar me keqkuptime elementare. Lideri është demokracia, tha ajo pa u menduar për kontekstin, nëntekstin, paramedimin apo prapamendimin e pyetjes. Ky është një koncept që buron nga natyra e të menduarit e njerëzve me formim demokratik.

Ky ishte një lloj leksioni me dy fjalë, i paparashikuar, që i dha një vlerë të shtuar vizitës historike të zonjës Merkel në Tiranë. Ndaj, duhet falënderuar edhe gazetarja që e bëri pyeten. Jo se ne kishim nevojë të shikonim shfryrjen në Tiranë të një legjende boshe nga vetë e zonja e punës, së cilës servilizmi dhe bizantinizmi qeveritar ia kishte atribuar. Por kemi nevojë si shoqëri  të mësojmë, të kuptojmë, të arsyetojmë dhe të sillemi si europianë. Demokracia është sundimi i ligjit dhe “ligji është monarku i vetëm”,  thoshte Hamilton. Margaret Thatcher ishte një kryeministre e fortë jo sepse ishte e paturpshme dhe nuk i skuqej fytyra, siç përkthehet forca politike në zakonet provinciale, por sepse ndiqte me besnikëri bindjet e saj të votuara në kornizën e ligjit anglez. E njëjta gjë edhe për Kancelaren Merkel.

Ne vazhdojmë ta ndajmë liderin nga demokracia dhe ky është vërtet një  handikap në mënyrën e të menduarit të shumë njerëzve në vendin tonë. Në radhë të parë i atyre që pretendojnë të jenë liderë pa qenë demokratë në botëkuptim. Nuk është lider ai që zbaton në mënyrë selektive ligjin; nuk është lider ai që sillet sikur e ka qeverinë, godinën e qeverisë, oborrin e qeverisë dhe çdo gjë të qeverisë si pronë private; nuk është lider ai që nxit apo lejon format me të shëmtuara të shkatërrimit të zgjedhjeve, siç janë blerja e votës me paratë e kontrabandës, evazionit dhe korrupsionit në dogana, tatime dhe tendera apo sekuestrimi i kartave të identitetit nga bandat me mbështetje dhe interesa politike. Dje nuk u tha asnjë fjalë për zgjedhjet e mbajtura para pak ditësh. As e mirë, as e keqe. Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari, por fantazma e zgjedhjeve të prishura ishte aty. Nuk është lider as ballkanik, as kombëtar ai që nuk lejon qytetarët të votojnë të lirë. Lideri si i tillë nuk ka ardhur akoma. Sepse lideri është sinonim i demokracisë, na kujtoi dje zonja Merkel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura